DEKADA MË E VËSHTIRË PËR EMIGRIMIN E MJEKËVE
29/01/2023 Shpërndaje

DEKADA MË E VËSHTIRË PËR EMIGRIMIN E MJEKËVE

Mbi 3500 mjekë ose të rinj që janë diplomuar në mjekësi janë larguar nga vendi vitet e fundit. Eksodi i mjekëve shqiptarë në drejtim të tregut europian kryesisht atij gjerman, është parë si shqetësim nga sindikatat e bluzave të bardha. Sipas tyre kjo situatë e largimit të mjekëve nga vendi ynë mund të sjellë një mungesë të specialistëve më spitalet e vendit, pavarësisht se për autoritet shtetërore nuk janë shprehur se ka një kolaps në institucionet spitalore.

Mjekët shqiptarë janë të hapur për të parë karrierën e tyre në vendet evropiane për shkak të pagave më larta dhe kushteve më të mira për të ushtruar profesionin e tyre. Një pjesë e madhe e lidhin largimin edhe me paragjykimet ndaj figurës së mjekëve me korrupsionin që ka njollosur bluzën e bardhë.

Në përpjekje për të frenuar eksodin e mjekëve, qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa hapa me qëllim motivimin e bluzave të bardha, duke rritur pagat me 6% për të gjithë mjekët, infermierët, teknikët e laboratorit, imazherisë, të gjithë punonjësve të shëndetësisë që ofrojnë shërbime për qytetarë. Kjo rritje e pagave ka një efekt në buxhet rreth 10 milionë dollarë dhe përfitojnë në total rreth 19 mijë mjekë, infermierë dhe profesionistë të tjerë.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama në qëndrimin e tij të fundit për këtë fenomen vendosi të ndërmarrë iniciativa më të forta për të frenuar këtë largim masiv të bluzave të bardha.

Sipas kreut të qeverisë, do të “bllokohen” diplomat që do të marrin mjekët e rinj, nuk do ta përfitojnë atë sapo përfundojnë studimet. Kjo do të thotë se mjekët e sapo diplomuar, duhet që fillimisht brenda një afati të caktuar të shërbejnë në detyrë disa vite në Shqipëri dhe pas marrjes së diplomës të mund të emigrojnë në vendet e tjera, nëse këta të fundit e kanë si qëllim. ‘Diploma e mjekëve nuk do të jepet direkt sapo të mbarojnë shkollën’- u shpreh kryeministri Rama në takimin me rektorët.

Kjo masë e qeverisë erdhi pasi një numër i konsiderueshëm i studentëve ekselentë kanë nënshkruar një kontratë për të studiuar në universitetet më të mira të Evropës dhe nuk janë kthyer më për të kontribuar në vendin e tyre.

Pavarësisht, se ende nuk është ngritur shqetësimi që spitalet publike dhe jo publike po vuajnë nga mungesa e bluzave të bardha, fakt është që largimet masive mund të përkeqësojnë situatën pas disa viteve nëse statistikat do të jenë të njëjta.

Për këtë arsye, qeverisë shqiptare do t’i duhet një plan i mirë menduar për të reduktuar lëvizjet masive të bluzave të bardha.

“Ky projekt/aktivitet organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.”

#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth #EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana

© 2023, Pozitivi. All rights reserved.