Berisha e lidh krizën energjetike edhe me impiantet e Bitcoin
Ish kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë për krizën energjetike. Sipas tij shkak nuk është lufta në Ukrainë por keqmenaxhimi dhe vjedhja. Në një tryezë me ekspertë që u zhvillua në selinë blu ai e cilësoi absurditet faktin që qeveria po planifikon të rrisë çmimin e energjisë për familjet.
“Shet energji në emër të liberalizmit të tregut me 42 euro në të njëjtën ditë kur në bursë është 130 euro siç ka ndodhur gjatë verës. Apo blen energji me 300 euro ku në të njëjtën ditë energjia në bursë është me 150 euro, pra kemi të bëjmë me një rritje të çmimeve të diktuar tërësisht nga keq menaxhimi dhe vjedhja.”
Duke thkeksuar në vijimin argumentin për një qëndrim të tillë Berisha tha se janë edhe për dy faktorë të tjerë që e po gllabërojnë energjinë elektrike, me bekimin e qeveritarëve.
“Dy faktorë që po gllabërojnë sasi kolosale energjetike lidhen direkt me këtë qeveri dhe eksponentë të saj. Këta dy faktorë janë, impiantet e Bitcoin të vendosura në afërsi të hidrocentraleve. Gllabërues të papërmbajtur, kuçedra të vërteta të energjisë elektrike. U zbuluan dy në Shijak. Ato ishin miniaturë e atyre në afërsi të hidrocentraleve. Ata janë absolutisht të lidhur me qeverinë. Askush tjetër nuk mund të marrë përsipër ta shndërrojë Shqipërinë në një vend kryesor të prodhimit të Bitcoin përveç qeveritarëve. “
“Tani pas 9 vitesh, në vend që qeveria shqiptare të shtrinte tubacionin nga TEC i Vlorës deri në Seman ku është detyrimi kontraktual për të krijuar daljen e gazit në Shqipëri, shkon dhe kontrakton një kompani për gaz të lëngshëm, që ka një kosto qartësisht më të lartë se gazi që sjell TAP-i. Sepse kompanitë importuese të gazit diktojnë me zarfa politikën e tyre.”
Akuzave të Berishës iu është përgjigjur Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri. Gjiknuri përmes një reagimi në Facebook, shkruan se “do apo nuk do, Berisha do mbahet mend si arkitekt i kolapsit financiar me sektorin e energjisë.”
Gjiknuri shkruan se Berisha tentoi sot të rikthehet në sytë e shqiptarëve si engjëll ndonëse gjithsecili prej nesh e di se maska e ëngjëllit nuk rri mbi fytyrën e varrmihësit të sektorit energjetik.
“Gati 9 vite pasi na la në duar “kufomën energjetike”, Sali Berisha tentoi sot të rikthehet në sytë e shqiptarëve si ëngjëll ndonëse gjithsecili prej nesh e di se maska e ëngjëllit nuk rri mbi fytyrën e varrmihësit të sektorit energjetik. Do apo nuk do, i pëlqen apo nuk i pëlqen, ai do të mbahet mend si arkitekti i kolapsit financiar me sektorin energjetik, me humbjet mbi 45%, zinxhirin e borxheve mes kompanive mbi 1 miliard USD dhe lakun e falimentit në qafë falë privatizimit të dështuar e korruptiv të kompanisë së shpërndarjes.
Reforma në energji është një prej sukseseve më të qëndrueshme të qeverisë “Rama” dhe pse jo një prej arritjeve që si ish-ministër më bëjnë të ndjehem krenar. Në vetëm 5 vitet e para të qeverisjes sonë ne arritëm të përgjysmonim humbjet në energji, dyfishuam arkëtimet, rikthyem asetet e kompanisë në duart e shtetit shqiptar, i dhamë fund abuzimit ndaj qytetarëve në faturim, këputëm zinxhirin e borxheve mes kompanive dhe shëndoshëm financiarisht sektorin”, thuhet mes të tjerash në reagimin e Gjiknurit.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
