Finalja Europiane në Tiranë, “çmenden” çmimet në hotele, deri në 2 milionë lekë nata
Tifozët që do të vijnë në Tiranë për të ndjekur finalen Europiane në 25 maj, do të duhet të paguajnë deri afër 2 milionë lekë të vjetra për një natë në hotele. Çmimet janë rritur ndjeshëm, por gjithsesi shumë pak dhoma kanë mbetur të lira.
Ky fakt ka shqetësuar Autoritetin e Konkurrencës i cili ka vendosur të bëjë monitorim tregu.
“Nisur nga disa informacione shqetësuese në media në lidhje me rritjen e menjëhershme të çmimeve nga ana e ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e hotelerisë apo akomodime të tjera të ngjashme në qytetin e Tiranës, në kuadër të ndeshjes finale të Ligës së Konferencës midis skuadrave Roma-Feyenoord, e cila do të zhvillohet në Tiranë në datën 25 maj 2022, Autoriteti i Konkurrencës vendosi monitorimin e këtij tregu”.
“Nga monitorimi i platformave online që ofrojnë rezervime ambientesh fjetje si dhe nga monitorime në terren u identifikuan çmime tepër të larta për datat 23-25 maj 2022, krahasuar me periudha të tjera të vitit. Autoriteti i Konkurrencës iu kërkon ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme në qytetin e Tiranës: – të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme, të orientuara drejt kostos; – të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen në minutën e fundit me çmime disa herë më të larta”.
Autoriteti i Konkurrencës iu bën me dije ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme në qytetin e Tiranës që, nëse në përfundim të hetimit rezulton se rritja në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar e çmimit të shërbimit të fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme do të gjendet në kundërshtim me dispozitat e ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, shkelësit e ligjit do të ndëshkohen me gjoba deri ne 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës.
Jo vetëm bizneset, por nga kjo situatë po përfitojnë edhe qytetarët të cilët po nxitojnë të hedhin me qira për tifozët apartamentet e tyre. Kjo vihet re në një vëzhgim në platformat më të mëdha në fushën e prenotimeve të shërbimeve turistike si Booking dhe AirBNB.
Siç vihet re çmimet jane stratosferike që në periudhë tjetër të vitit kushtojnë më pak se në këtë ditë në këto hotele dhe ambiente me qira.
Numri i tifozëve që do të vijnë në vendin tonë pritet të jetë shumë i madh. Kjo vërehet nga shtija e biletave. “Air Albania”, i ka të gjithë biletat e shitura për finalen e “Conference League” mes Romës dhe Feyenoordit të Roterdamit.
Mijëra tifozë të Romës dhe të Feyenoordit reaguan të irrituar në rrjetet sociale pasi nuk patën sukses në blerjen e biletave. Shumë pak janë ata fatlumët që e kanë përfunduar me sukses këtë proces.
Në tregun legal nuk është më e mundur blerja e biletave për këtë finale të kompeticionit më të ri për klube në Europë. 10 mijë biletat e fundit kanë “avulluar” brenda një ore përmes portalit të UEFA-s. Kërsat e shumta për bileta, nga një audiencë potencialisht mbarëbotërore, e çoi sistemin në kolaps.
Nisur nga ky fluks ka pasur dhe rritje çmimesh nëpër hotele. Kjo situatë vjen në një kohë që kriza e çmimeve ka përfshirë vendin si pasojëy e ndikimeve të luftës në Ukrainë në tregjet ndërkombëtare. Kjo krizë ka ndikuar edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
BERZH ka rishikuar përsëri në ulje ecurinë ekonomike të Shqipërisë duke e caktuar atë 3% për vitin 2022. Ky vlerësim vjen pas atij të bërë në muajin mars sipas të cilit ekonomia e Shqipërisë do të zgjerohej me 3.3% për vitin 2022. Por pavarësisht rishikimit në ulje Banka Europiane për rindërtim e Zhvillim ka një parashikim më pozitiv nëse e krahasojmë me institucionet e tjera financiare. FMN pret një rritje vetëm me 2% për këtë vit. Aktualisht inflacioni në vend ka arritur në 6.2% ose dyfish mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë.
/Pozitivi.org
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.






