Atraksioni turistik në veri të vendit, Molla e Shoshit
24/08/2022 Shpërndaje

Atraksioni turistik në veri të vendit, Molla e Shoshit

Molla e Shoshit është një fshat i vogël i vendosur në një pllaje të vogël në lartësinë rreth 600 m. mbi nivelin e detit. Për të apasionuarit pas ecjeve malore, fshati Molla e Shoshit është një nga atraksionet që mund të vizitoni ndërkohë që jeni vendosur me pushime në Lumin e Shalës, pranë Blinit të Gurit të Lekës. Prof. As. Dr. Zef Gjeta, profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës, me origjine nga kjo zonë na njeh më tepër me bukuritë dhe vecantitë e këtij fshati.

Cfarë mund të bësh një ditë në Mollën e Shoshit?

Molla e Shoshit është një fshat në anën tjetër të lumit, ku janë rreth 12 kulla akoma në këmbë, dy prej të cilave janë rikonstruktuar. Një fshat edhe dikur jo shumë i madh, por i “mbledhur”, ku shtëpitë janë afër njëra tjetrës (fotot ajrore të këtij fshati kanë gjetur pëlqim nga mijëra ndjekës), me sipërfaqe toke të punueshme relativisht të kufizuar. Por me eksperienca domëthënëse: vreshti i Tom Kacelit kishte 24 varietete rrushi. Prodhonin edhe misër, fasule, patate e ndonjë perime. Përndryshe, aktiviteti kryesor jetësor ka qënë blegtoria: bazuar në  lopë, dhi, dele dhe derra. Sot nuk banon kush në ish fshatin e dikurshëm, por një pjesë kanë ngritur bujtinat dhe bizneset në breg të lumit dhe kanë plane të rindërtojnë shtëpitë e gjyshërve. Vlen të theksohet se shtigjet, rrugët për të arritur në Mollë, por edhe lidhja e këtij fshati me qëndrën administrative Ndreaj, në drejtim Lotaj dhe Theth, janë të hapura. Nga Molla, ofrohen pamje madhështore. Rruga për tu ngjitur nga lumi deri në fshat është 1 orë e 45 minuta, ecje grupi dhe rreth 1 orë e 10 min për të zbritur.

Kur është periudha që frekuentohet më shumë?

Frekuentimi i zonës fillon në muajin prill e vazdon deri në fund të tetorit. Muajt korrik dhe gusht janë shumë të ngarkuar. Ndërkohë, në Blin ka banorë gjatë gjithë vitit dhe me njoftim paraprak mund të presë prenotime praprakisht.

Si është jetesa në këtë vend?

Në këtë zonë nuk ka banorë të përhershëm, përvec bujtinave dhe që kujdesen për riparime e mirëmbajtje të ambjenteve dhe kujdesen për kuajt, qentë etj.

Cilat janë ushqimet bio dhe gatimet tradicionale të kësaj zone?

Si gatime tradicionale mund të përmendën fasulet, zakonisht me mish, lakrat me mish, por njihen e gatuhen rrepat, e një serë perimesh. Kacamaku dhe në vecanti maza dhe  maza me mjaltë kanë qenë shumë të vecanta. Qumështi dhe nën produktet e tij janë njohur e përdorur gjerësisht, ashtu si edhe turshitë. Ndërkohë fërligu (mishi në hell) është  përdorur gjerësisht sidomos për festa të  rëndësishme dhe kur kanë ardhe miq të vecantë.

Cfarë duhet të ketë parasysh një turistë para se të niset në një udhëtim në Mollën e Shoshit?

Një turist, vendas apo i huaj, përpara se të niset për këtë zonë, duhet të marrë informacion në lidhje me këtë zonë. Nga ana tjetër, duhet të kontaktojë, mundësisht direkt me bujtinat e zonës, pasi ndodh rëndom që vijnë shumë turistë (ka raste që një të shtune apo te dielë, këtu të jenë 3000 vetë, ndërkohë që kapaciteti për të ofruar ushqim dhe shërbim nuk është për  më shumë se 400-600 vetë).

Cilat janë pikat më vecanta turistike?

Këtu në Blini janë aktualish 4 bujtina: Blini Park, Eco-bee, Eagle land dhe River site. Ndërkohe që janë edhe 4-5 bar-kafe. Ndërkohë që mjaft nga agjensitë turistike bëjnë dy gabime: sjellin turistë kundrejt pagesave të ulëta (me fugone jo të mirë, me varka shumë të dobëta, pa një guidë të përgatitur), duke mos iu ofruar asgjë vizitorëve. Edhe orarët janë shumë të papërshtatshëm: marrin turistët në digen e Komanit në ora 9.30 dhe për pasojë vijnë në zonë në 11. Dhe në 14.30-15.00 nisen për të ikur. Ky orar, nuk i lejon turistët të shijojne sa duhet zonën; këtu ka mundësi për udhëtime të shkurtëra, por që ofrojnë pamje të mrekullueshme dhe interesante, ofrohet kalerim me kuaj, vozitje me kanoe, xhiro ne zip line, etj. Meqe kanë “shpenzuar” ditë, është më mirë që përvec se të hanë një ushqim e të bëjnë ca foto e të kthehen, është mirë që të rrijnë më gjatë e të shijojnë si duhet ketë site turistik.

Po cila është lidhja juaj me Shoshin?

Unë jam nipi i Ndok Micit, i cili edhe sot e kësaj dite ka shtëpinë (kulle guri) dhe ara në Blini Guri i Lekës, të Shoshit (që komercialisht po njihet si destinacioni Lumi të Shalës). Pra, jam një djalë i Shoshit, i cili është rritur në Shkodër, lagjia Ajasem, në rrëze të kalasë Rozafa.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.