Aurela, studentja me të gjitha 10: Me vullnet edhe durim arrihet çdo gjë
Aurela Kullolli është studentja nga Elbasani, e cila është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë me të gjitha dhjeta. Ajo është vlerësuar me dy medalje ari, në 2013 kur përfundoi gjimnazin me të gjitha 10-ta si dhe aktualisht është në pritje të Medaljes së Artë përsëri pasi e mbaroi edhe Fakultetin e Mjekësisë sërish me nota maksimale.
Studentja e mjekësisë është një shembull pozitiv që duhet të promovohet e ndiqet nga të rinjtë e tjerë. Ditët e fundit ajo është promovuar nga media për rezultatet e arritura. Gjatë një interviste për pozitivi.org ajo thotë se ndihet e vlerësuar. “Vëmendja që kam marrë kohët e fundit nuk ka ndryshuar asgjë tek unë. Ajo çfarë mendoj se ka rëndësi është të mos dëgjojmë vetëm skandale por të promovohen vlera dhe shembuj pozitive, me qëllim që të frymëzohen e të tjerë. Unë ndihem e vlerësuar”.
Aurela gjimnazin e ka kryer në Elbasan. Ka qenë vetëm 18 vjeç kur la shtëpinë dhe u shpërngul në Tiranë për të ndjekur ëndrrën e fëmijërisë, për t’u bërë mjeke. Gjatë viteve të shkollës ka jetuar në konvikt. Ajo thotë se dega e Mjekësisë është e vështirë, por “asgjë nuk është e pamundur, me vullnet edhe durim arrihet çdo gjë”.
Çelësi i suksesit për të ka qenë durimi dhe vullneti dhe menaxhimi i kohës. “Të rinjtë nuk duhet të dorëzohen asnjëherë”, thotë ajo.
Intervista me Aurela Kullolli për pozitivi.org:
Pozitivi: Aurela së fundmi je bërë e njohur për rezultatet e tua, pasi nuk ke marrë asnjë 9 në shkollë. Si je ndierë këto kohë me vëmendjen që ke marrë?
Vëmendja që kam marrë kohët e fundit nuk ka ndryshuar asgjë tek unë. Ajo çfarë mendoj se ka rëndësi është të mos dëgjojmë vetëm skandale por të promovohen vlera dhe shembuj pozitive, me qëllim që të frymëzohen e të tjerë. Unë ndihem e vlerësuar.
Pozitivi: A ke pasur momente të vështira gjatë faklutetit? Si do ti përshkruaje vitet e universitetit?
Vetë dega e Mjekësisë është një degë e vështirë, por asgjë nuk është e pamundur, me vullnet edhe durim arrihet çdo gjë.
Pozitivi: Cili është çelësi i suksesit tënd? Disa sugjerime për të të rinjtë
Çelësi i suksesit tim është durimi dhe vullneti dhe më pëlqen të menaxhoj kohën mesa mundem. Të rinjtë nuk duhet të dorëzohen asnjëherë.
Pozitivi: Çfarë është profesioni i mjekes për ty, e thënë në disa fjalë?
Mjekësia është një profesion që nuk mund të thuash kurrë se jam i ditur. Duhet të lexosh gjithmonë dhe nuk është vetëm të dish, aq sa ana shkencore është e rëndësishme dhe ana humane për të shërbyer atë që di.
Pozitivi: Ti je nga Elbasani dhe ke ardhur për të studiuar në Tiranë. A mendon se të rinjtë që vijnë nga rrethet përballen me më shumë vështirësi dhe paragjykime? A i ke ndierë ti vetë? Nëse po na trego ndonjë rast
Unë jam arsimuar në Elbasan, por kam lindur në Ersekë. Babi është nga Gramshi dhe mami nga Devolli, për të gjitha këto ka ndikuar profesioni i babit, ushtarak. Unë gjithë jetën nuk është se jam ndjerë me një origjinë fikse, prandaj edhe në Tiranë nuk kam ndjerë ndonjë paragjykim. Unë kam jetuar në konvikt dhe ka qenë një eksperience e bukur të kesh shoqe nga gjithë Shqipëria.
Pozitivi: Kush është Aurela përtej studentes ekselente?
Aurela përtej studentes ekselente është një person që i pëlqen shumë natyra, shëtitjet dhe kopshtaria.
Pozitivi: Cilat kanë qenë ëndrrat e fëmijërisë dhe sa ke mundur ti bësh realitet?
Ëndërr ka qenë të bëhem mjeke dhe po e realizoj.
Pozitivi: Si do e përshkruaje personalitetin tënd?
Jam një tip me karakter të fortë, megjithëse shqetësohem shumë për gjërat që më rrethojnë. Ndoshta këtë duhet ta ndryshoj.
Pozitivi: Me çfarë po merresh tani që përfundove universitetin?
Jam duke kryer praktikën profesionale të Urdhërit të Mjekut, në Spitalin Rajonal Elbasan.
Pozitivi: Së fundmi je bërë pjesë e një trajnimi. Përse bën fjalë?
Së fundi kam qenë në një trajnim nga Fondi Global, në Frankfurt në lidhje me Infektimin me Hiv të personave që injektojnë drogë intravenoz. Ajo që ishte në fokus të trajnimit ishte reduktimi i pasojave nga injektimi i drogës.
Pozitivi: Cilat janë planet tua të së ardhmes?
Planet e mia mbeten të hapura.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
