
Freelancer apo fakelancer? Kë dëmton vetëpunësimi fals
Idea e një pune të pavarur pa asnjë epror që të komandon ka qenë gjithnjë tunduese. Shtoji si bonus edhe vetë menaxhimin e kohës për ti bërë jgjerat kur dhe nga ku të intereson më shumë. Këto ide hodhën bazat e para të freelance – të punës së pavarur. Me kalimin e kohës nisi të zgjerohet si trend veçanërisht pas pandemisë u preferua në masë si stil pune e jete. Por me zgjerimin u shtuan edhe përpjekjet për abuzim. Për të kuptuar më mirë konceptin e freelance por edhe atë të fakelance, pozitivi.org sjell intervistën e juristit, pedagog Xhon Skënderi.

Si fillim një kuriozitet çfarë janë fakelancer?
Në dritën e ndryshimeve që ka sjellë zhvillimi i shoqërisë dhe teknologjisë, duket se norma dhe rregulli është bërë marrëdhënia e punës si “freelancer”, duke lënë në hije marrëdhënien tradicionale kontraktuale të punës, punëdhënës – punëmarrës. Në këtë kontekst, përveç transformimit të marrëdhënies së punës në një marrëdhënie ofrim shërbimi, praktika ndërkombëtare ka parashtruar edhe një problem të tjetër i cili ka qënë gjithmonë aty, por tashmë po fillon të pranohet si koncept dhe janë duke u gjetur mekanizmat ligjore për trajtimin e kësaj kategorie punëmarrësish, të cilët janë pikërisht të “vetëpunësuarit fals”. Ky fenomen i vetëpunësimit fals haset me termat “fakelancer” apo “forcedlancer”
“Fakelancer” apo “vetëpunësim fals” ka të bëjë me ato kategori që në thelb janë marrëdhënie varësie pune të cilat kamuflohen si punë autonome/vetëpunësim, zakonisht për arsye fiskale, ose për të shmangur pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe duke ulur kështu kostot e punës, ose për të anashkaluar legjislacionin dhe për mbrojtjen në punë siç janë dispozitat për largimet nga puna.
Eshtë fakelancer fenomen i përhapur në Shqipëri?
“Fakelancer” shkon krah për krah me hovin e madh që ka marrë vitet e fundit zhvillimi i tregut të “freelancer”. Sigurisht edhe Shqipëria nuk ka mbetur pa u prekur nga kjo valë ku çdo moment hasemi me format e vetëpunësimit fals të cilat përdoren nga bizneset për të minimalizuar kostot dhe maksimizuar fitimet.
Çfarë është një punë si freelance?
Termi “freelancer” përdoret për të përcaktuar marrëdhënien e vetëpunësimit, në kontekstin e dikujt që ushtron një aktivitet fitimprurës për llogari të tij, sipas kushteve të përcaktuara në legjislacionin kombëtar, e cila përgjithësisht rregullohet me një kontratë për ofrimin e shërbimeve. Theksoj se “freelancer” ka tërësisht kontroll në ushtrimin e aktivitetit të tij, pra përcakton vetë politikën e brendshme të operimit, zgjedhjen e klientëve, qasjen ndaj tyre dhe mënyrën e ofrimit të shërbimeve por gjithashtu mban edhe të gjithë përgjegjësinë ndaj “kryerjes së punës” apo ofrimit të shërbimit.

Sa i rregulluar është freelance në Shqipëri ligjërisht?
Sipas parashikimeve të legjislacionit shqiptar termi “freelance” është i rregulluar në konceptin ligjor të vetëpunësimit, në përputhje me parashikimet e Ligjit 9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” i ndryshuar, ku kjo veprimtari rregullohet nëpëmjet regjistrimit si person fizik në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Çfarë duhet të bësh që të nisësh freelancing?
Pyetja në ketë rast është a jeni gati për të ndërmarrë një veprimtari të tillë? Fillimisht, duhet një analizë dhe studim i plotë e detajuar i tregut në të cilin je i specializuar dhe synon të ofrosh shërbimet. Gjithashtu duhen mbajtur në konsideratë çfarë shqetësimesh dhe problematikash kanë njerëzit në një industri të caktur dhe a jeni në gjendje që të përmbushni këtë boshllëk në treg. Një çështje tjetër dhe ndoshta vendimtare për të patur sukses është konkurrenca, pra a janë mbuluar problematikat në industrinë që kërkoni të adresoni si dhe a janë mbuluar në një mënyrë të kënaqshme e cilësore. Nëse përgjigja është jo, atëhere mirëserdhët në botën e “freelacing”. Përsa i përket aspekteve ligjore të jesh “freelancer” si dhe të ushtrosh aktivitetinë në përputhje me legjislacionin në fuqi në Shqipëri, duhet të kryhet regjistrimi pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit si person fizik si dhe deklarimi pranë çdo organi tatimor.

A është kjo një karrierë?
“Freelancing” është duke u shndërruar në një karrierë e jo më si një punë e dytë. Kjo vjen për shkak të idesë shumë joshëse për të qënë “shefi i vetes”, për të përcaktuar oraret në të cilat dëshiron të punosh si dhe klientët ndaj të cilëve kërkon të qasesh. Dëshiroj të theksoj se përgjatë pandemisë Covid-19 e gjithë bota u vendos para një sfide ku puna nga shtëpia u kthye në normalitet. Gjithashtu digjitalizimi i çdo industrie ofron mundësinë e kryerjes së çdo pune, nga çdo vend i botës e në çdo kohë duke ofruar fleksibilitet. Si pasojë gjithnjë e më tepër punëmarrësit janë duke zgjedhur “freelacing”, në kërkim të fleksibilitetit, pagesave më të larta apo kryerjen e punëve dhe shërbimeve selektive.
Eshtë më e lehtë apo më e vështirë se sa punësimi me kohë të plotë?
Premtimi për lirinë e përhershme dhe të punosh në çdo kohë dhe nga çdo cep i botës është gjithmonë tundues duke bërë që individët të ndërmarrin hapat e duhura në mënyrë të kujdesshme. Përgjigja ndaj pyetjes së parashtruar është shumë subjektive. Mendoj se ajo që e bën më të vështirë “freelancing” është se disa individë nuk kanë aftësitë e duhura për të punuar në mënyrë të pavarur. Gjithashtu disa nga disavantazhet e “freelancer” mund të jenë mungesa e sigurisë dhe stabilitetit financiar që gëzojnë punëmarrësit. Pavarësisht kësaj zgjedhja midis statusit të punëmarrësit apo freelancer është krejtësisht personale. Ndërsa e para është e përshtatshme për dikë që pëlqen sigurinë dhe stabilitetin, e dyta mund të jetë më shpërblyese nëse jeni të gatshëm të merrni përsipër rreziqe.
Çfarë aftësish duhet të kesh?
Të jesh “freelancer” është aftësi. Përgjithësisht të gjithë ata individë që zgjedhin këtë rrugë të të bërit biznes, karakterizohen nga aftësi lidershipi, vetë-disiplinë, manaxhim i mirë i kohës, i motivuar, fleksibël si dhe i aftë për të punuar nën presion.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.