Kohë pandemie/ Mjekët, që tashmë “jetojnë” brenda spitaleve
24/09/2020 Shpërndaje

Kohë pandemie/ Mjekët, që tashmë “jetojnë” brenda spitaleve

Prej 7 muajsh jeta e personelit mjekësor fillon dhe mbaron brenda mureve të spitaleve, në shërbim të pacientëve me Covid -19.

Tanimë që kanë kaluar disa muaj që nga fillimi i pandemisë, numri i të prekurve me Covid është rritur, kësisoj edhe fluksi e kujdesi i mjekëve ndaj pacientëve është shtuar më shumë.

Jo vetëm janë shkëputur nga përditshmëria familjare, por mjekët sakrifikojnë çdo ditë, në kushtet që punojnë, të mbështjellë me mjete mbrojtëse nga koka te këmbët.

Një nga këto raste është ai i shefes së Shërbimit Infektiv Najada Çomo, e cila ditën e ditëlindjes së vajzës e ka kaluar në spital, dhe atë e ka uruar përmes një postimi në “Facebook”. Për këtë Çomo i kërkoi falje publikisht vajzës.

 “Zemër,  e di që u trishtove, që nuk erdha, edhe për 1 orë në festën për ditëlindjen tënde që është më e bukura për mua, por e mbyllur në dhome vetëm,  sigurisht me lotë, plot.  Mendova që duhet ti shërbejë pacientëve Covid, ju lashë vetëm e di, ty edhe babin. E bukur Greis, vetëm vite të bukura, të uroj në jetë. Mami të do shumë”, ka shkruar ajo.

Jo më pak prekës ka qenë një dedikim dhe një video e ndarë nga Ana Luca, kryeinfermierja e spitalit Infektiv e cila la me dëshirë postin si administratore e spitalit polivalent në QSUT dhe shkoi për t’u përballur me COVID.

Luca i dedikoi një status prekës të birit, të cilin nuk e kishte takuar prej një muaji, nga frika se mos i transmetonte Covid-19, familjes së saj.

Teksa kishte publikuar foton e të birit, që e shihte vetë nga ballkoni Luca i shkruante të durojë. “Duro jeta ime, do fitojmë për ty e gjithë Shqiptarët”, shkruante Ana krah fotos.

Para disa kohësh ajo ndau në rrjete sociale edhe një video që tregon sakrificën e çdo dite të saj, teksa lufton për jetën e pacientëve të prekur me Covid.

Ana shihet teksa heq nga “koka te këmbët” kostumin, dorezat, çizmet e maskën, të vëna për t’u mbrojtur nga virusi. Ajo kullon e gjitha në djersë, madje në fund kur heq çizmet dhe kur i kthen me kokë poshtë, prej tyre djersa derdhet “ujë”.

“Janë 5 muaj lufte…. më janë zbardhur flokët…..më është rrudhosur fytyra… Por nuk më ka ikur buzëqeshja … Sepse ne jemi të gjithë bashkë! Ne jemi në luftë me Covid -19! Të heshtur e të përkushtuar!

Ne flasim me gjuhën e shërbimit mjekësor nga një armatë e tërë personeli mjekësor”, shkroi Ana. Këto janë vetëm dy raste që tregojnë se festat e mjekëve tanimë janë pranë spitaleve Covid, por sakaq shfaqin edhe sakrificën e tyre.

Por a po shpërblehen mjaftueshëm mjekët me gjithë këto sakrifica që bëjnë?

Për të vlerësuar mundin e tyre, kryeministri Edi Rama ka premtuar rritje pagash.

Teksa po inspektonte maternitetin e ri të Beratit, Rama tha për herë të parë se mjekëve mund t’u rritet paga deri në 40 për qind. Kjo rritje do të përfshihet në buxhetin e vitit 2021 ka thënë  në një tjetër dalje.

“Ajo që ma ha mendja, qershia mbi tortë janë pagat e mjekëve dhe infermierëve. Do jetë ndërhyrje e fortë dhe rritje e konsiderueshme. S’dua të flas për shifrën finale, por besoj që do arrijmë në 40%. Faktikisht po e konkludojmë këto ditë, se duam ta bëjmë të kombinuar me pagat e mësuesve. Dhe plotësojmë dhe një zotim të mbarë që do të kemi rritje 40% në këtë 4-vjeçar për pagat e mësuesve, duam të arrijmë atje. Sa u përket mjekëve dhe infermierëve aq më tepër në kushtet aktuale, në kushte komplekse. Mos të ketë pagë inferiore, në krahasim me pagat në Itali e Gjermani. Aty po ka paga më të larta, por edhe taksa më të larta. Por edhe duke financuar ata që janë atje ku janë”, deklaroi kryeministri. 

Pavarësisht se disa ditë në parë Rama premtoi rritje page, sot mjekët kanë zhvilluar një protestë në ambientet e QSUT, duke kërkuar realizimin e 4 kërkesave për bluzat e bardha që janë në vijën e parë të luftës së Covid.

Mjekët kërkojnë plotësimin e 4 pikave, mes tyre sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë si dhe shpallja Dëshmorë të Kombit për të gjithë pjesëtarët e personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në luftë me Covid-19.

4 kërkesat konkrete:

1-Të shpallen Dëshmorë të Kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm

2-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.

3-Rritje të vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.

4-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet optimale në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë që po zhvillohej protesta, një grup mjekësh ishin në një takim me ministren e Shëndetësisë Ogerta Mnastirliu, ku i bënë propozimin e katër pikave. Nga ky takim të dyja palët u prononcuan për media dhe thanë se ranë dakord që nga java e tjetër të nisin tryezat e diskutimeve me mjekët për të shqyrtuar kërkesat.

“Kemi diskutuar shumë për pikat që përfaqësuesit e sindikatës kanë përcjellë. Kemi rrugë të gjatë përpara për të adresuar të gjitha kërkesat e sindikatës. Kemi vendosur që takimet në tryezat e punës të fillojnë prej javës që vjen. Ura e komunikimit me mjekët është e konsoliduar prej vitesh.

 Ne jemi të bindur që jemi duke punuar. Do ti dëgjojmë, do marrim vendim dhe ata do vendosin për pikat që kërkojnë. Në diskutimin tonë janë çështjet që do diskutohen edhe me ekipe të vogla.

Platforma e bashkëpunimit që ne e kemi kurrikul. Qeveria ka vullnet për të përmbushur kërkesat e mjekëve. Ne jemi së bashku jemi në të njëjtën anë dhe do vijojmë të punojmë për të mirën e qytetarëve.

Ne jemi këtu dhe po adresojmë kërkesat e mjekëve. Fakti se do të jemi të gjithë së bashku në çdo moment tregon vullnetin për të bërë më të mirën për shoqërinë, shëndetin dhe popullatën. Jemi këtu për konsolidimin e kësaj platforme dhe kemi një rrugë të gjatë për të bërë”, tha Manastirliu pas takimit.

Premtimi për rritjen e pagave dhe për nisjen e tryezave të diskutimit janë lajme të mira për personelin mjekësor. Por, mbetet për t’u parë në vazhdim sa prej kërkesave do të merren parasysh apo do të mbeten thjesht premtime para fushatës elektorale. /Pozitivi

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.