Pse duhet t’u lexohen fëmijëve përralla?
25/01/2023 Shpërndaje

Pse duhet t’u lexohen fëmijëve përralla?

Leximi nxit dhe stimulon imagjinatën te fëmijët dhe i ndihmon ata që të zgjerojnë territoret e njohjes së botës së madhe e të panjohur ende. Nëse dëshirojmë dhe ëndërrojmë që fëmijët tanë t’i duan librat përgjatë gjithë jetës së tyre, nuk ekziston një pikënisje më e mirë, sesa koha që ne ju lexojmë atyre, e në mënyrë të veçante ajo para gjumit. Rovena Rrozhani, gazetarja dhe autorja e disa librave për fëmijë për fëmijë na njeh me rëndësinë e leximit tek fëmijët.

Në çfarë moshe duhet të fillojmë ti lexojmë përralla fëmijëve?

Sa më shpejt të jetë e mundur! Është lidhja më e mirë, më e shëndetshme, më zhvilluese, më e bukur dhe e pasur që mund të ekzistojë midis një fëmije dhe prindërve. Është njëherësh mundësia më e mirë për të lidhur fëmijët me leximin. Personalisht nuk besoj që ka një moshë të caktuar për të filluar leximin e përrallave. Edhe foshnjeve të sapolindura mund t’u lexohen përralla. Ndonëse nuk kuptojnë fjalët,  nëpërmjet zërit të prindërve, ata marrin emocione. Mësojnë tingujt, gjuhën, zhvillojnë të folurin dhe teksa rriten pasurojnë fjalorin, por mbi të gjitha mësojnë të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre. Sigurisht një e mirë e madhe që vjen nga leximi i librave dhe në mënyrë të veçantë nga leximi i përrallave është se fëmijët mësojnë për botën nëpërmjet fantazisë dhe imagjinatës.

A janë librat të ndara sipas grupmoshës?

Ndarja e librave sipas grupmoshës është një orientim për të rriturit, të cilët duan të zgjedhin librat më të përshtatshëm për fëmijët e tyre. Por më e vlefshme është kjo ndarje për shkrimtarët, të cilët para se të fillojnë të shkruajnë një histori, duhet të kenë të qartë se për cilën moshë po shkruajnë.

Unë kam parë libra të ndarë sipas grupmoshave por edhe kur nuk janë të shkruar në kopertina, në panaire dhe publikimet e shtëpive botuese, apo edhe në librari mosha rekomandohet. Megjithatë sërish do t’i ftoja prindërit të mos jenë të ngurtë në zgjedhjen e librave për fëmijë. Ata më mirë se kushdo tjetër njohin zhvillimin e fëmijëve të tyre dhe fare mirë mund të gjejnë titujt e duhur. Ka një dallim midis fëmijëve që lexojnë shumë dhe atyre që nuk lexojnë apo lexojnë pak. Në këtë prizëm, duhen zgjedhur librat. Nëse një fëmijë lexon shumë, ai është më i zhvilluar dhe ka më shumë gjasa që jo vetëm të kuptojë një histori, por edhe ta dëgjojë apo ta lexojë deri në fund pa u shkëputur prej librit. Prindërit duhet të jenë mendjehapur edhe në mënyrën se si të nxisin fëmijët drejt leximit, si të kalisin durimin e përqendrimin e tyre, derisa leximi të shndërrohet një një kulturë që pasuron mendjen dhe shpirtin e fëmijëve të tyre.

Kam hasur prindër që këmbëngulin të mos u blejnë libra me histori të gjata, apo si thonë shpesh “me shumë tekst sepse nuk i mbarojnë asnjëherë”. Por nëse një fëmijë këmbëngul të blejë një libër të tillë, atëherë ata duhet ta inkurajojnë atë dhe jo t’ia vënë në dukje si një të metë dhe si një arsye më shumë për të mos e blerë  librin. Pra siç mund ta shikoni thjesht një ndarje e librave sipas grupmoshave mund të jetë gjëja më e thjeshtë, por në fakt mosha e lexuesit mendoj se është ndryshe nga mosha fizike.

Pse janë përrallat të rëndësishme në formimin e një fëmijë?

Provoni të lexoni një përrallë edhe pse jeni të rritur dhe më thoni nëse nuk do ta çoni deri në fund, nëse nuk do të zhyteni në botën e saj fantastike dhe do ta lini të lirë veten në aventurat më të rrezikshme apo të më çuditshme. Përrallat, sidomos ato të folklorit, atë të rrëfyerat nga goja në gojë, nga brezi në brez, janë bota reale e veshur me fantazi dhe moral, e kam fjalën për moralin e imagjinatës, jo atë moralin si fjalë e koncept të keqpërdorur para viteve ‘90, por atë që nëpërmjet imagjinatës ndërton personalitetin e fëmijës.

Përrallat janë mençuri e njerëzve që jetuan para nesh, janë argëtim, fantazi, histori dhe një enciklopedi e pasur që të mëson si të përdorësh mendjen dhe shpirtin, si të kuptosh botën që nga konceptet e saj të para e të thjeshta, të të gjitha si një lojë arti.

Një fëmijë mëson për botën, zhvillohet mendërisht, njeh, kupton dhe dallon ndjenjat, mëson si të reagojë dhe arrin të ndajë të mirën nga e keqja, atë që duhet bërë apo që nuk duhet bërë.

Mendoj se përrallat nuk janë vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit, madje shumë prej tyre ndonëse duket sikur u drejtohen fëmijëve, në fakt u japin atyre kënaqësin e rrëfimit, por rëndësinë e tyre shpesh e kuptojnë më shumë të rriturit. Në këtë kategori mund të jenë fabulat, të cilat të çojnë shpesh në botën e kafshëve, por morali i tyre, apo mësimi që nxjerr prej tyre më shpesh është i kuptueshëm kryesisht nga të rriturit.

A ka rënë ritmi i leximit i përrallave tek fëmijët?

Këtë nuk mund ta them nëse nuk ka një statistikë të cilës mund t’i referohesh. Sido që të jetë prirja aktuale, përrallat qofshin ato klasike qofshin të reja, janë të provuara në kohë për qëndresën e tyre midis lexuesve. Ato do të vazhdojnë të jetojnë dhe të shtohen për aq sa edhe njerëzimi të jetë.

Cila është mangësia që ju shihni në fushën ku ju shkruani?

Nuk është vetëm një mangësi, është një tërësi problemesh që prekin letërsinë për fëmijë e të cilat janë të vështira të përmblidhen në një përgjigje të vetme apo nga vetëm një njeri. Së pari mentaliteti i gabuar që i përket kjo është një letërsi e vogël sepse i përket një  kategorie lexuesish që janë fëmijë. Dhe harrohet se të rriturit kanë qenë dikur fëmijë, dhe se ata fëmijë do të jenë të rriturit nesër. Kjo është thembra e Akilit te shoqëria njerëzore, teksa ciklet e jetës vijojnë në kohë.

Një tjetër problem është se letërsia shqipe për fëmijë njohu një boshllëk të gjatë në brezat e shkrimtarëve, duke këputur zinxhirin e brezave krijues në vitet 90, apo në kohën e tranzicionit. Sigurisht dekada e fundit ka shënuar një ndryshim pozitiv që sa vjen e bëhet më i dukshëm në prurjet e penave të reja krijuese. Megjithatë duhet thënë se letërsia e huaj, ajo që gëlon në libraritë jashtë Shqipërisë, ajo e panaireve që i kushtohen vetëm kësaj letërsie, është shumë përpara nesh.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me fondet e krijimtarisë, ka dhënë një kontribut shumë të mirë në mbështetjen e kësaj letërsie, por problemet janë të shumta dhe duan kohë e politika afatgjata që të zgjidhen.

Ilustruesit e librave për fëmijë mungojnë dhe ky është një problem tjetër. Po ashtu mungojnë fonde që mund të mbështesin përkthimin e letërsisë shqipe për fëmijë. Më gëzoi një lajm i ditëve të fundit, për dy nga librat e mi që aktualisht gjenden ne biblioteken publike të NJu Jorkut, ku ka edhe botime të tjera në gjuhën shqipe. “Fani në kërkim të dritës” dhe “Rozi dhe domatja kërcimtare” një libër të cilin e kemi kombinuar me edukimin për ushqyerjen e shëndetshme së bashku me Dhurata Thanasin, tashmë mund të lexohen nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Një mundësi jo për të gjetur lexuesin jashtë kufijve zyrtarë, por edhe një ndihmë për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe atje ku shqiptarët jetojnë.

Një tjetër problematikë e fortë që nuk i takon vetëm librave për fëmijë, janë libraritë. Ato janë të pakta dhe në shumtën e rasteve shumë larg standarteve që duhet të kenë, sidomos nëse krahasohen me simotrat e tyre jashtë vendit. Botuesit do ta plotësonin më së miri përgjigjen e kësaj pyetjeje me shumë problematika të cilat mendoj se duhet të gjejnë zgjidhje për t’i dhënë më shumë frymëmarrje librave e për pasojë leximit.

A ka përralla të “gabuara”?

Me kalimin e kohës, shumë gjëra ndryshojnë edhe në kodin e parimeve njerëzore. Edhe përrallat mund të kenë lexime të ndryshme sidomos në disa aspekte. Shoqëria zhvillohet dhe natyrisht ka përralla të cilat krijojnë stereotipe të gabuara për kohën ku jetojmë. Princeshat e bukura, por të fjetura mund të jenë histori që kanë një fund të lumtur, por te vajzat dhe djemtë kultivojnë idenë e gabuar se vajzat janë pasive, se ato nuk mund të zonjat për të shpëtuar veten apo bukuria e tyre fizike është vlera kryesore se vendi i tyre është shumë larg djemve. Guximi, besimi te ëndrrat, zgjuarsia e shkathësia u takojnë si djemve edhe vajzave. Personazhet e librave të mi e tregojnë këtë. Fani nuk ka dritë, është një xixëllonjë ndryshe nga të tjerat, përballet edhe me bullizimin, por ajo nuk ka frikë të guxojë dhe beson te ëndrra e saj, beson te vetja e saj. Në fund ajo arrin të bëhet prijëse e mbretërisë së xixëllonjave. Kjo përrallë ka nisur të bëhet edhe një film i animuar për fëmijë. Edhe Lili, te “Tullumbacja e bardhë” përralla më e fundit që kam botuar, është një vajzë që bën çmos për të marrë atë që i takon dhe i ka humbur, por ndërkohë me zgjuarsinë e saj ndihmon ata që janë në vështirësi.  Por natyrisht Hana, vajza e përrallës së frymëzuar nga motivet popullore, është më e plotë në këtë drejtim. Ajo kalon sfidat jo nëpërmjet forcës fizike, por nëpëmjet fuqisë së mendjes. Ajo ka frikë, por gjen guximin kur kupton se nuk ka më asnjë rrugë tjetër për të shpëtuar përvec se të përballet Kështu i lë pas të gjithë meshkujt e fortë të fshatit në historinë që e kam titulluar “Hana, vajza që kapi diellin”, publikuar në kolanën me 28 autorë të huaj. Natyrisht që nuk mungojnë personazhet djem si te “Lëndina e arushëve” të cilët janë të vendosur për të shpëtuar natyrën.  

© 2023, Pozitivi. All rights reserved.