E sulmuan me acid 4 vite më parë në Tiranë, gruaja luftëtare ndryshon rrjedhën e fatit (MESAZHI I FORTË)
31/08/2017 Shpërndaje

E sulmuan me acid 4 vite më parë në Tiranë, gruaja luftëtare ndryshon rrjedhën e fatit (MESAZHI I FORTË)

Historia e saj ndryshoi rrjedhë 4 vite nga sot…

Katër vjet më parë, Vilma Dule, atëherë 26-vjeç u sulmua me acid në fytyrë nga një i panjohur, teksa zbriste nga shkallët e pallatit të shtëpisë. Ishte mëngjesi i 27 gushtit 2013, që i ndryshoi jetën tërësisht të resë, duke e shpërfytyruar, rrezikuar seriozisht shikimin e duke i shkaktuar lëndime të rënda në kraharor dhe krahë.

E rëndë për një vajzë të re por forca e gruas, vullneti i saj i hekurt dhe dëshira për një jetë të bukur duke e lënë pas të shkuarën e riktheu atë pas 4 vitesh, shkruan pozitivi.org. Vilma mbrëmjen e djeshme përcolli një mesazh të fortë në rrjete sociale duke u përballuar me komentet më dashamirëse të ndjekësve dhe miqve të saj.

Të gjithë në këtë botë jemi luftëtarë, përballemi me situata të vështira, të rënda e tragjike por përsëri pas një dite, muajsh ose pas disa vitesh e rigjejmë forcën për të vazhduar. Forcën e gjejmë tek ata që na mbështesin, tek të dashurit tanë dhe gjërat e bukura që të ofron jeta në vazhdim. Kështu ndodhi dhe me vajzën në fjalë.

Ndaj “luftëtarja” Vilma, e gatshme të ndryshojë rrjedhën e fatit, i ka përshëndetur miqtë në këtë mënyrë: “Përshëndetje Luftëtarë, Sot më keni dërguar një pafundësi mesazhesh kuptimplotë, ku më përgëzonit për forcën që kam treguar për të përballuar atë sulm, aq të ashpër dhe të pa besë”.

Në fakt i pabesë ishte sulmi… Befasisht dikush u shfaq në një nga rrugicat përballë fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë, në kohën kur Vilma po zbriste nga pallati për të shkuar në punë. 30 vjeçarja atëherë  punonte si administratore në një Call-Centre, ndërsa gjatë 4 viteve nuk dihet se çafrë ka ndodhur ekzaktësisht me të, derisa papritur përcjell këtë mesazh shumë shpresëdhënës që duhet lexuar nga të gjithë.

Vilma, gruaja që nuk u dorëzua kurrë, që ndryshoi  rrjedhën e fatit, e cila dashuron vragat në fytyrën e saj sikur të ishin rrënjët  e saj… “Unë jam Vilma Dule dhe kjo është historia e një gruaje që nuk u dorëzua kurrë”.

 

Mesazhi i plotë:

4 vjet më parë, më 27 gusht 2013, një burrë më sulmoi me acid teksa po dilja nga shtëpia për të vajtur në punë. Ishin të shumtë ata që mendonin se s’do t’ia dilja të ringrihesha pas kësaj goditjeje të rëndë.

Nuk e mohoj, e kam menduar dhe vetë ndonjëherë këtë gjë.

Por, sa herë që isha gati të dorëzohesha, i kujtoja vetes se sa e bukur ishte dhurata e të rilindurit për herë të dytë dhe që nuk duhej ta “shpërdoroja” duke u ankuar e duke qarë për fatin tim të hidhur.

Përkundrazi, duhej të luftoja për të ndryshuar pikërisht atë, rrjedhën e fatit.

Sot, pas 4 vitesh, jam një grua e vetëdijshme për forcën e saj, sepse e di që limitet e vërteta janë ata që ne i vendosim vetë vetes.

Sot, jam një grua që nuk ka më dëshirë të fshihet, sepse nuk ka më frikë.

Sot, jam një grua që ka zgjedhur të mos frikësohet nga stereotipet e bukurisë, sepse e di se bukuria e vërtetë i përket atij që ka një shpirt të pastër dhe që është në paqe me ndërgjegjen e vet.

Sot, jam një grua që i dashuron vragat në fytyrë sikur të ishin rrënjët e saj.

Unë jam Vilma Dule dhe kjo është historia e një gruaje që nuk u dorëzua kurrë.

Përshëndetja e dytë:

Përshëndetje Luftëtarë,

Sot më keni dërguar një pafundësi mesazhesh kuptimplotë, ku më përgëzonit për forcën që kam treguar për të përballuar atë sulm, aq të ashpër dhe të pa besë.

Shumë prej jush më pyetën se cili ishte burimi i forcës sime? Nga vinte gjithë kjo kurajo?
Çfarë mund të them???

Mund t’ju shkruaj që për të përballuar cdo vështirësi që na vjen përpara, në fillim duhet të mësojmë të jemi:
“Mirënjohes”.
Mirënjohës ndaj të qenurit akoma në jetë.
Mirënjohes ndaj gjërave të thjeshta që na rrethojnë dhe ndaj gjesteve të përditshme që i marrim për të mirëqena.
Mirënjohës ndaj kësaj dite që kaloi dhe faktit qe sot punuat,
u kujdesët për femijët apo që keni miqtë dhe familjen pranë..
Cfarëdo që të keni berë sot, me siguri, ka patur dicka për të qenë mirënjohës. Vetëm në ketë menyrë mund të fillojmë ti shikojmë problemet si zgjidhje dhe jo si pengesa të pakalueshme.

Gëzojuni të gjitha gjërave të bukura, përballuni me ato të shëmtuarat, me bindjen se ato erdhën për të na mësuar diçka që nuk e dinim më parë.

Unë sot, JU JAM MIRENJOHESE JUVE, sepse më keni rrethuar me lavda dhe krenari.
Ma bëtë diten më të bukur, ndjesitë janë unike.

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.