Dashuro veten, Elda ju mëson çelësin e lumturisë
12/02/2018 Shpërndaje

Dashuro veten, Elda ju mëson çelësin e lumturisë

Nga Beklie Koltraka

“Ti nuk ke lindur për të kënaqur syrin e askujt, qëllimi i jetës tënde nuk është të jesh perfekt, është të jesh i shëndetshëm fizikisht, mentalisht dhe të jesh e lumtur me veten tënde”.

Elda Kocia nga një vajzë e zakonshme është kthyer në një shembull motivues për shumë persona, fillimisht përmes postimeve në rrjete sociale. 23 vjeçarja e shëndetshme, pozitive ka pasion të jetë e lumtur, këtë e ka arritur, kështuqë synimi i saj tashmë e tutje është të motivojë të tjerët të duan veten, duke treguar rastin e saj, dhe deri më tani ia ka dalë më së miri.

“Të gjithë njerëzit e lumtur janë të bukur”, thotë mes tjerash Elda gjatë një interviste ekskluzive për pozitivi.org në të cilën flet pa dorashka për veten dhe forcën që e ka shtyrë të jetë ndoshta e para vajzë e shëndetshme në Shqipëri, që ekspozon trupin pa asnjë kompleks.

Zakonisht vajzat e reja që janë të shëndeshtme, që s’kanë trup perfekt, janë të mbyllura, nuk janë të shoqërueshme, ka dhe raste ku si pasojë e depresionit shkojnë deri në  vetëvrasje. Edhe “trajnuesja e lumturisë” tregon për Pozitivin si e ka kaluar një periudhë të tillë dhe çfarë e ka bërë të dashurojë veten.

Janë 3 karakteristika që e ndihmojnë atë të përcjellë energji pozitive:Të qenurit entuziaste për jetën; të dhurosh çdo ditë dashuri, një buzqeshje, një përqafim dhe fjalë të ngrohta; të shohësh të bukurën në çdo njeri dhe në çdo situatë. A besoni se pamja fizike, ndikon në lumturinë e një personi? Elda e ka një përgjigje për këtë dhe shumë pyetje të tjera në intervistën e mëposhtme me Pozitivin, lexojini dhe mendoni për përgjigjen tuaj.

Intervista me Eldën, vajzën që mijëra njerëz e ndjekin në instagram për të fituar vetëbesim, s’duhen shumë fjalë për ta prezantuar, çdo gjë e shkruar prej saj është një terapi, që do t’ju bëjë të mendoni ndryshe për veten dhe ato që iu rrethojnë.

Intervista ekskluzive për pozitivi.org me Elda Kocia:

Pozitivi: Tashmë njihesh si vajza që dashuron veten ashtu siç je, e shëndetshme, e kolme dhe e lumtur. Ne duam të të njohim me shumë… kush është Elda?

Elda Kocia: Elda është një vajzë pozitive që ka pasion të jetë e lumtur. Çdo ditë të jetës time e kaloj me njerëz pozitiv, duke punuar në profesionin tim në sektorin e trajtimeve, bukurisë dhe SPA. Ajo që është më e rëndësishme motivoj dhe inspiroj njerëz çdo ditë dhe është diçka që e kam pasion, pasi kam mbaruar dhe shkollën për Punonjëse Sociale/Psikologji.

Pozitivi: Përgjithësisht vajzat e reja që janë të shëndeshtme, që mbase nuk kanë një trup perfekt, janë të mbyllura, nuk ekspozohen në plazh dhe në shoqëri, janë në depresion… E ke kaluar një periudhë të tillë ti? Çfarë të ka bërë ta duash veten?

Elda Kocia: Në Shqipëri mund të jenë shumë të pakta femrat me ekstra kilogram që ndjehen rehat me trupin e tyre. Ndjehem shumë keq për këtë fak , sesi mund ta fshehi një person veten e tij, si mundet ta urrejë imazhin që shikon në pasqyrë. Kjo e gjitha kalon në stres dhe stresi sjell dhe shumë sëmundje një nga ato është depresioni , çrregullimi i ankthit, mbyllja në vetvete. Kam patur edhe unë një fazë të vogël të tillë ku ndikimi i shoqërisë ishte me i fortë se unë, por gjithçka kaloi kur unë fillova shkollën për Punonjëse Sociale, fillova punë në një ambient ku isha në kontakt vetëm me të huaj, duke lexuar libra motivues vetëvlersimi im është rritur në maksimum dhe eci gjithmonë me kokën lart dhe me shumë krenari për veten.

Pozitivi: Çfarë të pëlqen më shumë nga personaliteti yt? Po nga trupi?

Elda Kocia: Gjëja që më pëlqen më shumë tek personaliteti im është energjia pozitive që transmetoj dhe entuziazmi që unë kam për çdo gjë. Ndërsa pjesa e preferuar te trupi im perveç të gjithë trupië që unë adhuroj, janë duart e mia pjesa më e preferuar, sepse me ato bëj magjinë më të madhe.

Pozitivi: Na thuaj 3 karakteristika që të ndihmojnë të përcjellësh energji pozitive:

Elda Kocia: -Të qenurit entuziaste për jetën ( nëse e ke këtë automatikisht ti percjell pozitivitet sepse percjell lumturi dhe buzqeshje)
-Të dhurosh çdo ditë dashuri, një buzqeshje, një përqafim dhe fjalë të ngrohta.
-Të shohësh të bukurën në çdo njeri dhe në çdo situatë.

Pozitivi: Si nis dhe mbaron një ditë e jotja?

Elda Kocia: Dita ime edhe pse shumë e zënë me dy punët e mia gjej momentë të vogla që e bëjnë ditën time shumë të bukur. Duke qenë se puna është pasioni im më i madh unë ndjej kënaqësi , është kënaqësi të njohësh kaq shumë njerëz të ndryshëm me kultura të ndryshme, mëson shum prej tyre. Unë i dua njerëzit dhe dy punët e mia ma sjellin këtë kënaqësi. Sigurisht dhe pjesa më e bukur e ditës time është bashkshorti im i mrekullushëm, në ditët që jam pushim që nuk janë të shumta preferoj udhëtimet e shkurtra jashtë Tirane.

Pozitivi: Sa e lumtur është Elda dhe çfarë ndikon në rritjen e kësaj lumturie?

Elda Kocia: Kam çdo gjë që kam ënderruar në jetë si një karrierë që kam pasion, një person që dashuroj dhe më dashuron çdo ditë, kam dy familje të mrekullueshme. Njeriut nuk i duhet asgjë më shumë se kaq për të qenë i lumtur.

Pozitivi: A beson se pamja fizike, ndikon në lumturinë e një personi?

Elda Kocia: Do doja shumë të thoja jo nuk ndikon. Por në realitetin që jetojmë, sipërfaqësorja është ajo çfarë shikohet më shumë. Ka ardhur një kohë ku nëse nuk i përmbush standartet dhe pritshmëritë që shoqëria ka nga ti atëherë nuk meriton te jesh i lumtur madje do të të fundosin dhe gjykojnë pse nuk je siç ata duan të jesh. Kjo është shumë e gabuar dhe këtë jam munduar të ndryshoj në një pjesë të shoqërisë edhe pse kam dal e vetme dhe jam gjykuar për këtë gjë unë do vazhdoj ta bëj këtë gjë sepse dua që të shohë njerëz të lumtur me veten e tyre që nuk presin aprovimin e askujt.

Pozitivi: Gjithmonë këtë shëndet ke pasur dhe e vogël? A je paragjykuar ndonjëherë? Më shumë kur ke qenë e vogël apo tani dhe si e ke përballuar?

Elda Kocia: Kam patur një trup shumë të mirë, shumë aktive në palestër dhe me dieta drastike, por nuk isha aspak e lumtur me veten time ishte gjithmonë diçka që s’më pëlqente.  Në Shëndetin tim kanë ndikuar Teroidet dhe Hormonet. Kurohem nga kjo gjë dhe ushqehem shumë shëndetshëm dhe për këtë më ka ardhur në ndihmë Veggis që më ka përgatitur ushqimet më të shëndetshme që unë të kem një metabolizë sa më të shëndetshëm nderkohë që dhe mjekohem nga Teroidet . Sa i përket komenteve negative për peshën time dhe vetëbesimit që unë kam thjesht i bllokoj sepse në jeten time nuk kam fare nevojë për negativitetin e askujt sepse ata që shkruajnë gjera të tilla sigurisht nuk më njohin fare dhe nuk e dinë historinë time kështuqë unë thjesht qesh dhe i bllokoj, shumë e thjeshtë.

Pozitivi: A të kanë kërkuar ndjekësit takime-bashkëbisedime, pra a ka pasur interes për më shumë sesa postimet e tua në rrjetet sociale? Ke menduar që në të ardhmen të hapësh një qendër, për të sensibilizuar vajza që kanë probleme për shkak të pamjes së jashtme?

Elda Kocia: Sigurisht që kanë kërkuar të më takojnë, dhe kam takuar disa nga vajzat dhe do takoj akoma me shumë. Unë kam patur dhe vajza që kam folur pothuajse çdo ditë që i kam ndihmuar të rrisin vetëvlersimin apo të heq mendime shumë të keqia si vetëvrasja , depresioni … Jam shume e shqetesuar për këto vajza sepse nuk kanë askënd t’i ndihmojë ndonjëherë famija nuk di asgjë, psikologet në shkolla nuk bëjnë punën e duhur.

Kjo është dhe një nga dëshirat e mia të jem e pranishme në ato shkolla ku ka kaq shumë adoleshentë, ku gjysma e tyre kanë probleme me pranimim e vetes, depresionin, ankthin. Këtyre sëmundjeve nuk i kushtohet aq rëndesi sepse në këtë botë nëse nuk të mungon ndonjë krah apo ndonjë këmbë nuk je i sëmurë dhe nuk të vjen asnjë ndihmë.

Pozitivi: Ke hapur një platformë me video motivuese në youtube. Na fol pak për këtë projekt nëse mund ta quajmë kështu.

Elda: Kam patur gjithmonë dëshirë që zëri im dhe mendimet e mia të degjohen, prandaj kam nisur dhe kanalin tim në yotube për këtë gjë, por një projekt tjetër i imi është edhe një libër që po shkruaj DASHURO VETEN. Ku do jetë një libër motivues dhe si mund të arrish ta dashurosh veten. Histori motivimi që unë kam ndihmuar dhe shumë e shumë tema të tjera.

Pozitivi: Cilat janë komentet më të mira që ke marrë nga ndjekësit, të cilët janë frymëzuar nga ty? Si je ndjerë?

Elda: Janë kaq shumë mesazhe pozitive që ma mbushin zemrën plot. Janë mesazhe që mua më motivojnë më shumë për të bërë këtë që po bëj. Bashkëshorti im i mrekullushëm nuk harron asnjë ditë të më thotë se sa motivuse jam për të dhe sa shumë e inspiroj çdo ditë dhe kjo ka qënë arritja më e madhe për mua. Dhe mesazhet nga miqt e mi se sa me fat janë që kanë njohur dikë që i motivon, sigurisht dhe  nga miqt e mi virtua pasi mesazhet janë pafund dhe ndonjëherë më bëjnë të lotoj dhe nga hidherimi për gjërat që këto vajza kalojnë por edhe nga lumturia pasi fjalët e mia realisht po ndihmojnë dikë .

Pozitivi: Çfarë grupmoshe janë vajzat që të shkruajnë më shumë?

Elda: Grumoshat janë të ndryshme duke filluar nga adoleshentet deri në zonjat e nderuara me fëmijë. Por që jo të gjitha janë të shëndosha sepse probleme me vetëvlersimin dhe dashurinë për veten e kanë dhe vajzat e dobta, të shkurtra , të gjata . Nuk është se unë flas vetem për një kategori njerëzish, unë flas për të gjithë ata që dyshojnë tek vetja e tyre dhe nuk e duan atë.

Pozitivi: Kë nga femrat e njohura shqiptare vlerëson për përkujdesjen estetike që ka ndaj vetes për pamjen e jashtme? Po ndonjë që se honeps dot, qoftë dhe në personalitet?

Elda: Siç i ndaj unë njerëzit e bukur ndoshta është pak ndryshe, dhe në Shqipëri personazhet publike kanë shumë pasiguri në veten e tyre dhe shkojnë bëjnë opercione plastike për t’ju përmbushur standartet që shoqëria i vë, dhe ata njerëz janë por kanë rënë në kurth të shoqërisë. Përcaktoj të bukur dhe që kujdeset për veten e tij atë që bën mirq në këtë botë, që qëndron i vërtetë me veten e tij dhe është i lumtur. Të gjithë njerëzit e lumtur janë të bukur. Ndërsa ata që unë nuk i duroj dot janë njerëzit negativ, materialist, mburravec dhe xhelozë për tjetrin, kjo kategori për mua është e shëmtuar.

Pozitivi: Një gazetë e huaj të ka listuar te “Plus-size model”, të pëlqen të njihesh më shumë si e tillë apo si një trajnuese motivuese?

Elda: Në të gjitha portalet është shkruajtur plus size model por unë nuk jam modele, nuk ushtroj atë profesion sepse modelizimi është profesion që shumë vajza jashtë Shqipërisë e kanë zgjedhur si mënyrë jetese. Por arma ime më e forte është fjala jo trupi dhe kam gjetur mënyrën për të qenë një motivim për mendjen time dhe fjalët që unë nxjerr nga goja. Pasi Shqipëria ka nevojë të ndryshojë disa tabu për të pranuar një modele plus size prandaj dhe unë po i përgatis me fjalë duke ndryshuar disa mendime që kur të vijë momenti që plus size model të jetë diçka normale këtu, mos t’u vijë si bombë të jenë të përgatitur.

Pozitivi: Në profilin tënd në instagram ke foto të shumta, në të cilat je ekspozuar pa asnjë kompleks. Kur ke nisur t’i publikosh, pa marrë parasysh paragjykimet?

Elda: Jam shumë krenare për turpin tim, për gjithçka timen, dhe nuk kam dashur asnjëherë t’i fshihem botës. Ndoshta fotot e mia të instagramit disa mund ti duken të egzagjeruara , unë këtë trup kam dhe s’kam si ti fsheh linjat e bollshme.

Pozitivi: Një mesazh që do t’ju jepje të gjitha vajzave që kanë komplekse?

Elda: Një mesazh për të gjitha vajzat si të dobëta dhe të shëndosha, ndjehuni krenare për veten tuaj. Në fund të ditës je ti që do e bësh veten tënde të ndjehet e lumtur askush tjetër. Ti nuk ke lindur për të kënaqur syrin e askujt, qëllimi i jetës tënde nuk është të jesh perfekt, është të jesh i shëndetshëm fizikisht, mentalisht dhe të jesh e lumtur me veten tënde. Nëse këto fjalë të futën sado pak në mendime, jam e lumtur të bashkëbisedoj me çdokënd që ka nevojë për një fjalë te mirë.

© 2018 – 2022, Pozitivi. All rights reserved.