Dermatalogia Amarda Cenko: Ekspozimi pa kriter në diell rrezik për kancer të lëkurës
07/06/2022 Shpërndaje

Dermatalogia Amarda Cenko: Ekspozimi pa kriter në diell rrezik për kancer të lëkurës

Vera është një kohë e vështirë për lëkurën. Dëmet nga rrezet e diellit mund të jenë të parikuperueshme, sidomos në lëkurën tuaj. Rritja e temperaturave gjatë muajve të verës, e kombinuar me lagështi dhe ngrohje, mund të rrisë aktivitetin e gjëndrave dhjamore. Kjo e bën lëkurën me vaj të duket më e hollë dhe lëkurë e thatë. Intensiteti i rrezeve te diellit gjithashtu mund të prodhojë pigmente me melanin. Dermatologia Amarda Cenko në një intervistë për pozitivi.org vë në dukje rrezikshmërinë që sjell ekspozimi i tepruar në diell, por dhe se si mund të mbrohemi gjatë stinës së verës.

1-Kemi hyrë në një stinë e cila na ekspozon ndaj rrezatimeve të forta të diellit. Sa të dëmshme janë këto rreze dhe si mund të mbrohemi nga rrezet e diellit aq të dëshiruara në këtë kohë?

– Dëshira për ngjyrën e bronztë të lëkurës dita – ditës është kthyer në një trend bukurie, vecanërisht në dy dekadat e fundit. Kjo është shoqëruar me ekpozimin pa kriter ndaj rrezatimit natyral ultraviolet në diell, por edhe atij artificial në qendrat ku bëhen solare. Këto përbëjnë sjelle, ndaj të cilave lëkura vuan si: tharje e lekurës, plakje e parakohshme, shfaqje e njollave në lëkurë, e deri tek më e rrezikshmja formim i kancerit të lëkurës. Përballë këtij ekspozimi është e nevojshme të praktikojme disa masa mbrojtëse: aplikimi i rregullt i kremit me filtër mbrojtës 30 e sipër, mbajtja e kapeles, syzet, qendrimi në hije etj.

2-A na mbron kremi i diellit dhe sa?

-Përdorimi i kremit me filtër mbrojtës, është kyç në mbrojtjen e lëkurës sonë. Në bazë të llojit dhe karakteristikave të lëkurës, mund të zgjidhen kremra me filtra fizike, kimik ose hibride (filtra të përzier). Mbrojtja e fytyrës duhet të aplikohet çdo ditë të vitit (edhe në dimër), përpara fillimit të aktivitetit të ditës. Në ditët e nxehta të stinës së verës ku dielli ka intensitet më të lartë, mbrojtja duhet të jetë më rigoroze. Filtrat mbrojtës duhet të jenë nga faktori 30 e sipër. Nëpërmjet filtrave fizike, krijojmë efektin barrierë ku, rrezet ultraviolet nuk arrijnë të depërtojnë lëkurën. Ndërsa nëpërmjet filtrave kimike, rrezatimi ultraviolet pëson përthyerje, duke tejçuar shtresat e lëkurës, por në formë të dobësuar, pa e dëmtuar atë. Filtrat mbrojtes janë tregues matës se sa gjatë mbrohet lëkura nga djegia nga dielli në krahasim me mungesën e aplikimit të kremit fotombrojtës. Kremrat duhet të jenë me spektër të gjerë veprimi, për të na mbrojtur nga rrezet UVA dhe UVB.

3-Cili është orari më i përshtatshëm për të marrë rrezet e diellit?

-Fasha më e rekomanduar është ajo e orëve të paradites deri në mesditë, për të vijuar me orët e pasdites ku intensiteti i rrezatimit është i moderuar.

4-Uji i detit dhe uji i pishinës, si ndikojnë në lëkurë?

Rënia në kontakt e lëkurës me ujin e pishinës mund të shoqërohet me irritime, skuqje, apo infeksione të lëkurës, bakteriale apo mykotike. Kjo si pasojë e mungesës së kontrollit të nivelit të klorit në pishina. Infeksionet bakteriale me puçrra apo pustula, apo edhe ato mykotike kërkojnë vëmendjen e duhur për t`u trajtuar nga mjeku, sepse mbartin rrezikun e transmetimit direkt në persona të tjerë. Uji i detit edhe pse konsiderohet i pastër( pa ngarkesë mikrobike) mund të çojë në irritime të ekzematizuara të lëkurës.

5-Po për fëmijët si duhet të kujdesemi në këtë kohë?

-Fëmijët përbëjnë një kategori specifike për sa i përket mbrojtjes së lëkurës. Gjatë periudhës së plazhit duhet të shmanget ekspozimi direkt në rrezatimin e diellit. Kremrat fotombrojtës që këshillohen duhet të jenë me filtra fizik (mineral) për të penguar episodet e djegies së lëkurës.

6-Kush janë më të rrezikuar për t’u prekur nga kanceri i lëkurës? Si mund të mbrohemi nga rrezet kancerogjene?

 -Çdokush është i rrezikuar për të zhvilluar kancer të lëkurës, por individët që i perkasin fototipit I dhe II ( lëkura të bardha, apo kuqaloshe, me sy bojëqielli / jeshil, bjond) kanë rrezik më të shtuar. Njëkohësisht personat të cilët kanë histori djegieje nga dielli të përsëritura kanë mundësi më të lartë për të zhvilluar kancer të lëkurës gjatë jetës. Anamneza familjare pozitive për tumorët e lëkurës, melanoma ose jo melanome, shërben si një alarm ndërgjegjësimi për mbajtjen në kontroll të lëkurës, në mënyrë periodike, nëpërmjet kontrollit dermatoskopik. Këshillimi me mjekun dermatolog dhe kontrollet periodike të lëkurës ndihmojnë në diagnostifikimin e hershëm të kancerit të lëkurës, trajtimin e tij, duke ndihmuar në rënien e vdekshmërisë të këtyre individëve.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.