“Besimi, pafajësia dhe dashuria e një fëmije është e pamatshme”
Një oficer i policisë në Karolinë të Jugut bëri një mik të ri javën e kaluar, kur një djalë i vogël e falënderoi për shërbimin që ofron. Terence Brister, oficeri i Departamentit të Policisë Greenville, shkroi në Facebook se djali i vogël iu afrua në restorant për ta falënderuar. Për ta falënderuar fëmijën, për një gjest të tillë, oficeri tha se e mori në banak dhe i bleu një ëmbëlsirë.
“Ai është një arsye më tepër që unë kam shërbyer në USMC, Policinë e Shtetit dhe tani në Policinë e Qytetit. Besimi, pafajësia dhe dashuria e një fëmije është e pamatshme”, shkroi polici në rrjete sociale. “Në një botë që ndahet në tension racial, paragjykime dhe diskriminime, pse të rriturit nuk mund të jenë më shumë si fëmijët. Ai nuk pa nëse jam i bardhë apo i zi, por vetëm një oficer në zbatim të ligjit të cilin e quajti hero”.
Brister falenderoi prindërit e djalit se kanë rritur një fëmijë që i do të gjithë. Ndërkaq oficeri shkruan se pavarësisht nga ndjenjat negative të disa njerëzve ndaj zbatimit të ligjit, “ditë si kjo më kujtojnë se ka nga ata që e duan, nderojnë dhe respektojnë simbolin dhe uniformën.”
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
