E ardhmja e gazetarisë, në dorë të praktikës së studentëve?
08/05/2023 Shpërndaje

E ardhmja e gazetarisë, në dorë të praktikës së studentëve?

“Besoj se një gazetari e mirë, një media e mirë mund ta bëj botën më të jetueshme”

Christiane Amanpour

Në kohën kur përdoruesit e teknologjisë janë rritur në mënyrë masive, raportues për ndodhitë më të fundit mund të jenë dhe qytetarët, duke u përfshirë në këtë formë në rolin e gazetarëve edhe pse në mënyrë amatore. Cilësia është në pikëpyetje kur gazetarët ngrenë dyshime nëse gazetaria po vdes apo mund të bëhen përpjekje për ta shpëtuar atë nga fluksi i pakontrolluar i informacionit, fake news, liria e medias shpesh herë në pikëpyetje dhe vendimet e pandikuara nga interesat e pronarëve.

Në këtë analizë të situatës mediatike, studentë të gazetarisë apo edhe ata që studiojnë në fusha të tjera, por që e gjejnë më mirë veten në gazetari mund të kenë skepticizëm nëse gazetaria e vërtetë, ajo cilësore, ajo raportuese në terren është në grahmat e fundit apo do të mbijetojë edhe në këtë sfidë të aktualitetit ku mënyrat e komunikimit janë rritur ndjeshëm dhe gjithçka po orientohet drejt teknologjisë.

Mediat vizive dhe radiofonike nuk kanë një reduktim kaq të madh të përdoruesve (audiencës) sa shtypi, i cili po përshtatet me formatin online. Por vënia e prioriteteve nuk po shkon drejt informacionit, por drejt titujve tërheqës, emisioneve dhe spektakleve me përmbajtje komerciale që shtojnë klikimet dhe si pasojë të ardhurat në portofolin e medias.

E sigurt është që gazetaria, është një profesion që pëson ndryshime të mëdha e të shpejta, dhe në diskutimet apo studimet botërore nuk po shfaqet pasiguria që ajo po “vdes”.

Në auditoret e universitetit të Tiranës takon të rinj të talentuar që e duan të shkruarën, gazetarinë dhe janë të përkushtuar për të përftuar dije nga ambientet më të rëndësishme të edukimit. Të tillë janë Nevila Filipaj, Justina Sinani, Kida Koçomani, Arta Haxhiu, Emanuel Loci, Ermelinda Zefndoja etj, që vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Jo të gjithë kanë zgjedhur gazetarinë si degë studimi, por janë të apasionuar pas të shkruarit dhe duan të bëjnë, siç ata shprehen, gazetari cilësore.

Në kuadër të titullit “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” u krijua “Akademia e gazetarëve të rinj” me një qasje thellësisht ndihmuese ndaj studentëve që studiojnë për gazetari, shkenca komunikimi e më gjerë, por që e gjejnë veten në gazetari, duke i aftësuar ata përmes 93 orëve të teori dhe praktikë në bërjen e një gazetari objektive, të paanshme përmes teknikave të ndjekura në realizmin e një produkti televiziv, artikujve në mediat online etj.

Të rinjtë ndërvepruan duke shkëmbyer përvojat e tyre, duke referuar eksperiencat më të mira dhe duke biseduar për mangësitë në mënyrë të tillë që ajo që nuk ishte përfituar deri tani në auditoret universitare të përftohej, duke ndërthurrur orët praktikë-teori. E gjitha kjo me një qëllim kryesor, për të qenë më afër tregut të punë përmes aftësimit profesional.

Përmes kurrikulave të Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, studentët njihen me mënyrën e të shkruarit të lajmit, të raportuarit, elementët e tjerë të formimit gazetarisë. Por mangësitë më të mëdha i ndjejnë në zhvillimin e orëve të kufizuara praktike. Por ajo që u theksua nga studentët dhe që u përkthye në punë konkrete nga mentorët është nevoja e praktikës dhe e nxitjes së këndvështrimit kritik të lajmit. Praktika në ambientet mediatike si në televizione dhe në redaksitë e mediave online i ndihmoi ata për të mësuar realisht bazat më të shëndosha të gazetarisë. Në këto redaksi ata patën mundësi të ndjekin nga afër të gjithë procesin e përgatitjes se materialeve televizive.

Puna dhe iniciativa e Akademisë së Gazetarëve të Rinj nuk ka për qëllim mbivendosjen e njohurive që studentët i marrin nga auditoret e universiteteve, ku profesorët e njohur japin maksimumin e tyre. Por qasja e kësaj iniciatiave është se si t’i ndihmojë këta të rinj të afrohen më tepër drejt tregut të punës duke u bërë pjesë e neës room-eve dhe duke punuar me reporterët në terren, eksperiencë kjo që ka munguar dhe mungon për studentët e gazetarisë.

Zylyftar Bregu, profesor me një eksperiencë të gjatë në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Departamentin e Gazetarisë shpreh bindjen se stafi pedagogjik në këtë fakultet është duke bërë maksimumin dhe është tërisht i dedikuar që studentët të përfitojnë dijen e tyre duke besuar në vlerësimin dhe diplominin e tyre.

Zylyftar Bregu :

“Studentët dalin të gatshëm nga auditorët e universitetit për punë sepse kur dalin nga auditorët  dalin me vlerësim dhe hirearki
problemi është se redaksitë nuk e shohin këtë hiearki të universiteteve. Edhe përsa i takon teknologjisë si një sfidën e ditëve të sotme përmes kurrikukave, pedagogu Bregu thotë se Universiteti i Tiranës është pararojë e institucioneve të tjera të arsimit të lartë në këtë drejtim”.

Kryetari i Unionit të Gazetarëve në Shqipëri, me një eksperiencë të gjatë edhe në gazetari, Aleksandër Çipa evidentoi faktin se universitetet në Shqipëri arrijnë të diplomojnë të rinj ekselentë udhëhequr nga dëshira për të qenë pjesë aktive e medias me bazat teorike të marra në auditore për të bërë gazetari cilësore.

Aleksandër Çipa:

Nëse për edukimin, nxënien dhe përvojën e marrë në auditore ekspertët argumentojnë me optimizëm se kurrikulat janë ndër më të mira, ajo që realisht kërkon një nevojë urgjente për t’u rishikuar me besimin se do të përmirësohen mundësinë e të bërit gazetari të paanshme është praktika në terren.

Fakulteti, sipas kurrikulës, ofron praktika në ambientet e universitetit që kryesisht janë të përqendruar në radio apo në njohjen e programeve më të mira e bërjes së gazetarisë online por praktikat në mediat e tjera si ato vizive, të shkuarit dhe të punësuarit në redaksitë e mirëfillta lajmesh mungojnë.

Nuk ka organizata mediatike, apo vetë media të përfshira në një proces rekrutimi të studentëve të gazetarisë për të bërë praktikën dhe për të parë mundësinë e punësimit të tyre në redaksi mediatike.

Akademia e Gazetarve të Rinj” erdhi si një iniciativë për të ndihmuar studentë të gazetarisë dhe të rinjtë për t’u përfshirë në trajnime, mentorimin dhe aftësimin e studentëve për të mësuar bazat e gazetarisë dhe për të qenë në redaksitë e mediave për të parë nga afër procesin e punës të një gazetari në varësi të sektorit që ai mbulon.

Akademia e Gazetarëve të Rinj përmes ndërthurjes së orëve teorike dhe praktike u mësoi të rinjve konceptet bazë të gazetarisë, aktualitetin, kërkesat e dhomës së lajmeve (neës room), si të bëjnë një raportim të saktë, objektiv duke e kombinuar atë me raportimin për televizionet, radio. Gjithashtu, ata u njohën me teknologjinë, mënyrën se si  ndryshon ajo në shpejtësinë dhe përhapjen e lajmeve.

Në vijueshmëri të parimeve kryesore të strukturës së lajmit 5 Ë + 1 H, studentët morën, jo vetëm njohuri me respektimin e strukturës për të ndërtuar një lajm, por mësuan dhe mbi ndikimin e lajmit dhe faktin që në gazetari duhet të kenë në konsideratë gjithmonë se sa njerëz ndikohen nga ajo ngjarje ose nga një ide kur ai nis të punojë dhe të shkruaj mbi të.

Targetimi i audiencës dhe i lajmeve, parimet e objektivitetit, paanshmëria, burimet e nevojshme dhe mënyra se si duhet të trajtohen lajmet që prodhohen nga konflikti – lajmet patriotike, tragjeditë, dramat që janë dhe më specifike dhe deklaratat dhe qëndrimet e partive politike nga selitë e tyre.

Studentët, gazetarët e rinj gjatë orëve të teorisë u trajnuan se si të shkruajnë një lajm përmes zgjedhjes së të dhënave rastësore, si dhe punuan me zërin si një element shumë i rëndësishëm për leximin e lajmeve nga narratori.

Në ditët e sotme kur teknologjia luan një rol të rëndësishëm në jetën e përditshme dhe padyshim dhe në të bërit gazetari, të rinjtë që u përfshinë në këtë projekt u njohën me platformat multimediale, duke përfshirë mediat digjitale, të shkruara dhe sociale, si dhe një hyrje në njohuritë e ligjit të medias.

Përmes këtij programi, studentëve iu krijua mundësia të zgjidhnin median ku donin të shkonin, përzgjodhën sektorin ku donin të zhvillonin praktikën dhe të merrnin njohuritë e tyre në mbikëqyrjen e gazetarëve, mentorit dhe kryeredaktorit apo drejtorit të informacionit.

Në zhvillimin e praktikës studentët mësuan se sa e rëndësishme është të krijojnë modelin e tyre të të shkruarit dhe raportuarit të lajmit duke mos bërë kompromis mbi parimet profesionale si; besnikëria ndaj qytetarëve, që do  të thotë të paktën dy burime për të referuar, disiplina e verifikimit, ruajtja e pavarësinë, përtej përpjekjeve për intimidim nga aktorë direkt dhe indirekte si dhe shkrimi dhe raportimi në mënyrë të pavarur nga qeveria, opozita apo grupet e tjera parlamentare politike.

Të rinjtë u testuan se si të shkruanin një lajm mbi këto parime ku në thelb të dëshmonin se lajmi i tyre kishte një qasje kritike ndaj fenomeneve sociale të paluftuara nga mekanizmat shtetërore dhe institucionalë, si dhe të shmangnin anën emocionale, qëndrimet emotive.

Qëllimi i trajnimeve dhe i nxitjes së profesionalizimit synoi që studentët të njihnin dhe të provonin të shkruanin për mediat online, artikuj për mediat print, kronika televizive me qëllim që të provonin këto formate mediatike dhe të orientoheshin më qartësisht, jo vetëm drejt tregut të punës, por dhe aty ku ata mund të japin maksimumin e tyre.

Të rinjtë mësuan se si të ndërtonin një kronikë televizive. Stili i të shkruarit për televizion është shumë ndryshe nga shkrimi i një lajmi për mediat online, radion apo median e shkruar. Studentët në këtë rast mësuan rëndësinë që ka imazhi, mënyra se si duhet të përzgjidhen planet për ndërtimin e një kronike televizive.

Në realizimin e një kronike televizive, studentët ndërtuan skicën e lajmit duke përfshirë harkun e përgjithshëm të historisë dhe detajet që përfshinë imazhin, intervistën, stand up që ata mendonin të përfshinin në materialin e tyre. Përcaktuan temat dhe çështjet që duhet ndiqnin, si dhe personazhet që do të përfshinin në subjekt.

Personazhet ( të intervistuarit) duhet të ishin bindës, të qartë dhe unik. Studentët mësuan se si duhet të ideojnë dhe vizualisht kronikën, pra mënyrën se si duhet të përzgjedhin planet. Se si duhet të realizojnë një kronikë duke përfshirë tekstin dhe pasazhe apo sinkrone nga individët e përfshirë në historinë e tyre. Mësuan mbi këndvështrimet e ndryshme, pra përfshirjen e personazheve, mendimet që ata japin e bëjnë kronikën më të larmishme dhe interesante.

Puna me studentët u nda në dy drejtime. Në aspektin teorik ku ata morën disa koncepte bazë dhe më pas në atë praktik.  

Përsa i takon praktikës në terren, studentët u ndanë në grupe dhe vizituan televizione dhe redaksitë e mediave online. Disa prej tyre ishin në ambientet e televizionit Kombëtar Klan për të ndjekur nga afër mënyrën se si gazetarët punojnë në një ditë normale pune, por edhe duke u përfshirë vete dhe duke asistuar nga gazetarët e fushës. Në këto praktika ata mësuan realizimin e intervistave dhe stand up, rikthimin dhe punën në montazh për të arritur në produktin final në publikimin e kronikës.

Ndërsa një grup tjetër ishin në ambientet e televizionit Fax Neës për të zhvilluar aty praktikën e tyre profesionale sipas sektorëve që përzgjodhën.

Studentë të tjerë zhvilluan praktikat në Agjencinë Telegrafike Shqiptare si dhe në median online Albanian Post. Nën mbikqyrjen e drejtuesve të medias dhe të mentorëve, të rinjtë shkruajtën artikujt dhe i publikuan në emrin e tyre duke ndjerë në këtë moment edhe rezultatin konkret të punës së tyre.

Në kohën kur mediat ecin drejt ritmit të shpejtë të kapjes së lajmit në vendngjarje pa pritur përpunimin e materialit në dhomat e neës-roomit dhe montazhit, gazetarët për efekt shpejtësie dhe kohe përdorin stand up që mund të montojnë në kronikat e tyre por edhe stand up që mund të kalojnë direkt në transmetim.

Për t’i përgatitur këta të rinj drejt kërkesave të mediave dhe të tregut, studentët mësuan dhe praktikuan stand up për orë të  tëra duke testuar vazhdimisht, jo vetëm se si është stand up, por mënyrën se si realizohet ai dhe se sa i rëndësishëm është ai në përcjelljen e informacionit bazë apo mënyrën se si duhet të integrohet në kronikë apo në reportazhin përkatës.

Në përshtatje të zhvillimeve teknologjike dhe kalimin e gazetarëve nga ato print në ato online, për studentët e gazetarisë dhe ata që duan të angazhohen në gazetari me rëndësi është të mësojnë dhe të jenë të përgatitur për të shkruar në median online.

Mediat online duan një artikull të strukturuar që në paragrafët e parë të thotë gjithçka, titulli të jetë tërheqës po jo jashtë kontekstit dhe fotografia të jetë e zgjedhur.

Studentët mësuan se mediat online janë në betejën e tyre të klikimeve ndryshe nga mediat tradicionale si televizioni dhe radio, në mediat online ku ka më shumë mundësi të shkruash më gjatë dhe të shtjellosh temën.

Studentët u praktikuan se si të shkruanin një artikull në mediat sociale (ëeb, instagram, facebook). Në këtë rast duke kuptuar audienca e synuar, rëndësia e lajmit për lexuesit, ofrimi i zgjidhjeve efektive për problemet me të cilat ata po luftojnë.

Ky program trajnimi ndihmoi studentët të kenë një qasje më të saktë ndaj tregut të punës. Ashtu siç shprehen dhe pedagogët dhe njohësit e gazetarisë duhet bërë më shumë në nivel institucionesh akademike dhe më gjerë që studentët e gazetarisë të përfshihen në shumë orë praktike pasi gazetaria në vetvete mësohet në terren.

Të rinjtë shprehen në fund të këtij projekti se ai i ndihmoi të ishin më afër tregut të punës, të kishin eksperiencën për të parë se si punohej në mediat e vendit tonë, të dilnin në terren me reporterë dhe të ndërtonin kronikat dhe artikujt e tyre.

Nëtë rrugëtim profesional me të rinjtë, doli edhe njëherë në pah domosdoshmëria për përfshirjen praktike të tyre në media.

 “Ky projekt/aktivitet organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.”

#tirana  #youth  #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022  #ActivateYouth #EuropeanYearOfYouth

© 2023, Pozitivi. All rights reserved.