HIV në nivele shqetësuese: Më shumë se 100 raste të reja në vit
15/04/2019 Shpërndaje

HIV në nivele shqetësuese: Më shumë se 100 raste të reja në vit

Në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta për sa i përket sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Edhe pse rastet janë në rritje, sensibilizimi për këtë çështje kaq delikate është i paket, ndërsa shumë persona të infektuar nuk e dinë që janë mbartës të ndonjë virusi.

Që prej vitit 1993, kur edhe u diagnostikua rasti i parë i prekur me HIV/AIDS në Shqipëri, janë regjistruar 1195 persona të infektuar. Ndonëse Shqipëria mbetet një vend me prevelancë të vogël, shqetësues është fakti i diagnostikimit në kohë të personave të prekur nga virusi vdekjeprurës. Vetëm gjatë vitit 2018 janë diagnostikuar 92 raste të reja, ndërmjet të cilëve dy fëmijë nën moshën 15 vjeç.

Ekspertët vlerësojnë se testimi vullnetar i shqiptarëve ndaj virusit të HIV/AIDS mbetet në shifra të ulëta, çka do të thotë se kërkohet të rriten shërbimet si dhe të mos ketë mungesë të reagentëve për testim. Në vendin tonë, HIV/AIDS mbetet një sëmundje urbane, pasi numrin më të lartë të të prekurve e mban Tirana me 6.4 për çdo 10 mijë banorë. Më pas, vjen qyetati i Lezhës me 5 për 10 mijë banorë dhe në vend të tretë renditet qyteti i Vlorës.

Sipas studimeve të fundit vitet e fundit në vend kemi më shumë se 100 raste të reja me HIV. “Ne jemi një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV por që nuk mund të themi se HIVI nuk është problem në vendin tonë. Të dhënat e raportuara tregojnë që deri në fund të vitit 2018 numri i rasteve me HIV i ka kaluar 1200 raste të raportuara.

Trendi i infeksioneve ka qenë në rritje vitet e fundit. Është fakt që HIV ka hyrë pak me vone në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit dhe kjo edhe për shkak të situatës në të cilën kemi qenë.  Ndërkaq sipas organizatës “Stop AIDS” në vendin tonë ka një nivel të ulët ndërgjegjësimi dhe edukimi për testimin e hershëm të rasteve me HIV dhe kjo dëshmohet në faktin që 50% e rasteve me këtë infeksion kapen në stadin e fundit.

Niveli i ulët aktual i infeksionit HIV në Shqipëri ofron mundësinë për ndërhyrje të hershme dhe për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes. Shumica e rasteve me HIV në Shqipëri kanë qenë diagnostikuar midis grave dhe burrave në grupmoshën 25-44 vjeç. Megjithatë që nga viti 2000, një përqindje në rritje e grave janë infektuar me HIV/AIDS.

Njohuritë dhe qëndrimet. Në Shqipëri, njohja e HIV/AIDS është e lartë me 93 përqind të femrave dhe 94 përqind të burrave që deklarojne se kanë dëgjuar për AIDS-in. Përdorimi i prezervativit (74 dhe 83 përqind, përkatësisht), kufizimi marrëdhënieve seksuale me një partner i cili është HIV negativ dhe nuk ka partnerë të tjerë (78 dhe 81 përqind, përkatësisht), dhe abstenimi nga seksi (72 dhe 76 përqind) u pranuan secila nga rreth tre të katërtat e të gjitha grave dhe burrave si mënyra për të ulur rrezikun e marrjes së HIV-it.

Rezultatet tregojnë se shumë të rritur shqiptarë kanë njohuri të sakta për mënyrat e trasmetimit dhe mostransmetimit të virusit të AIDS-it. Në Shqipëri, më pak se tre në dhjetë gra (28 përqind) dhe vetëm një në pesë meshkuj (20 përqind) kanë njohuri të plotë për HIV/AIDS dhe parandalimin e transmetimit. Stigma rreth AIDS është e përhapur në Shqipëri. Tetëdhjetë e gjashtë përqind e grave dhe 85 përqind e burrave thanë se do të jenë të gatshëm për t’u kujdesur në shtëpinë e tyre për një anëtar të familjes të sëmurë me AIDS.

Nga ana tjeter, vetëm 27 përqind e femrave dhe 23 përqind e meshkujve thanë se ata nuk do të duan ta mbajnë të fshehtë se një anëtar i familjes ka virus e AIDS-it. Po ashtu, vetëm 29 përqind e femrave dhe 31 përqind e meshkujve do të blinin perime të freskëta nga një tregtar të infektuar nga HIV dhe 41 përqind e grave dhe 31 përqind e burrave thanë se një mësuese e infektuar me HIV duhet të lejohet të vazhdojë mësimdhënien. Përqindja që shpreh qëndrim pozitiv ndaj të katër masave është e ulët: vetëm 6 përqind e grave dhe e burrave.

Por shqiptarët që testojnë virusin HIV mbeten në nivele të ulëta. Kjo ka bërë që edhe numri i vdekjeve të jetë në shifra të larta. Vetëm gjatë vitit 2018 kanë humbur jetën 20 persona të infektuar, 10 prej të cilëve i përkasin personave që u diagnostikuan po këtë vit, që do të thotë se virusi ka qenë në stadin më të fundit, AIDS, kur dhe është diagnostikuar. Kjo u realizua me mbështetjen e UNFPA. #UNFPA Albania

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.