Eldora e “Big Brother” rikthehet: Dhurata e të bërit nënë për së dyti…dhe momenti kur doja të vdisja
19/02/2018 Shpërndaje

Eldora e “Big Brother” rikthehet: Dhurata e të bërit nënë për së dyti…dhe momenti kur doja të vdisja

Eldora Koçi një nga banoret e spikatura në edicionin e 6 të “Big Brother” është bërë nënë për herë të dytë më 2 shkurt të këtij viti. Në një intervistë ekskluzive për pozitivi.org ish-banorja flet për herë të parë që nga koha kur ishte në spektakël. Të bërit nënë për së dyti është një dhuratë që i ka mbushur zemrat familjes së saj plot dashuri. Vogëlushin kanë vendosur ta quajnë Mael, ndërsa kuptimi i emrit është “shef, princ”.

Sekreti i saj në “BB” ishte sëmundja, e cila vazhdon të theksohet nga mediet sa herë flitet për të, por kjo e shqetëson më tepër. Ish-banorja e shpjegon këtë keqkuptim lidhur me sëmundjen gjatë intervistës së dhënë për Pozitivin ndërsa shton se “të trajtohesh në mënyrën e duhur, të bësh kujdes me mënyrën e të ushqyerit, të duash veten dhe personat e zemrës tënde, ta shikosh jetën me optimizëm, bëjnë që të jetosh dhe ta përballosh jetën si gjithë të tjerët”.

Si u njoh me bashkëshortin, marrëdhënia e bukur në familje, eksperienca në “Big Brother”, përballimi i sëmundjes, ëndrrat, ndjesia e të bërit nënë për së dyti dhe gjithçka rreth vetes, Eldora i tregon në intervistën e plotë për pozitivi.org sikur kujtimet, e tashmja dhe e ardhmja janë një thesar i çmuar. Edhe pse biseda u mbështoll me pozitivitetin dhe optimizmin e saj prej nëne, u ndalëm edhe te momentet më të vështira që ka kaluar në jetë. Eldora tregon se momenti kur ndjeu se bota iu përmbys ishte ndarja nga jeta e babait të saj në një aksident në moshë të re.

“Aty ndieja vetëm një dëshirë të vetme, doja vetëm të vdisja! Por nga ana tjetër ishte pamja e vuajtur e nënës time, ajo që më bëri t’i mbledh forcat në çdo kohë dhe kurrë mos të dorëzohem. E di që edhe kur gjithë bota të përmbyset diku dielli do rrezatojë përsëri. Kjo jam unë, gjithmonë e prirur për të gjetur rrezet e venitura të diellit e për t’i bërë ato sa më rrezatuese”, shton mes të tjerash Eldora.

Intervista e plotë për pozitivi.org me Eldora Koçi:

Pozitivi: Para disa ditësh je bërë nënë për herë të dytë. Çfarë ndjesie është për ty? Si e ke pritur?

Eldora: Fëmija i dytë erdhi pak papritur, unë e quaj një dhuratë të shenjte për ne. Që kur mora lajmin se do bëhesha nënë për herë të dytë, zemra mu mbush plot dashuri… uroja dhe mendoja gjithë kohës që çdo gjë të shkonte mirë (ashtu siç edhe ndodhi). Ne datën 02/02/2018 erdhi në jetë ëngjëlli jonë i vogël Mael.

Pozitivi: Dëshironit të ishte djalë apo vajzë fëmija i dytë… ka ndonjë kuptim emri?

Eldora: Për të qenë e sinqertë, unë gjithmonë kam dëshiruar të kem një vajzë por nuk e dija mirë se çfarë lumturie të falin edhe djemtë. Nuk jam mërzitur aspak kur kam parë gjininë e djemve, përkundrazi jam shumë e lumtur! Te voglin tonë kemi vendosur ta quajme Mael, bashkimi i emrave tanë por edhe një ndër emrat më të rinj të përdorur ne Europe vitet e fundit. Kuptimi i emrit Mael është “shef, princ”.

Pozitivi: Ke disa vite e martuar, nga e cila solle në jetë dhe 2 djem. Na fol pak për jetën tënde familjare, si u njohe me bashkëshortin?

Eldora: E ndiej veten me fat që kam pranë një person kaq të veçantë. Jemi njohur para disa vitesh në rrethin tonë shoqëror, pasi mbaroi edicioni i BB6 erdhi shumë papritur dhe propozimi i tij. Që prej asaj kohe nuk jemi ndarë asnjeherë nga njeri-tjetri. Fjalët për të do të ishin të pamjaftueshme, ai është një bashkëshort i mirë dhe një baba i përkushtuar për fëmijët. Me djalin e madh janë shokë të mirë, dalin shpesh bashkë dhe argetohen shumë. Unë ashtu si edhe në familjen ku jam rritur jam shumë e përkushtuar.

Pozitivi: Eldora eci përpara dhe krijoi familjen e saj. A ka qenë e vështirë të hedhësh këto hapa?

Eldora: Ka pasur një keqkuptim lidhur me sëmundjen time! Ka ndodhur ajo për të cilën unë hyra në Big Brother dhe e transmetova si mesazh por që për fat të keq ne nuk kemi një kulturë të mirë shëndetësore dhe mesazhi im është kuptuar saktë vetëm nga një pjesë e vogël e publikut. Kur ma permendin sëmundjen kaq shpesh vërtet që shqetësohem. Më shumë kujdesen portalet, apo gazetat ta përmendin dhe ta bëjnë tragjike se sa unë vetë!!! Kjo është një sëmundje kronike, ka qenë pak e njohur për njerëzit prandaj edhe e kanë parë si diçka të vështirë. E kam theksuar dhe përsëri e theksoj, të trajtohesh në mënyrën e duhur, të bësh kujdes me mënyrën e të ushqyerit, të duash veten dhe personat e zemrës tënde, ta shikosh jetën me optimizëm bëjnë që të jetosh dhe ta përballosh jetën si gjithë të tjerët. Në çdo familje mund të ketë individë me probleme shëndetësore, disa më lehtë e disa më rëndë! Jeta nuk është e sigurt përgjithmonë, sot mund të jesh mirë por nga e nesërmja nuk i dihet se çfarë vjen. Nuk ka qenë e vështirë të krijoj familjen time, kam pranë një person që më bën të ndihem e vlerësuar, solla në jetë dy djemtë e mi ku falë edhe kujdesit të mjekëve çdo gjë kaloi për mrekulli. Nëse është dëshira e mirë çdo gjë përballohet me sukses!

Pozitivi: Historia jote gjatë edicionit të 6 në Big Brother u bë virale sapo u zbulua, si vijon të jetë gjendja shëndetsore tani?

Eldora: Kur unë mendova të futesha ne BB dhe të transmetoja atë mesazh nuk e bëra për vete aq sa e bëra për pacientët e tjerë dhe për të informuar publikun. Kur unë bëra intervisten e parë, askush nuk kuptoi se çfarë sekreti kisha dhe u habitën kur i tregova që kam këtë problem shëndetësor. Unë kam bërë gjithë kohës një jetë normale, studioja dhe punoja njëkohësisht, dilja me shoqërinë por pa lënë pas dhe vizitat mjekësore. Unë në BB doja të tregoja pikërisht këtë, që kjo është një sëmundje kronike, nuk ka asgjë për tu shqetësuar ka shumë personat që na rrethojnë dhe nuk ka asgjë për tu paragjykuar pacientet në zonat rurale. Ne bëjmë një jetë normale, studiojmë dhe punojmë, gjithashtu krijojme edhe familjen tonë. Njerëzit duhet të na kuptojnë, të na pranojnë, të na trajtojnë si gjithë të tjerët. Unë jam mirë ndihem mirë dhe do jem gjithmonë mirë për t’i qëndruar pranë fëmijëve dhe bashkëshortit tim.

Pozitivi: Në periudhën kur mbaroi spektakli ti ishe një nga personazhët më të dashur për publikun, saqë  u preokupuan të të vinin në ndihmë për kurimin e talasemisë. Çfarë ndodhi më pas, cila është marrëdhënia që ke me fansat, a ke mundur ta realizosh operacionin?

Eldora: Vërtet që ka fansa aq dashamirës të cilët dua ti falenderoj nga zemra për vlerësimin. Për sa i përket operacionit është më e mira që mos të kryhet në moshën time. Jep rezultat në moshat pediatrike. Nuk është problem për mua të jetoj kështu, në botë ka kaq shumë pacientë si unë, jetojnë normal, punojnë, kanë familjet e tyre dhe gjithçka shkon për mrekulli!

Pozitivi: Si do e përmblidhje si eksperiencë BB? Ke miqësi ende me ndonjë nga banorët ?

Eldora: Eksperienca në BB ishte tepër e veçantë! Unë nuk jam tipi i televizionev kështu që edhe jam tërhequr nga daljet publike. Misioni im aq ishte! Kam kontakt me dy ose tre persona qe kanë qenë në BB6 por gjithsecili eshte perqendruar ne jeten e tij.

Pozitivi: Në jetë ke pasur ulje dhe ngritje, cilat kanë qenë momentet më të bukura dhe të vështira për ty? Kush ka qenë motiv për tu bërë e fortë?

Eldora: Po kam pasur momente tepër të vështira dhe momente lumturie! Fëmijëria ime ka qenë e vështirë sepse ashtu siç e kam shprehur edhe më parë: në fillim unë nuk jam mjekuar në mënyrën e duhur sepse ende nuk dihej diagnoza ime e saktë. Një ndër momentet më të vështira, atëherë kur ndjeva se gjithë bota mu përmbys ishte ndarja nga jeta nga një aksident i tmerrshëm në një moshë të re e babit tim. Aty ndieja vetëm një dëshirë të vetme, doja vetëm të vdisja! Por nga ana tjetër ishte pamja e vuajtur e nënës time, ajo që më bëri t’i mbledh forcat në çdo kohë dhe kurrë mos të dorëzohem. Kam qenë gjithmonë përkrahja e saj edhe për rritjen e dy vëllezërve më të vegjël. Për çdo gjë nëna ka qenë dhe është motivi im, krenaria ime! Uroj vërtetë që të jem shembulli më i mire i saj edhe për fëmijet e mi!

Pozitivi: Ti ke studiuar për infermieri… pse ndoqe këtë degë dhe sa ke mundur ta ushtrosh si profesion?

Eldora: Unë si fillim jam diplomuar në fakultetin e gjuhëve te huaja, Dega Gjermanisht “Mësuese e gjuhës gjermane”. Më pas kam punuar në sektorin e turizmit. Dëshira për të studiuar në fushën e mjeksisë ishte tepër e madhe kështu që vendosa të studioj për Infermieri të Përgjithshme, më pas vijuan studimet edhe në master shkencor për Infermieri të Përgjithshme. Diplomën e masterit e kam dhënë si provim disa ditë para lindjes së Roenit. Më pas mendova të rritej pak Roeni në mënyrë që edhe unë të interesohesha për një punë të mirë. Papritur, erdhi i vogli jonë kështu që këto dy vite i jam kushtuar tërësisht familjes. Shumë shpejt do i rikthehem kërkimit të një pune të mirë!

Pozitivi: Si do ta përshkruaje me disa rreshta jetën tënde? Çfarë planesh ka Eldora për të ardhmen?

Eldora: Jeta ime ashtu siç edhe e theksuam pak më lartë ka pas momente të vështira dhe momente ngritje. Kanë qenë pikërisht vështirësite që kam përjetuar ato që më kanë bërë të mbledh forcat dhe t’ia dal çdo problemi dhe vështirësie. Jam tepër e guximshme, por mbi të gjitha pozitive dhe optimiste. E di që edhe kur gjithë bota të përmbyset diku dielli do rrezatojë përsëri. Kjo jam unë, gjithmonë e prirur për të gjetur rrezet e venitura të diellit e për t’i bërë ato sa më rrezatuese. Shumë persona më thonë ku e gjen ti këtë forcë, kjo është në karakterin tim, kjo jam unë, e dashuroj jetën kështu që do e jetoj atë në çdo sekondë që do ma fali Zoti.

Pozitivi: Forca dhe guximi janë për t’u vlerësuar tek ty, njëkohësisht për t’u marrë shebull. A ke një mesazh për të dhënë përmes Pozitivit ?

Eldora: Falenderoj nga zemra stafin e Pozitivit, e vlerësoj faktin që më kushtuat pak kohë dhe nuk shkruajtët ashtu si shumë portale të tjera atë çfarë ju mendoni por kërkuat mendimin tim real! Një mesazh për të gjithë do të ishte: Jeta një herë falet prandaj jetojeni atë siç duhet, ajo është sfide dhe kërkon që me optimizëm të përballohet çdo sfidë e re që ajo sjell!

Nga Beklie Koltraka

© 2018 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.