Ajo vlen: Një e vërtetë e thjeshtë për t’i dhënë fund praktikave të dëmshme kundër grave dhe vajzave
01/07/2020 Shpërndaje

Ajo vlen: Një e vërtetë e thjeshtë për t’i dhënë fund praktikave të dëmshme kundër grave dhe vajzave

Në një fshat në Nepalin e largët perëndimor, Rachana Sunar luftoi planet e babait të saj për t’u martuar kur nuk ishte as 15 vjeç, duke ndjekur studimet e larta në vend. Sot ajo është një avokate e njohur ndërkombëtarisht, që lufton martesën e fëmijëve dhe përpiqet për forcoimin e të drejtave të grave.

Në Azerbajxhan, ku vazhdojnë të ekzistojnë normat tradicionale shoqërore dhe lindja e një djali përsëri preferohet më shumë përkundrejt një vajze, Janoghlan Ilyasov është një kampion orator i shquar, i cili drejton seminare që inkurajojnë burrat të ndryshojnë qëndrimet e tyre ndaj grave dhe vajzave, duke i ndihmuar të kuptojnë efektet e dëmshme të preferencës së djalit kundrejt vajzës. Por roli i tij më i dashur është të qenurit babai i vajzës së tij një vjeçare.

Megjithëse vendi ku jetojnë dhe gjuhët e besimet e tyre mund të ndryshojnë, Rachana dhe Janoghlan ndajnë një bindje të njëjtë – që vajzat janë të denja për dashuri dhe kujdes, për të pasur mundësitë dhe bërë zgjedhjet e tyre dhe për të vendosur për të ardhmen e tyre.

Por në shumë vende, ka shumë pak njerëz që udhëheqin ndryshimin. Sistemet e besimit të bazuara në pabarazinë gjinore vazhdojnë të formojnë norma sociale dhe praktika të dëmshme, që ia rrëmbejnë vajzave dhe grave aftësinë për të ushtruar të drejtat e tyre dhe për të bërë zgjedhje në lidhje me trupin dhe jetën e tyre.

Martesat  e hershme  të fëmijëve mbeten të përhapura në të gjitha vendet e Eurazisë, nga India, Bangladeshi dhe Nepali deri në Gjeorgji, Turqi dhe Shqipëri. 30 përqind e grave të moshës 20-24 vjeç në Azinë e Jugut, 7 përqind në Azinë Lindore dhe Paqësor dhe 12 përqind në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore janë martuar nën moshën 18 vjeç.

Preferenca e djemve që çon në përzgjedhjen e seksit të njëanshëm të gjinisë është e dokumentuar mirë në Azinë e Jugut, Kinë dhe Vietnam, si dhe në Kaukazin e Jugut dhe një pjesë të Evropës Juglindore – duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në krizën demografike të shkaktuar nga rreth 140 milion “vajza të humbura” globalisht, duke rezultuar në raporte të rrezikshme të burrave me gratë.

Në dekadat e fundit, një numër kornizash dhe marrëveshjesh, të bazuara në barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut, janë përdorur për të luftuar këto praktika të dëmshme, përfshirë këtu edhe Programin e veprimit të ICPD të vitit 1994 ICPD Programme of Action, të dakortësuar nga 179 qeveri me vizionin për të drejta dhe zgjedhje për të gjithë, për të realizuar Axhendën 2030 dhe objektivat për zhvillim të qëndrueshëm.

Avokimi i vazhdueshëm nga shoqëria civile dhe qeveritë, të mbështetur nga OKB, kanë rezultuar n miratimin e ligjeve dhe masave që synojnë të mbrojnë vajzat dhe gratë nga këto dhe dëme të tjera. Megjithëse zbatimi i tyre lë vend për rezerva, kanë ndodhur edhe ndryshime të prekshme me kalimin e kohës.

Ka përparim gradual në adresimin e normave të dëmshme sociale dhe gjinore. Angazhimi i prindërve, komuniteteve dhe udhëheqësve fetarë ka zvogëluar përzgjedhjen e seksit të njëanshëm të fëmijës.

Rritja e vetëdijes së shoqërisë ka lejuar gjithashtu më shumë vajza të shmangin martesat në moshë të hershme, të përfundojnë arsimimin, të shfrytëzojnë mundësitë ekonomike dhe të forcojnë shanset për të arritur potencialin e tyre të plotë.

Ne kemi parë më shumë akses në informacione dhe shërbime thelbësore për vajzat dhe gratë, përfshirë në sferën e shëndetit seksual dhe riprodhues dhe të drejtave riprodhuese.

Shumë qeveri po mbledhin të dhëna më të mira për praktikat e dëmshme, duke forcuar bazën e provave për ndryshime dhe për atë që funksionon në programim në nivel kombëtar dhe lokal.

Por duhet të bëjmë shumë më tepër.

Këtë vit raporti i UNFPA “SWOP2020 – Against Her Will” (“Kundër Vullnetit të Saj”), përqendrohet në praktikat e dëmshme në të gjithë botën dhe ofron disa rekomandime urgjente për t’i trajtuar ato.

Ne kemi nevojë për një qasje të integruar ndaj praktikave të dëmshme – njohjen e shkaqeve të tyre që në rrënjë dhe adresimin e tyre në tërësi, jo të pjesshëm.

Ne duhet ta rikornizojmë narrativin – duke e pranuar në mënyrë të qartë se këto praktika janë shkelje të egra të të drejtave të njeriut, në vend që t’i kalojmë ato si praktika tradicionale apo kulturore, të cilat shpesh përdoren si justifikim.

Po ashtu, duhet të pranojmë në mënyrë të qartë që barazia gjinore është në zemër të çështjes – që mosvlerësimi i vajzave dhe grave është ajo çka mbështet praktikat e dëmshme në nivel global.

Për qeveritë dhe politikëbërësit dhe të gjitha shoqëritë kudo, raporti dërgon një mesazh të qartë: Ajo vlen!

Ne duhet të ndalojmë trajtimin e vajzave dhe grave si mallra që tregtohen apo objekte për t’u kontrolluar dhe t’u ofrojmë atyre të njëjtat të drejta dhe mundësi si djemve dhe burrave.

Komunitetet duhet të mbrojnë të drejtat e barabarta për vajzat, në mënyrë që ato të qëndrojnë në shkollë, të përgatiten për punësim, të mësojnë të bëjnë zgjedhje dhe të krijojnë jetën e tyre.

Burrat duhet të përdorin privilegjin e tyre për të ngritur vlerat e vajzave dhe për të kërkuar trajtim të barabartë të vajzave dhe djemve.

Ekonomitë dhe sistemet ligjore duhet t’u garantojnë të gjitha grave mundësi të barabarta për të ndërtuar një jetë të mirë bazuar në barazi, autonomi, dinjitet dhe zgjedhje të lirë.

Qeveritë duhet të respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare që kanë nënshkruar për të mbrojtur të drejtat e grave e vajzave dhe zgjedhjet e tyre riprodhuese dhe për t’i ndaluar praktikat e dëmshme përfundimisht një herë e përgjithmonë.

Ndërsa shkruajmë këtë, bota jonë vazhdon të luftojë me pasojat e COVID-19. Vlerësimet e UNFPA paralajmërojnë se pandemia do të prishë përpjekjet e planifikuara për t’i dhënë fund martesës së fëmijëve dhe do të shkaktojë pasoja ekonomike të mëdha, me një parashikim prej 13 milion martesash të hershme më shumë globalisht që, në situata të tjera nuk do të kishin ndodhur gjatë periudhës 2020 deri në 2030.

Ndikimi social ekonomik i pandemisë, së bashku me një ndërprerje në zinxhirët e furnizimit të kontraceptivëve, do të kontribuojnë në shtatzënitë e paplanifikuara që, nga ana tjetër mund të përkeqësojnë zgjedhjen e njëanshme të seksit të fëmijës.

Ndërkohë që vendet kërkojnë të “rindërtohen më mirë”, ato duhet t’i vendosin gratë dhe vajzat në qendër të përpjekjeve të tyre.

Nga kriza e tanishme ne kemi një shans për të përqendruar vëmendjen në ndalimin e praktikave të dëmshme një herë e përgjithmonë. Miliona të ardhme varen nga ajo që ne bëjmë në këtë moment. Le të mos e shuajmë këtë mundësi.

Alanna Armitage, Drejtore Rajonale për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore dhe Bjorn Andersson, Drejtor Rajonal për Azinë dhe Paqësorin, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).

UNFPA është agjensia e OKB për shëndetin seksual dhe riprodhues, që kërkon të arrijë zero vdekje amtare, zero nevoja të paplotësuara për planifikim familjar dhe zero dhunë me bazë gjinore e praktika të dëmshme ndaj grave dhe vajzave.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.