REKORD GJOBASH RRUGORE NË 2022, ÇDO DITË 2.000 GJOBA. PERSONI MË SHUMË I GJOBITUR NUMËRON 40 GJOBA!
Policia rrugore ka shënuar një rekord të ri në vënien e gjobave për vitin 2022. Vetëm për tetë muajt e parë të vitit janë prerë 466.185 gjoba. Thënë ndryshe çdo muaj 58,273 gjoba. Nëse do ta thjeshtonim në ditë, janë plot 1,942 gjoba që janë lëshuar çdo ditë nëpër rrugët e Shqipërisë.
Të dhënat janë zyrtare, në përgjigje të shkresës që pozitivi.org i drejtoi Drejtorisë së Përgjithshme të policisë.
Kjo periudhë e vitit 2022, ka tejkaluar edhe vitin 2021 kur policia rrugore ka lëshuar 314.196 masa administrative.
Ndërsa viti 2020 ka numër më të ulët gjobash, 282.401. Dhe kjo e ka një shpjegim, pasi përkon me periudhën e pandemisë së COVID – 19, kur Shqipëria ashtu si edhe pjesa tjetër e botës përjetoi izolim dhe lëvizja e mjeteve ishte e reduktuar.
Por cilat janë shkeljet që janë ndëshkuar më shumë nga policia rrugore? Vendin e parë e zënë parkimet e gabuara, që pasohen nga tejkalim i shpejtësisë së lejuar, parakalime të gabuara, mosvendosje e rripit të sigurimit si edhe drejtim makine duke përdorur telefonin. Sipas shkresës së policisë, mjetet që gjobiten më shumë janë autoveturat, ndërsa personat janë të grupmoshës 25 – 35 vjeç.
Rekordi i gjobëvënies në Shqipëri
Drejtuesi i mjetit me numrin më të madh të shkeljeve në historikun e tij ka rreth 30 – 40 gjoba. Gjobat janë për shkelje të ndryshme të kodit rrugor. Më së shumti për parkim të gabuar dhe parakalim të gabuar, mosrespektim semafori dhe mosvendosje e rripit të sigurimit.
Pagesat e gjobave rrugore
Gjobat për shkeljet e Kodit Rrugor, variojnë nga 250 – 200.000 lekë. Gjobat paguhen masivisht brenda 5 diteve, pasi perfitohet 20% zbritje nga shuma e vënë nga policia. Nëse gjoba nuk paguhet brenda 5 ditëve nga marrja e saj paguhet për çdo ditë 2% kamatë deri në një muaj.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
