Nga noti te muzika, njihuni me vajzën kampione të Gerta Hetës! Këngëtarja: Më dridhet dora, s’e filmoj dot
18/05/2022 Shpërndaje

Nga noti te muzika, njihuni me vajzën kampione të Gerta Hetës! Këngëtarja: Më dridhet dora, s’e filmoj dot

Nga muzika, futbolli e te spektaklet në ekran, në shtëpinë e këngëtares Gerta Heta është rritur një tjetër kampione.

Ajo është 11 vjeçarja Luna Djarmati e shpallur kampione noti në disa gara. Vajza e moderatores së njohur dhe futbollistit Matko po shkëlqen vit pas viti, ndërsa tashmë numëron disa medalje në kampionatet e notit. Luna e ka nisur këtë sport që në moshën 7 vjeçare krejt rastësisht.

“Ne e dërguam për të mësuar të notonte por profesori tha se në 20 vite nuk ka parë talent si ajo. Ai na sugjeroi që pasi t’ia mësonte të gjitha stilet ta çonim me ekip dhe ashtu bëmë”, tregon Gerta për Pozitivi.org.

Garën e parë Luna e zhvilloi me ekipin Eagles. Në këtë kompeticion doli e treta në të gjithë Shqipërinë për grupmoshën e saj. Garat e para me këtë ekip Luna i zhvilloi në Durrës dhe rezultatet e saj ishin një surprizë shumë e bukur për prindërit. “Ne as nuk e pritëm këtë rezultat sepse konkurrenca ishte e lartë”, shprehet Gerta.

Një vit më pas Luna garoi sërish në Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve dhe doli nënkampione për moshën e saj. Stili për cilin 11 vjeçarja është kampione për grupmoshën e saj është shpina, me 50, 100 dhe 200 metra të fituara nga ajo në çdo garë kombëtare. Pozitivi mëson se vajza e moderatores ka korrur sukses dhe në dy kompeticionet e fundit në stilin 4 notim ku ka marrë sërish vende të para.

Vetë Gerta nuk ka ngurruar që të tregojë krenarinë në rrjete sociale për çdo arritje të së bijës. Në bisedën e zhvilluar me Pozitivin moderatorja tregon emocionet që ka përjetuar teksa ka ndjekur nga afër të bijën në çdo garë.

Emocionet janë shumë të forta si për mua që më dridhet dora, e nuk e filmoj dot nëpër gara, por edhe për Lunën e cila zgjohet që në 6 të mëngjesit ditën që ka garë”, shprehet moderatorja mes të tjerash.

Jo vetëm kampione noti, por Luna është e talentuar edhe në muzikë. Performancën e saj të parë në skenë ajo e ka dhënë në një koncert bashkë me Gertën e cila tashmë identifikohet nga publiku i gjerë përmes zërit të saj karakteristik.

“Luna ka nisur të ketë qejf edhe futbollin, por im shoq futbollist i thotë që s’ka të dhëna për futbolliste ndaj për momentin jemi vetëm në not. Luna ka talent edhe në këngë, madje në koncerte ka performuar këngë me vështirësi të lartë”, shton Gerta pë Pozitivin.

Për momentin fokusi më i madh i kampiones së vogël mbetet noti. Gerta rrëfen disa prapaskena në Kampionatin e Fundit Kombëtar të Fëmijëve ku Luna fitoi 3 medalje ari dhe argjendi.

“Në garat që sapo u zhvilluan të kampionatit kombëtar të fëmijëve ku Luna fitoi 3 medalje ari dhe një argjendi, në njërën nga garat, 200 metra 4 notim, Lunës i ranë syzet që në hedhje por e ka çuar garën deri fund pa syze, me shumë vështirësi por e fitoi. U ndjeva shumë krenare sepse dikush tjetër mund ta kishte lënë garën por ajo i shkoi deri në fund me shpirt luftarak. Për më tepër që ishte një garë e gjatë dhe jo nga ato të shkurtrat”, tregon Heta.

Moderatorja e martuar me futbollistin nga Kroacia, Matko Djarmati, është shumë krenare për dy vajzat Lunën dhe të voglën Matean, e cila ka idhull motrën e saj mjaft të talentuar. Por sigurisht që talenti dhe guximi i Lunës, aq premtuese për të ardhmen, nuk janë të rastësishme.

Gerta e mirënjohur për të gjithë si prezantuesja e “Një këngë për ty” në Top Albania Radio, mbetet zëri më i veçantë radiofonik shqiptar. Ashtu si Luna sot, edhe Gerta që në moshë të vogël është karakterizuar nga një ambicie e theksuar për të fituar, por e ndjekur edhe nga dashuria për skenën, të cilën nuk e ka lëshuar asnjëherë. Edhe sot e kësaj dite sjell një frymë të re në radio, një mënyrë të re prezantimi shumë origjinale, gjë që e veçon atë si karakter. Prej saj nuk kanë munguar asnjëherë emisionet me interes për publikun shqiptar. Por prisni… tashmë e ardhmja i përket Lunës!

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.