“E keqja dhe e mira” e vetëcensurës
13/12/2017 Shpërndaje

“E keqja dhe e mira” e vetëcensurës

Nga Ramadan Çipuri

Vetëcensura është nga ato terma të cilët sa herë dëgjohen apo rastisen, të ushqen ndjesinë e diçkaje të keqe e të padëshiruar për askënd. Debate, diskutime e studime nga më të ndryshmet janë zhvilluar rreth vetëcensurës. Shkrimtari i njohur serb i shek.20-të, Danilo Kish vlerëson se vetëcensura është leximi i tekstit tënd personal me sytë e huaj, kur ju vetë bëheni i vetëgjykuar, madje i vetëgjykuar më ashpër, se sa ndonjë tjetër, përderisa e dini edhe atë, të cilën censuruesi asnjëherë nuk do ta zbulojë në tekstin tuaj, pra, atë për të cilën ju keni heshtur dhe të cilën ju kurrë nuk do ta hidhni në letër, por, që juve ju duket se ka mbetur ‘ndërmjet rreshtave’. Prandaj censuruesit të përfytyruar ju i vishni dhe të atilla atribute, që vetë nuk i keni. Kështu sozia juaj ju përndjek mendimet deri në absurd, deri në ekstrem, atje, ku gjithçka është e luhatshme, e pasigurtë, ndërsa shtegdalje nuk ka: diçka e rrezikshme dhe ndëshkuese ju pret.

Kjo ndjesi nuk ndryshon edhe për gjëra që s’kanë të bëjnë me të shkruarin, por me përditshmërinë e çdo qytetari. Vetëcensura dhe censura kanë qenë objekt studimesh edhe në fushën e sociologjisë dhe të psikologjisë. Vetëcensura vërtetë është frenim, por në kushte të caktuara ajo mund të konsiderohet si një indikator me ndikim pozitiv. Detyrimi dhe dëshira për të qenë pjesë e një komuniteti social, zbatimi i rregullave të përbashkëta, nderimi që mund t’i bëhet familjes apo komunitetit, detyrimi për të zbatuar kode deontologjike dhe etike në ambientet e punës, e shumë arsye të tjera si këto, janë faktorë që ndikojnë në vetëcensurimin e individit dhe profesionistëve në përditshmërinë e tyre, që ndikojnë, madje pozitivisht. Pra, në këto kushte, vetëcensura kthehet në një rregullator të mënyrës së jetesës për gjithkënd.

Profesori i psikologjisë sociale në Universitetin e Standford-it, Dale T. Miller, në librin e tij “Një ftesë për në psikologjinë sociale” trajton hollësisht shumë aspekte mbi censurën dhe vetëcensurën. Sipas tij, vetëcensura është e mirë dhe e keqe. Sigurisht që ka akte të vetëcensurës që pasqyrojnë një dështim të vullnetit, por ata reflektojnë praninë e fuqisë së vullnetit dhe nxisin guximin mbi dobësinë. Që njerëzit të negociojnë në mënyrë të suksesshme me botën e tyre sociale, ata duhet të kenë aftësinë për të shtypur ndjenjat dhe mendimet e tyre private, dhe, po aq e rëndësishme, të fshehin faktin se ata po bëjnë këtë gjë… Gjithashtu Vetëcensura është thelbësore për mirëfunksionimin normal të shoqërisë. Jeta e civilizuar nuk do të ishte e mundur nëse njerëzit nuk do të ishin të aftë dhe të gatshëm për të censuruar ndjenjat e forta të tyre antisociale, – thekson Miller.

Koncepti i të mirës dhe të keqes evidentohet në plan teorik dhe jo vetëm sa herë që merren në analizë sjellje njerëzore dhe situata të caktuara në shoqëri. Kjo do të thotë se në përcaktimin ose formulimin e përmbajtjes së tyre duhet mbajtur parasysh edhe sfondi politik, ekonomik e shoqëror, ku nuk duhen harruar periudhat historike të njerëzimit. Në këtë kuptim, mund të thuhet se nëse një element i jetës është konsideruar për një kohë të gjatë si diçka jo e mirë, jo e rregullt apo korrekte, në situata të tjera mund të ketë konotacion krejt të ndryshëm. Media jonë nuk mund të diskutonte para viteve ’90 për bashkëjetesën, një koncept ky i dënuar nga ligji dhe shoqëria, ndërkohë që sot një fenomen i tillë i përhapur gjerësisht konsiderohet dhe trajtohet mediatikisht si diçka e zakonshme.

Duke e parë vetëcensurën në këndvështrimin pozitiv, mund të thuhet që individët kanë dy lloj komunikimesh, njëri privat dhe tjetri publik. Në komunikimin publik njerëzit janë më të kujdesshëm. Sigurisht, kjo vlen edhe për gazetarët. Duke qenë edhe persona publikë, fjala e tyre ka edhe më shumë rëndësi se e një qytetari tjetër në një ambient publik. Pra, bëhet fjalë për përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë personale të gazetarit përballë mjetit që ka në dorë, që mund të jetë kamera, aparati regjistrues, teksti, raportimi me gojë etj..

Është me interes të theksohet se në planin e komunikimit ndërpersonal apo në grupe, vetëcensurimi mund të shfaqet në formën e “taktit”, pra si një mosartikulim i drejpërdrejtë i detajeve apo fakteve që mund të cenojnë grupin. Ky lloj vetëcensurimi mbetet tipik për periudhat diktatoriale, ku artikulimi i hapur pasohet nga ndëshkimi i shtetit. Si një vetëruajtje, kjo lloj vetëcensure ka qenë tipar i komunikimit, si për njerëzit e medias, ashtu edhe për masat e gjera të popullsisë.

Parë në aspektin e funksionimit të shoqërisë dhe të medias si pushtet, vetëcensura duket se mund frenojë sjellje të caktuara sociale dhe mund të ushqejë sisteme të caktuara shoqërore duke e mbajtur ngrehinën e tyre mbi këmbët e censurës, duke imponuar dhunshëm mendime, ide e veprime (rasti i sistemeve totalitare, fashiste, naziste, komuniste si dhe i diktaturave e grupeve ekstremiste, të shfaqura deri në ditët tona). Por, ka edhe dhumënga ata studiues që mbrojnë tezën se vetëcensura mund të kontribuojë për të mirën shoqërore, në respekt të normave kulturore, sociale e psikologjike, rregullave deontologjike dhe etike, të detyrueshme për t’u zbatuar, si formë e funksionimit të një sistemi rregullash të pranuara nga institucioni ku bën pjesë.

Por, kur bëhet fjalë për media, këtu duhet vënë në dukje fakti se praktikimi i vetëcensurimit për të qënë konform praktikës dhe deontologjisë profesionale të mediumit, pavarësisht asaj që diktojnë faktet, ngjarjet, pavarësia e gazetarit, reagimet e opinionit publik, ka efekte shqetësuese. Ato reflektohen në pasqyrim, në ruajtjen e standardeve profesionale që bëjnë dallimin mes gazetarëve dhe qytetarëve gazetarë, të cilët debutojnë në mediat klasike e ato të reja.

Në vijim, vlen të shikohet mënyra se si Sigmund Frojd e ka analizuar çështjen përmes një koncepti psikologjik, pra përmes raportit të tabusë ndaluese dhe frustrimit, raporti midis moralit dhe jetës instiktive psikologjike.

Në librin e tij Totem dhe Tabu, kur flet për frikën nga inçesti, Frojdi, teksa analizon indigjenët e Australisë, të cilët sipas tij konsiderohen si një racë e veçantë që nuk paraqet asnjë ngjashmëri fizike apo gjuhësore me fqinjët e tyre më të ngushtë, thekson se në kushtet në të cilat ata jetojnë padyshim që nuk mund të presim që jeta e tyre seksuale të jetë sipas moralit tonë, ose që instiktet e tyre seksuale t’u nënshtrohen kufizimeve më të rrepta. “E megjithatë, ne mësojmë se me një përkujdesje të jashtëzakonshme dhe me një rreptësi të mundimshme, ata i kanë vënë vetes si qëllim shmangien e marrëdhënieve seksuale inçestuale. Kjo deri në atë pikë sa krejt organizimi i tyre shoqëror duket se i shërben këtij qëllimi ose lidhet ngushtësisht me përmbushjen e tij.”, thekson Frojdi.

Për Frojdin, nënvetëdija si nocion është kategori fundamentale e psikanalizës. Duke konsideruar se baza e tërë jetës është në sferën e cila është krijuar duke prapsur instinktin (para së gjithash atë libidinoz) në sferën e nënvetëdijes, ai pohon se pikërisht kjo sferë përcakton të gjitha aktet tona të vetëdijshme. Sipas Frojdit, të prapsurit, mosplotësimi i kënaqësisë së plotë të instinkteve seksuale rezulton me neuroza të ndryshme, eksese patologjike, gabime në shkrim dhe në të folur e të tjera. Zbulimi i sferës së nënvetëdijshme nga Frojdi, duket se paraqet një zbulim jashtëzakonisht të rëndësishëm, sidomos për shpjegimin më të thellë të disa fenomeneve jo vetëm psikike, por edhe të përgjithshme kulturore.

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.