Dedja: Reformat janë për qytetarët. Monitorimi më i rreptë për kushtet e BE
20/05/2020 Shpërndaje

Dedja: Reformat janë për qytetarët. Monitorimi më i rreptë për kushtet e BE

Intervistoi: Manjola Hasa

Rezultatet konkrete të reformave që lidhen me procesin e integrimit janë ato që do përcaktojnë më tej ecurinë dhe kohëzgjatjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Si një kërkesë e Francës për të reformuar procesin e zgjerimit të BE, por edhe si një mundësi për të çelur negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi prezantoi në 5 Shkurt Metodologjinë e re të Integrimit. Kjo metodologji ka disa parime thelbësore dhe të panegociueshme që lidhen me besueshmërinë  e vendeve kandidate ndaj reformave të ndërmarra, udhëheqjes politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë. Metodologjia e re kërkon thellim të reformave, rezultate të prekshme dhe monitorim të rreptë të hapave progresive ose jo të vendeve anëtare. Nga rezultatet e anketimit “Eksploro BE”, vlen për t’u evidentuar fakti që rreth 70% e të rinjve të anketuar  mendojnë se procesi i integrimit në strukturat e BE është i vështirë për t’u realizuar për shqiptarët. Por për të qartësuar qytetarët shqiptarë duhet të punohet me informimin në vijimësi të procesit dhe hapave që po ndjek në këtë momente Shqipëria për të qenë pjesë e unionit Europian.

Cilët janë kapitujt më të rëndësishëm për Shqipërinë dhe fakti që këto kapituj do të shqyrtohen të grupuara do të çojnë në zgjatjen e procesit për anëtarësimin e vendit në BE? Për këtë arsye biseduam me Zv.Ministrin e Europës dhe Punëve të Jashtme Sokol Dedja.

Sokol Dedja, Zv Ministër MEPJ

  1. Dedja, çfarë është metodologjia e re e zgjerimit të Bashkimit Europian?

Metodologjia e re përcakton se si do të funksionoj nga ky moment dhe në vijimësi procesi i negociatave të Shqipërisë në BE. Pra, një proces përmes së cilit vendi ynë do të dëshmojë që deri në anëtarësimin e plotë ka arritur të gjithë standardet e Bashkimit Europian, do të ketë përputhur plotësisht legjislacionin e saj me legjislacionin e BE, do të ketë kapacitete institucionale si dhe do të ketë arritur rezultate të dukshme të zbatimit ligjit. Për ne është e rëndësishme, që metodologjia e re bëri  të mundur kapërcimin e ngërçit të zgjerimit të BE. Duke përcaktuar disa ndryshime të zgjerimit të BE, vendimi i Marsit është historik për hapjen e negociatave. Kjo tregon vendosmërinë e vendit për plotësimin e kushteve themelore për këtë proces.

Cilat janë parimet kryesore të kësaj metodologjie?

Metodologjia synon të adresoj problemin e besueshmërisë së vendit kandidat ndaj BE. Vendet anëtare duhet të bindet që reformat që po ndërmerr Shqipëria kanë impakt të rëndësishëm që çojnë në atë transformim europianizues të vendit që kërkon në vetvete procesi i anëtarësimit. Që të arrihet kjo besueshmëri, është vendosur një kushtëzim me i rreptë, është në thelb të procesit të negociatave të anëtarësim. Për çdo hap vendosen kushte, monitorohen kushtet dhe më pas kalohet në hapat e tjerë.

Ka një qasje të re në procesin e integrimit përmes Metodologjisë së re apo nuk ka ndryshime thelbësore?

Thelbi i procesit mbetet i njëjtë, vendosja e kushteve dhe monitorimi i plotësimit të tyre. Mënyra se si do të bëhet dhe se si do të monitorohen kushtet përmes një procesi më të rreptë,  nuk është lajm i keq për vendin për sa kohë ne e shohim procesin e negociatave si mbështetje të realizimit të reformave. Reforma këto që nuk merren për hir të negociatave por për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptar sipas standarteve europiane. Por përveç monitorimit të rreptë, ka stimuj siç janë ata financiarë si dhe pjesëmarrje më të thelluar në politikat e BE-së.

A jep kjo metodologji një përgjigje ose një arsye përse procesi i integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka qenë relativisht i gjatë, gati 10 vite me përpjekje që ende vazhdojnë?

Arsyet përse procesi është i gjatë janë objektive që nuk kanë të bëjnë me një metodologji të caktuar të zhvillimit të negociatave. Vende të tilla me një të kaluar të vështirë si Shqipëria me një regjim komunist të gjatë, u duhet të plotësojnë standardet më të mira botërore gjatë këtij procesi duke dëshmuar funksionimin e shtetit, të shtetit të së drejtës, legjislacionit në mbrojtjen e mjedisit, të sigurisë ushqimore etj. Janë rezultate të vështira për t’u arritur ndaj dhe procesi në vetvete është i gjatë.

Në metodologjinë e re, parashikohen ndërprerje të fondeve ose le të themi të asistencës teknike, financiare së BE nëse ecuria e reformave të një vendi kandidat nuk është sipas pritshmërisë?

Metodologjia e re e bën më të rreptë monitorimin e kushteve, kur konstatohet ngecja e kushteve për zbatimin e reformave atëherë përcaktohen sanksione, siç  është pezullimi i negocimit në kapituj të caktuar apo kthimi pas në disa kapituj nëse nuk ka rezultate konkrete. Ky është një ndër mekanizmat e ngecjes së procesit. Mekanizmi tjetër ka të bëj me reduktimin e asistencës financiare. Kjo asistencë lidhet me arritjet, sa më shumë arritje aq më shumë asistencë financiare do të këtë nga BE.

Kohëzgjatja e procesit për anëtarësimin e një vendi kandidatë mund të jetë me e zgjatur në procesin e integrimit, për shkak edhe sepse kapitujt do të jenë të grupuara? Ka ndikim edhe kjo në procesin në të cilit ndodhet vendi ynë?

Grupimi i kapitujve synon ta bëj procesin më të mirëorganizuar.  Kapituj janë sektorë të legjislacioneve dhe standardeve europiane që duhet të arrijë vendi kandidatë. Që të mos ketë një copëzim të negociatave,  në metodologjinë e re kapitujt janë bashkuar. Më të rëndësishëm janë kapitujt: Sundimi ligjit(Kapitulli XXIII) që i referohet funksionimit të gjyqësori; Kapitulli (XXIV) për luftën kundër krimit të organizuar, kundër emigracionit të paligjshëm, mbrojtjen e kufijve. Kapitulli(V) që ka të bëj me prokurimet publike. Kapitulli (XVIII) që ka të bëj me statistikat. Këto kapituj do të gjykohen të parë në këtë proces. Deri tani kemi pasur takime shpjeguese ku është paraqitur në mënyrë të detajuar legjislacioni i BE-së për secilin nga kapitujt dhe aktualisht jemi në fazën e analizës së legjislacionit tonë, të rezultateve të zbatimit të legjislacionit të përputhur me atë të BE-së. Këto janë faza të grupuara. Pas kësaj do të vendosen kushtet për hapjen e negociatave përmes kapitujve të grupuara.

Reforma dhe procesi projektohet nga BE, apo duhet të jenë vendet kandidate dhe institucionet e tyre që duhet të udhëheqin procesin?

Procesi drejtohet nga Bashkimi Europian. BE është ai që përmes legjislacionit të tij ka vendosur standardet që duhet të plotësohen nga vendet kandidate. Mënyra se si do të vlerësohen është e përcaktuar në metodologjinë e re të BE, reformat janë në dorë të vendeve kandidate.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.