Gratë e fshatit dhe ‘moda’ e qytetit
24/09/2018 Shpërndaje

Gratë e fshatit dhe ‘moda’ e qytetit

Gjithësecili nga ne ka një prejardhje. Ka dhe një vend ku jeton. Mund të jetë vendlindja apo fshati ose qyteti ku zgjedh të ndërtosh të ardhmen. Dallimi mes fshatit dhe qytetit është i madh. Jo vetëm në konceptet për këto dy fjalë por edhe në mënyrën e jetesës.

Fshati apo katundi është një qendër e vogël ku banojnë një numër jo i madh njerëzish krahasuar me qytetin. Njerëzit kryesisht merren me bujqësi dhe me blegtori. Banorët që bëjnë një veprimtari të caktuar, njihen si fshatarë. Ata e njohin njëri-tjetrin me “dhëmbë e dhëmballë”.

Kurse qyteti është një qendër e madhe banimi. Veprimtaria dhe aktivitetet e qytetit zhvillohen në varg institucionesh politike, shoqërore, administrative, kulturore, ndërmarrjesh industriale dhe tregtare etj. Popullsia në numër është më e madhe. Ka të ardhur nga të gjitha rrethet. Në shtator ose stinën e vjeshtës, si çdo ditë të vitit gjithsecili ka një rutinë ndryshe nga tjetri. Dikush shkon në punë në zyrë. Një tjetër në terren, në fushë sporti, në qendër kulturore, në teatër. Apo në rrugë duke lypur, duke fshirë trotuaret dhe rregulluar pusetat, punë nga më të ndryshmet.

Në fshat rutina është e njëjtë për të gjithë, me disa përjashtime. Në një ditë të bukur vjeshte, gjethet e thata të pemëve fillojnë të mbulojnë rrugët e fshatit. Dielli fillon të zhduket në re, duke i lënë vendin shiut dhe motit të freskët. Pemët janë të mbushura nga fruta të pjekura. Jo vetëm pemët, por fshatarët mbledhin të gjitha produktet që prodhojnë. Mëngjeset e shtatorit i gjejnë ata në fusha, me mjete korrëse në duar dhe gjithçka tjetër iu duhet për punët e ditës.

Forcën fizike e përdorin në të gjitha punët. Nuk përjashtohen as gratë dhe vajzat. Aishja, mbi të 60-at, ka lindur në një fshat të Dibrës. Gjatë gjithë jetës është marrë me punë bujqësie. Është martuar në moshën 15 vjeçare. Ka shumë fëmijë dhe të gjithë merren po me bujqësi. Punojnë tokat që i kanë të trashëguara brez pas brezi. Familja e 60 vjeçares ka një tufë të madhe me bagëti dhe disa lopë. Ajo i ushqen, mjel dhe u bën të gjitha shërbimet e nevojshme. Kur ka punë në arë, bagëtitë i nxjerr në kullotë dikush tjetër nga familja. E bëjnë me rradhë.

Tani në vjeshtë ajo shkon të presë dhe vjelë misrin, të mbledhë kumbullat, mollat, arrat, barin e kositur të cilin e ka ushqim dimri për kafshët. Punët e shtëpisë i bëjnë nuset. Madje duhet të ngrihen dhe herët në mëngjes, se kështu e do zakoni. Gjithçka duhet të ndrisë kur ora të shkojë 8 e mëngjesit. Madje edhe rruga aty pranë, që të çon tek dera e shtëpisë duhet të pastrohet nga gjethet e rëna të plepave. Ndërkohë vjehrra, Aishja, e ndihmuar nga djali ose bashkëshorti në të shumtën e rasteve, në këtë orë ka mbaruar shërbimet për tufën e deleve dhe me mjeljen e lopëve. Po kështu  edhe në vaktet e tjera, në drekë dhe darkë. Ditën e ka të programuar njësoj, sipas stinëve dhe sezonit të punës.

Ndodh ndonjëherë që të prishet rutina. Një ditë Aishja, së bashku me 3 zonja nga fshati i saj, kishte shkuar në një rast vdekje në një tjetër fshat afër qytetit. Pasi mbarojnë sebepin takojnë një mikeshë të vjetër në qytet. Ajo i fton për një kafe në një lokal. Aishja nuk ishte ulur asnjëherë në kafe dhe i vinte zor të shkonte tani që ishte 60 e kusur vjeç, shkruan pozitivi.org. Me insistim të mikeve, e turpëruar dhe në siklet pranon të shkojë. Aishja nga fshati ulet në kafe për herë në moshë të thyer. Për të ishte luks. Luks nuk është vetëm për Aishen por edhe për shumë gra dhe vajza të tjera. Sepse kështu është jetesa në fshat. Në kohën e lirë merren me punëdore dhe me punët e shtëpisë. Edhe bukën në sezonin e punës, e marrin me vete në arë. E hanë ulur mbi kashtat e rrëzuara gati për t’u vjelur kallinjë.

Qytet dhe fshat, dy vende që ndryshojnë plotësisht nga njëri-tjetri. Edhe gratë e qytetit me ato të fshatit. Gruaja e qytetit e gjen veten më ndryshe mes komoditetit që i ofron jeta metropolitane. Jeta metropolitane të ofron më shumë komoditet dhe i përmbush më shumë kërkesat postmoderne të jetës, sidomos për brezat e rinj. Kjo është dhe një arsye e largimit masiv të popullsive fshatare nga zonat rurale drejt qyteteve metropolitane. Tendenca urbanizuese ka kohë që zhvillohet vrullshëm edhe në realitetin tonë, ku qytetet e mëdha e metropolet janë ambiente qëndrore që kanë kushtet e duhura të aplikimit të mënyrës postmoderne të jetuarit.

Kush jeton në fshat prej vitesh, thote se s’mund të jetojë askund tjetër. Kush jeton në qytet thotë se si qyteti s’ka. Ne fshat mund të ketë pak dyqane, një shkollë të vogël, njerëzit që merren me punë bujqësore, dhe me jetë sociale dhe kulturore jo të zhvilluar sa duhet, ndërsa në qytet ndodh e kundërta. Pavarësisht gjithçkaje, jetesës dhe kushteve ndryshe, rëndësi ka që secili ta ndiejë që i përket atij vendi ku jeton.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.