Greqia njeh Vulën Apostile të Shqipërisë
27/02/2018 Shpërndaje

Greqia njeh Vulën Apostile të Shqipërisë

Një nga çështjet më të diskutuara gjatë negociatave mes Shqipërisë dhe Greqisë më në fund ka gjetur zgjidhje. Shteti fqinj ka vendosur të njohë Vulën Apostile të Shqipërisë. Tërheqja e rezervës për Vulën Apostile, tanimë nga të gjithë vendet anëtarët e BE-së ndikon pozitivisht më së shumti për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi të cilëve do t’ju lehtësojë dhe përshpejtojë procedurat me dokumentacione të dhëna nga Shqipëria dhe Greqia.

Njohja e vulës gjithashtu do të ulë ndjeshëm kostot e lëshimit të dokumenteve përkatëse, si dhe do mundësojë ofrimin e shërbimeve konsullore moderne për qytetarët tanë që jetojnë në shtetin fqinj. Lajmin e mirë e ka dhënë Ministria shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, marrëveshje e arritur pas dialogut dypalësh Shqipëri-Greqi për disa çështje të rëndësishme të lëna pezull mes 2 vendeve.  Po çfarë është Apostile? Apostile zëvendëson legalizimin pranë konsullatave apo edhe ambasadave.

Për pasojë nëse një person duhet të sjellë në një shtet që ka nënshkruar konventën një certifikatë nga Shqipëria, nuk ka nevojë të shkojë pranë ambasadës të shtetit pritës të dokumentit për të kërkuar legalizimin, por mund të shkojë pranë ministrisë së Jashtme të Shqipërisë për të vënë vulën Apostille mbi certifikatë. Pasi ka kryer këtë procedurë, ajo certifikatë duhet të njihet nga shteti pritës, që ka nënshkruar konventën e Hagës, sepse ajo tashmë nuk ka nevojë për t’u legalizuar.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.