Leje drejtimi/ Lista e shteteve që njohin patentat shqiptare
09/04/2022 Shpërndaje

Leje drejtimi/ Lista e shteteve që njohin patentat shqiptare

Lista e shteteve që njohin patentat shqiptare:

Belgjika: Shtetasit shqiptarë në Belgjikë, për një periudhë më pak se 3 muaj, mund të përdorin lejen shqiptare për drejtim automjeti. Në rast qëndrimi më gjatë në Belgjikë se periudha në fjalë, atëherë shtetasit shqiptarë duhet të bëjnë konvertimin e lejes së drejtimit shqiptare në leje drejtimi belge, sipas procedurave që ndiqen në komunat përkatëse.

Kroacia: Shtetasit shqiptarë në Kroaci mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Maqedonia e Veriut: Shtetasit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2013 e tutje.

Serbia: Shtetasit shqiptarë në Serbi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Mali i Zi: Shtetasit shqiptarë në Mal të Zi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Kosovë: Shtetasit shqiptarë në Kosovë mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2012 e tutje. Pas përfundimit të afatit, marrëveshja është rinovuar dhe ka hyrë fuqi në maj 2019.

Itali: Prej 12 korrikut në Itali njihen patentat shqiptare dhe e njëjta gjë do të ndodh edhe këtu me patentat italiane, vendim ky që i përfshin të gjitha lejet e drejtimit.

Së fundmi Gjermania. Zëvendës ministri i Transportit të Infrastrukturës Digjitale në Gjermani, Oliver Luksic do të vizitojë Tiranën më 11 dhe 12 prill, ku pritet të nënshkruajë marrëveshjen për njohjen reciproke të patentave.

Lajmin e ka bërë me dije Ambasada Gjermane në Tiranë, ku në njoftim u sqarua edhe se përmbajtja e marrëveshjes do të bëhet publike së shpejti.

“Z. Oliver Luksic, MdB, Sekretar Parlamentar i Shtetit (Zëvendësministër) në Ministrinë Federale të Transportit dhe Infrastrukturës Digjitale, do të vizitojë Tiranën në datat 11 dhe 12 Prill. Krahas bisedave për temat e lëvizshmërisë së qëndrueshme dhe tranzicionit energjetik në sektorin e transportit, në qendër të vizitës së tij është edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit së bashku me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku. Informacione të mëtejshme mbi përmbajtjen e marrëveshjes do publikohen së shpejti.”, shkruan ambasada.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.