E reja shqiptare kthehet nga Franca, ndërton ‘parajsën’ në fshatin e lindjes
Fshati nëse shfrytëzohet si duhet mund të kthehet në pikë turistike mjaft të preferuar për turistë vendas dhe të huaj. Ajri, natyra dhe gjithçka ndodhet në fshat kthehet në një parajsë gjatë verës që të shton jetën.E reja Elona Bejo është një shembull pozitiv për t’u ndjekur nga të rinjtë shqiptarë, e cila u kthye nga Franca për të investuar në fshat. Ferma “Grand Albanik” që ka ngritur në vendlindje në Ballaban të Përmetit, ka ngjallur interes të madh për turistët dhe njëkohësisht ka habitur dhe vetë banorët e fshatit.
Në fermën e saj të bukur, të rrethuar nga gjelbërimi dhe malet, gjatë një bisede me kryeministrin Rama ajo tregon si vendosi të investojë në fshatin e lindjes, bashkë me bashkëshortin francez. Elona është e fejuar me francezin Majid. Prej më shumë se dy vite kanë punuar dhe investuar në fermë, dhe tani që është kthyer në pikë për turisët, suksesi siç thotë ajo ka kaluar çdo pritshmëri.
“Historia është edhe e thjeshtë edhe e komplikuar. Im shoq është francez, kemi gati 2 vjet e gjysmë që punojmë e investojmë këtu dhe kemi shumë pak kohë që jemi hapur. Gjithçka po shkon shumë mirë, është edhe më lart nga sa e kemi pritur interesi dhe suksesi i fermës” , tha ajo. Fillimisht e nisën me një fermë në Elbasan, dhe pasi provuan sukses u zhvendosën në një tjetër pikë në vendlindjen e saj.
“Vetëm receta është franceze këtu se gjithçka tjetër është shqiptare. Nuk kemi tokë bujqësore, prandaj kemi shkuar te ferma, kultura. Mënyra se si është ndarë toka në Shqipëri është shumë e mirë, sepse është e ndarë në parcela të vogla, gjë që të jep mundësi të krijosh kopshte të vogla. Atëherë kjo është një mënyrë shumë e mirë për t’i shërbyer tokës dhe për t’ja treguar të gjithëve si funksionon”, tha mes te tjerash Elona.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.



