Farmacisti nuk është vetëm shitës i barnave, por profesionisti mjekësor
31/01/2023 Shpërndaje

Farmacisti nuk është vetëm shitës i barnave, por profesionisti mjekësor

Sot në Shqipëri operojnë rrjete të fuqishëm farmaceutike, duke qenë më pranë pacientëve me sherbimet të ndryshme. Por shpeshherë qytetarët drejtohen për shqetësimet e tyre shëndetësore në një farmaci para se të këshillohen me një mjek, duke kërkuar kështu ndihmën e parë tek farmacia. Këtë e theksoi në një intervistë për Pozitivi.org farmacistja, Freskida Miloti.

Çfarë ofron farmacia juaj që të jetë zgjedhja e pacientëve për kryerjen e shërbimeve?

Farmacia jonë ofron të gjithë gamën e produkteve farmaceutike dhe linja të ndryshme dermokozmetike. Kjo farmaci ka mbi 11 vite në treg, mundohemi që të sjellim të gjitha produktet farmaceutike që pacientëve mos t’ju mungojë asgjë dhe nëse na drejtohen ne t’ju vijmë në ndihmë menjëherë. Mbi të gjitha ka një staf profesionist dhe që përditësojmë dijet tona në fushën farmaceutike.

Cilat janë sfidat e një farmacisti sot?

Sfidat janë të shumta sikurse e shikojmë që shumë kolegë farmacistë po largohen nga Shqipëria për të ushtruar profesionin në vende më të zhvilluara. Është shumë e rëndësishme të vlerësohemi më shumë si profesionistë mjekësorë. Duhet të rishikohet marzhi i fitimit dhe të rishikojet kuadri ligjor për të evituar disa problematika në fushën farmaceutike.

Cila ka qenë strategjia e farmacisë tuaj me rritjen e konkurrencës vitet e fundit?

Në punën time si farmaciste nuk kam ndjekur asnjëherë një strategji me qëllim konkurrencën e pa drejtë. Mendoj se suksesi si farmaciste në Farmaci Rej, ka të bëj, korrektësia, komunikimi, profesionalizmi im dhe i bashkëshortit tim, i cili është gjithashtu farmacist. Ne gjithmonë vëmë pacientin në plan të parë, që ta këshillojmë aq sa profesioni na lejon dhe asnjeherë nuk tejkalojmë kompetencën profesionale, por gjithmonë kur duhet e drejtojmë pacientin tek mjeku për të bërë vizitën apo analizat e duhura. Pas diagnostikimit na drejtohen ne në farmaci me recetën e përshkruar nga mjeku. Do të japim të gjitha këshillat e duhura, se si duhet pirë medikamenti, oraret, me cilat barna të tjerë nuk duhen të pihen njëkohësisht, ndërveprimet e barnave, sa larg ushqimit duhet të merren, cilat janë efektet anësore, pas sa ditësh do të presin rezultatin e shërimit etj. Duke ndjekur këto etapa të rëndësishme jemi korrekt ndaj pacientit dhe të qetë në ushtrimin e profesionit tonë.

A është kthyer farmacia si vend i parë që njerëzit drejtohen për një shqetësim që mund të kenë?

Po është e vërtetë që ka plot raste që pacientët fillimisht drejtohen në farmaci, por ne kemi të drejtë t’i japim atyre vetëm një kategori barnash të cilët quhet OTC dhe t’i këshillojmë ata që t’i drejtohen mjekut të familjes apo mjekut specialist sipas problemit shëndetësor që ata na tregojnë. Edhe pse ndonjëherë pacientët këmbëngulin është e thelbësore të binden se është në të mirën e tyre dhe arsyen pse duhet të shkojnë te mjeku.

Çfarë e bën një farmacist të jetë më shumë se sa një dhënës barnash të përshkruar në një recete mjekësore?

Farmacisti pa asnjë dyshim luan një rol shumë të rëndësishëm në sistemin e mbrojtjes shëndetësore. Farmacisti zotëron njohuri të thella përsa i përket barnave dhe veprimit të tyre në organizëm, këshillon për dozat, ndërveprimet dhe efektet anësore, mënyra e ruajtjes së barit, tregon kohëzgjatjen e përdorimit të barit, korrigjon gabime të mundshme të cilat janë me rëndësi të madhe për jetën e pacientëve. Përdorimi i duhur i barnave sipas këshillave të farmacistit janë pjesë përbërëse të protokollit shëndetësor për sigurimin e mbrojtjes së shëndetit të pacientëve. Roli i farmacistit është mision primar i praktikës farmaceutike.

Ata janë të përfshirë drejtpërdrejt në kujdesin ndaj pacientit dhe së bashku me mjekët luajnë një rol jetësor në rimëkëmbjen e një pacienti. Duke monitoruar shëndetin dhe progresin e pacientëve, farmacistët mund të sigurojnë përdorimin e sigurt dhe efektiv të ilaçeve. Farmacistët punojnë me orë të gjata dhe duke qëndruar gjithnjë në këmbë në kryerjen me saktësi të punës së tyre. Një profesion që kërkon studime të gjithmonshme, për edukimin e tyre në vazhdim, sepse është një fushë që zhvillohet çdo ditë.

Sipas KODIT TË ETIKËS DHE DEONTOLOGJISË FARMACEUTIKE

Neni 6

Shërbimi farmaceutik thotë:

Farmacisti duhet të ofrojë shërbim të njëjtë për të gjithë, pa dallim moshe, seksi, race, kombësie, feje, pikëpamjeje politike, gjendjeje ekonomike, pozitë shoqërore etj., duke respektuar në të njëjtën kohë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo individi. Në rast lufte apo katastrofash ai duhet të angazhohet menjëherë për të ofruar ndihmën e tij, duke u vënë në dispozicion të autoriteteve kompetente.

Në Farmaci nuk shitet vetëm barna, por bashkë me to jepet mendimi i domosdoshëm profesional në lidhje me barin e përshkruar nga mjeku, që është aq i nevojshëm për pacientin dhe këtë mund ta bëj vetëm farmacisti që ka arsimin 5 vjeçar përkatës, apo specializime të mëtejshme. Për të shpëtuar jetën e pacientit nga një gabim i mundshëm në recetën e përshkruar, janë farmacistët që e konstatojnë dhe komunikojnë me mjekun për ta zgjidhur problemin. Bashkëpunimi me mjeket është një domosdoshmëri për të dyja palët, në drejtim të rritjes së efikasitetit të mjekimit.

Siguria e pacientit gjatë përdorimit të terapisë së udhëzuar varet nga cilësia e shërbimit të farmacistit, që ka ofruar kujdesin e duhur shëndetësor.

Mënyra e komunikimit, besimi i shfaqur dhe vëmendja e kushtuar janë ‘terapi plotësuese’, jashtë kornizës së udhëzuar, po ashtu është e rëndësishme edhe gatishmëria e pacientit që të bashkëpunoj dhe të ndjek udhëzimet e mjekut dhe farmacistit.

Përforcimi i rolit të farmacistit dhe ndikimi i tij vazhdimisht e më i madh mbi sistemin shëndetësor sjell shumë dobi. Dobia është direkte dhe konkrete jo vetëm te pacientët, por më gjerë edhe në sferën shëndetësore dhe shoqërore.

• Më pak gabime dhe ndikime të padëshiruara nga përdorimi i barnave

• Roli i procesit në përdorimin racional të barnave

• Roli në parandalimin e keqpërdorimit të barnave

• Këshilla të dobishme dhe të dhënat për prevenimin e terapisë

• Kursimi i kohës dhe shpenzimeve të pacientit

• Kursimi i mjeteve për sistemin shëndetësor dhe shoqërisë.

Në këtë kontekst, farmacisti nuk është vetëm shitës i barnave, por profesionisti mjekësor, human dhe i përkushtuar, i cili me njohuritë e tij luan rolin e edukuesit shëndetësor të pacientit, këshilluesit dhe mbrojtësit të jetës. Farmacisti ka një profesion të rëndësishëm që meriton vëmendje, respekt dhe mbështetje për t’i dhënë vlerën e duhur.

Farmacisti është ai i cili e jep barin e përshkruar në recetë dhe si i tillë është pjesëmarrës direkt dhe i fundit në zinxhirin e terapisë së përshkruar nga mjeku. Farmacisti në mënyrë direkte ndikon mbi përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientit.

© 2023, Pozitivi. All rights reserved.