Kriza energjetike, një “tërmet” i 2-të për xhepat e qytetarëve
09/10/2021 Shpërndaje

Kriza energjetike, një “tërmet” i 2-të për xhepat e qytetarëve

2 vite pas tërmetit dhe më shumë se një viti pandemi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dha mesazhe pozitive në lidhje me të ardhmen e ekonomisë së vendit në një periudhë afatmesme. Gjatë një konference për shtyp 2 ditë më parë Sejko tha se ekonomia i ka rekuperuar humbjet e pësuara për shkak të tërmetit dhe gjatë pandemisë. Sipas tij, gjatë periudhës prill-qershor 2021, ekonomia e Shqipërisë u zgjerua me 17.9 për qind.

“Patëm 17.9% rritje ekonomike në 3 mujorin e dytë. Janë rekuperuar tërësisht humbjet e tërmetit dhe pandemisë.  Rritja pasqyroi zgjerim të aktivitetit ndërtues industrial. Rritja e aktivitetit ekonomik ka filluar të pasqyrohet në aktivitetin e punës.  Prespektiva ekonomike mbetet pozitive. Rritja ekonomike do të vijojë në vazhdim”, tha Sejko.

Sejko bëri një panoramë të situatës ekonomike në vend, teksa theksoi se nëse rritja e çmimeve e paralajmëruar do të jetë më e fortë, Këshilli Mbikëqyrës do të rishikojë politikën monetare.

“Rritja e çmimeve në tregjet botërore do ketë ndikim në fryrjen e inflacionit në vend dhe në votë. Ruhet kahu stimulues i politikës monetare. Do i shërbejë kthimit të qëndrueshëm të inflacionit në objektiv. Rritja ekonomike rezultoi më i shpejtë dhe niveli i inflacionit disi më i lartë se parashikimi. Rritja e inflacionit pasqyroi goditjet që vijnë nga rrjeti i huaj”, tha më tej Sejko.

Teksa kriza energjetike ka prekur tregjet ndërkombëtare dhe rrezikon edhe vendin tonë, qeveria shqiptare ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe ka hartuar një plan që është prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama. Shqipëria nuk do të përjetojë një rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe nuk do të ketë ndërprerje të dritave. Kjo ishte një nga pikat e planit për të mbrojtur konsumatorin. Për përballimin e kësaj krize, që faza agresive pritet të jetë deri në 6 mujorin e vitit tjetër, qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 200 mln euro, 100 prej të cilave do të shkojnë për OSHEE dhe 100 mln euro të tjera për zbatimin e 2 pikave të tjera të planit, pra mos rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël nga rritja e çmimit.

Rama është shprehur se nuk mund të rriten pensionet dhe pagat minimale 300-500 euro, kjo sepse sipas tij brenda 2 viteve vendi ynë do të falimentonte dhe do të njihte krizën më të madhe të urisë.

Plani i qeverisë për krizën energjetike:
 1.Garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara
 2.Mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara
 3.Garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumentave të garancisë sovrane shtetërore, i cili do të jetë i ripërtëritshëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe dy.

Në deklaratën e disa ditëve më parë Rama tha se Shqipëria po preket nga kriza ndërkombëtare e energjisë, e cila parashikohet të diktojë rritjen e çmimeve të elektricitetit dhe karburanteve deri në gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm. E megjithatë kryeministri tha se si me tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe pandeminë, Shqipëria “as nuk rrëzohet, as nuk dorëzohet përballë sfidave të kësaj natyre”.

Rritja në javët e fundit e çmimit të bukës e produkteve ushqimore dhe kriza energjetike që ka filluar të prekë vendin tonë, ka bërë bashkë në një protest 2 ditë më parë qytetarë, aktivistë, aktorë etj. Protestuesit parashtruan disa kërkesa ndërsa paralajmëruan se do të dalin sërish në protestë të hënën.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.