“Ende ka jetë”, letra e vajzës së dhunuar përlot sallën
02/02/2018 Shpërndaje

“Ende ka jetë”, letra e vajzës së dhunuar përlot sallën

“Të ndryshëm dhe të barabartë” një nismë në kuadër të së cilës u organizua një aktivitet bamirësie i quajtur “Ende ka jetë”, që bëri bashkë figura të njohura të ekranit dhe qytetarë të thjeshtë, kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Një letër e një vajze të dhunuar, e lexuar nga një prej vipave që u bë pjesë e aktivitetit “Ende ka jetë”, nga Eneda Tarifa ka përlotur të gjithë të pranishmit.

Dhuna ndaj grave është një fenomen prezent në shoqërinë tonë edhe pse po luftohet çdo ditë e më shumë. Kësaj nisme kundër dhunës iu bashkuan personazhë të  njohur të ekranit si Elton Deda, Aurela Gaçe, Juliana Pasha, Kejsi Tola, Olta Boka, e Majlinda Bregu.

Letra e  lexuar nga Eneda: “Unë jam S.

Në fillim ishim të lumtur. U njohëm në Greqi dhe gjithçka mes nesh shkonte për mrekulli. Pastaj, kur mbeta shtatzënë e kur mendoja se do të përjetoja emocionet më të bukura, në pritje të fëmijës së parë, jeta ime u përmbys e u nxi e gjitha.

Ai u bë i dhunshëm dhe shumë i rrezikshëm. Më gjuante, më ofendonte dhe më shfrytëzonte ndërkohë që isha shtatzënë.

Për vite me rradhë jetuam kështu, me dhunë.

Edhe kur erdhi fëmija i dytë, i tretë… asgjë nuk ndryshoi, përkundrazi ai nisi t’i keqtrajtojë edhe ata.

Sillej keq, nuk na donte e na linte edhe pa bukë.

Unë punoja por lekët mi merrte gjithmonë ai.

Kisha frikë dhe nuk kisha mbështetje askënd deri në momentin kur dikush më zgjati dorën dhe më ofroi mbrojtje, mua dhe fëmijëve.

Tani jam këtu, e ndihmuar nga organizata që më riktheu në jetë, ndërsa ai është aty ku e meriton, në burg!

Tani ndjehem e sigurtë. Çfarëdo që të ndodhë, nuk do të dorëzohem më, asnjëherë.”

 

 

 

 

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.