Lajmet e harruara nga pandemia/ Media dhe pandemia në Shqipëri.
25/07/2020 Shpërndaje

Lajmet e harruara nga pandemia/ Media dhe pandemia në Shqipëri.

Periudha e Covid – 19 zbehu çdo lajm tjetër në redaksitë e lajmeve në Shqipëri. Televizonet, media e shkruar dhe ajo online u përqendruam vetëm në informacione mbi pandeminë, shpesh me mangësi dhe që shkaktuan konfuzitet tek publiku. Por kjo është një çështje tjetër. Le të përqendrohemi tek lajmet që u lanë pas dore në valën e parë të pandemisë në vendin tonë. Ajo periudhë ( mars – prilli 2020 ) solli edhe në botë një fokusim të medias veçanërisht tek Covid – 19. Kështu ndodhi edhe me median në Shqipëri, ku emisione, edicionet informative, emisionet prime time etj, u fokusuan më së shumti tek kjo çështje. Përqendrimi tek pasojat e pandemisë së Covid 19 në fakt la në hije problematika të tjera, të cilat ishin mjaft shqetësuese për qytetarët shqiptar. Florian Haçkaj, ekonomist dhe menaxher në Zvicër  thotë se një nga çështjet më problematike të kësaj periudhë në vendin tonë, siç është pasojat nga tërmeti i Nëntorit dhe gjendja e banorëve të prekur ka munguar në media.

Florian Haçkaj:

“Ka një shprehje në diplomaci ose në media që thotë: lajmet e mira nuk janë lajme. Kam përshtypjen që kjo ndodhi edhe në Shqipëri. Nuk e di nëse ka shumë lajme të mira në Shqipëri, por unë shoh me keqardhje shumë të madhe gjendjen pas tërmetit ose gjendjen në të cilën tërmeti na gjeti. Njerëzit janë akoma në çadra, janë akoma në mjerim dhe ajo sikur kaloi, u harrua fare dhe komplet përqëndrimi kaloi tek Covid, që ishte legjitime deri diku. Realisht unë nuk e di ku jemi me rindërtimin, ku janë njerëzit. Fjala bie, për pandeminë na duhet të kishim distancim fizik, si do të distancohen fizikisht njerëzit që janë nëpër çadra? Çfarë u bë me ata? Gjithë kjo ka munguar si pasqyrë në mediat në Shqipëri”.

Por kritikat nuk mungojnë as për mënyrën e pasqyrimit të të gjithë situatës së pandemisë së Covid – 19 nga media. Florian Haçkaj thotë se në jo pak raste media ka luajtur një rol jo të duhur. Paniku dhe frika që ka përhapur ka ndikuar jo pak tek qytetarët, ndërsa roli i medias sipas tij është krejt tjetër.

Florian Haçkaj:

“Media shkon pas asaj që dëgjohet dhe ajo që dëgjohet është pandemia. Dhe pa dashje media luajti një rol futje frike tek njerëzit. Do vijë vala e dytë, vala e parë, kaq të prekur etj. Media duhet të jetë informuese”.

Deri diku duket i natyrshëm një përqendrim i shtuar ndaj kësaj situate, e cila në fakt ka pasoja të rënda në mbarë botën. Por ajo çka shihet edhe më me shqetësim nga menaxheri Haçkaj është protagonizmi i kryeministrit.

Florian Haçkaj:

“Në një vend si i yni kjo pasqyrë e dëmton shumë, ndryshe nga një vend demokratik të cilin nuk do ta dëmtonte sepse funksionojnë hallkat. Secila hallkë e shtetit merret me atë punë që ka për të bërë dhe nuk duhet të jetë fokusi i qeverisë tek një temë apo një temë tjetër. Madje për mendimin tim nuk duhet të jetë dhe kryeministri direkt në çdo temë i përfshirë personalisht”.

Ekspertët theksojnë se ky përqendrim i vëmendjes tek virusi, shkaktoi një mungesë të theksuar informimi për publikun, pasi jeta vazhdoi e shoqëruar me problemet e tjera të përditshme.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.