Lajmet e harruara nga pandemia/Shëndetësia u la në harresë.
30/07/2020 Shpërndaje

Lajmet e harruara nga pandemia/Shëndetësia u la në harresë.

Masat e izolimit kanë sjellë pasoja në shoqëri të ndryshme. Qytetarët u detyruan të qëndronin për muaj të izoluar në shtëpi, ndërsa kishte edhe një kategori që ishin të detyruar të qëndronin vazhdimisht të izoluar. Këto ishin pikërisht moshat e treta dhe të sëmurët kronikë, të cilët në fakt edhe  ishin më të rrezikuar nga virusi Covid – 19. Por një fakt i tillë sipas Besnik Jakaj ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre.

“Masat drastike që mori qeveria për izolimin e popullatës por edhe mbylljen e shërbimeve në spitale, solli një reaksion zinxhir. Më shumë ai u ndje kryesisht tek moshat e treta, të sëmurët kronikë ose ata me sëmundje të mbivendosura, të cilët mbetën jashtë shërbimit gjatë pandemisë. Ky ka qenë një problem shumë i madh, ku të gjitha spitalet dhe shërbimet e pavioneve të ndryshme të sëmundjeve kryesisht kronike në QSUT ishin jashtë funksionit dhe iu mohua një e drejtë thelbësore moshave të treta dhe të sëmurëve kronikë: shërbimi shëndetësor profesional, aq i domosdoshëm për mbijetesën e tyre sepse bëhet fjalë për mbijetesë”.

Mohimi i të drejtës së lëvizjes sillte edhe mohimin e sigurimit të barnave për këtë kategori.

Jakaj thekson se edhe sigurimi i branave ishte një problem që mbeti jashtë vëmendjes.

“Element tjetër shumë i rëndësishëm ishte edhe marrja e barnave me rimbursim sepse kanë patur një sërë vështirësish për shkak të mungesës së qarkullimit. Rrjedhimisht të sëmurët kronikë dhe moshat e treta ngelën pa shërbim spitalor dhe pa barnat e duhura gjatë pandemisë. Nuk ka mungesë barnash në treg, por ka pasur mungesë organizimi dhe funksionimi gjatë kohës së izolimit të shoqërisë në total edhe për të marrë rekomandimin e mjekut dhe për të marrë ilaçet nga moshat e treta. Kjo ka sjellë përkeqësimin e shumë të sëmurëve kronikë. Madje një pjesë e tyre mund të kenë përfunduar në mortalitet, sepse ne nuk kemi shifra, të dhëna të sakta për mortalitetin që kemi pasur gjatë periudhës së pandemisë në Shqipëri”.

E gjithë kjo situatë e vështirë dhe kritike për këto kategori sipas Besnik Jakaj nuk kanë zënë vendin që i takon edhe në debatin mediatik. Mediat, sipas tij, nuk kanë mundur të bëjnë aq sa duhet në denoncimin e këtyre fenomeneve.

Besnik Jakaj:

“Popullata merr sistemin e alarmit, dhe aty popullata kaloi në panik. Përveç sloganeve u izolua totalisht, u diskutua për male për të vdekur, ku nuk do të kishim tokë për të varrosur njerëzit dhe në këto kushte media u fokusua tek lajmi shëndetësor. Media ka pas një kontribut të jashtëzakonshëm në informimin e publikut në fillimet e pandemisë, por e ka pasur të pamundur, edhe për shkak të kufizimeve të qeverisë, dhe për shumë arsye të tjera, për shkak të izolimit fizik të popullatës të marrë statistika apo të marrë infomacione edhe më të sakta”.

Sipas ekspertëve me fokusimin vetëm tek çështja e Covid 19 gjithë pjesa tjetër e shëndetësisë shqiptare ka qenë inekzistente, dhe kjo nuk është pasqyruar as në media.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.