Agimi, këngëtari me aftësi të kufizuara që po realizon ëndrrat
Këngëtari me aftësi të kufizuara, Agim Pajaziti, i njohur me emrin e artit “Mc Gima”, jeton në fshatin Koshuvicë të Podujevës. Të qenit me aftësi të kufizuara, s’e ka penguar të realizojë ëndrrat. Ai tregon se muzikë është marrë që në 2011 dhe ka realizuar 16 këngë, por vetëm 6 prej tyre i ka me videoklipe.
Gjatë një intervistë për pozitivi.org Agimi shprehet se problemi fizik i ka ardhur për shkak të temperaturës në kokë, kur ishte 1 vit e 6 muaj. Në këtë kohë, fshati ishte bllokuar nga dëbora dhe nëna e tij nuk ka mundur ta dërgojë te mjeku. Përmes Pozitivit “Mc Gima” ka një apel për të gjithë prindërit: “Mos t’i lënë fëmijët jashtë kujdesit shëndetësor. T’i dërgojnë tek mjeku menjëherë sapo ta vërejnë.”
Ai ka marrë çmime speciale. Ka bashkëpunuar me personazhë të estradës. Tekstshkruesi Ekrem Ismajli pasi ka ndjekur një intervistë të “Mc Gimës”, i ka shkruajtur një mesazh ku ofrohet që t’i shkruajë tekste falas. Sa herë i kujtohet mesazhi i tij, Agimi emocionohet. Momentet më të bukura për të janë kur merr përqafime nga kompozitorët për finalizimin e ndonjë projekti muzikor.
Miq të tij dhe njerëz që merren me muzikë e kanë ndihmuar shumë në zhvillimin e kësaj rruge jo pak të mundimshme dhe për këtë Agimi i falenderon publikisht. Në intervistën e dhënë për pzitivi.org Agimi na tregon më shumë për veten, këngëtarët shqiptarë me të cilët dëshiron të bashkëpunojë si dhe për të ardhmen në muzikë.
Intervista me Agim Pajaziti për pozitivi.org:
Pozitivi: Për gati 3 vite keni mundur të realizoni disa këngë. Na tregoni pak më shumë për pasionin tuaj për muzikën, kur ka lindur dhe a keni pasur vështirësi në hapat e parë?
MC Gima: Së pari ju prezantohem. Unë jam Agim Pajaziti nga Kushevica, komunë e Podujeves dhe merrem me muzikë që nga viti 2011. Kam realizuar 16 këngë ku 6 prej tyre i kam me videoklipe. Muzika për mua për është pasion, jeta jem është muzika. E vështirë është pasi jam edhe me nevoja të veçanta por kur ki vullnet ja del. Ideja për t’u bërë këngëtar ka lind prej shokëve të mi. Kam pasur një shoqëri të mirë dhe ata me merrnin me dalë edhe unë ju kendojsha, pastaj me kanë propozuar të bëhem këngëtar.
Pozitivi: Këngët i shkruani vetë apo dikush tjetër?
MC Gima: Tekstet zakonisht mi ka bo producenti i parë që kam pas. Këndova në studion e tij në vitin 2011 dhe pasi ika ka ardhur në shtëpi dhe më ka thënë a pranon që të të bëj një këngë. Ai e ka shkruajtur, më pas ma dërgoi dhe unë e mësova. 3 ditë pasi e kam publikuar e dëgjova nëpër makina në qytet, domethënë u mirëprit shumë. Pas një kohe u bë dhe një bashkëpunim me grupin Ilirët por klipi fatkeqsisht nuk është në youtube. Pas 6 këngëve kam kaluar tek një tjetër producent dhe një këngë ma ka bërë tekstshkruesi Shqiprim Sadiku.
Tani kam pasur një intervistë tek Shpëtim Desku dhe pasi është transmetuar intervista më ka shkruajtur një tekstshkrues që më ka bo shumë tekste. Ai është Ekrem Ismajli. Sa herë më kujtohet ai shkrim emocionohem. Sa herë e kujtoj ku thoshte ‘përshëndetje Mc Gima. Unë që po të shkruaj jom Ekrem Ismajli, tekstshkrues. Të pashë në emision. Sa herë të kesh nevojë per tekste më llogarit edhe mua’. Ekremi më ka bërë shumë tekste dhe janë shumë domethënëse. Kam punu me shumë producenta dhe të gjithëve iu pëlqejnë tekstet e tij. Dua t’i falenderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar, edhe ata qe me ftuan në koncerte edhe pse janë të paktë sepse pak po anashkalonjë organizatorët por publiku me mirëpret jashtëzakonisht bukur.
Pozitivi: A është e vështirë për një person me aftësi të kufizuara të jetojë në fshat, a keni kushtet e duhura?
Vështirë është shumë, mezi ja dal po për rrugëtim e kam problem sepse komuna në fshatin tim nuk ka bo as edhe një gjë.
Pozitivi: Ndalojmë pak te historia jote. Nga se të ka ardhur problemi fizik dhe në çfarë moshe ?
Problemi ka ardhur nga temperatura në kokë. Kur kam qenë 1 vit e 6 muaj kam pasur shumë temperaturë dhe në fshat ka pas rënë borë shumë dhe nuk ka mundur nana të më dërgojë te mjeku. E kom një apel për për të gjithë prindërit që mos t’i lënë fëmijët jashtë kujdesit shëndetësor. Ti dergojnë tek mjeku menjëherë sapo ta vërejnë.
Pozitivi: Na trego më shumë për projektet e reja që ke ndërmend të bësh në të ardhmen?
Projekte në të ardhmen kam shumë. Unë në vitin 2016 kam marrë çmim special. Kam bashkëpunime me yje të estrades, kam video klipe që mi kanë mundësuar shumë njerëz të mirë si pronari i Golden Eagle Shaqir Palushin. Dy bamirësat që më kanë mundësu 3 klipe Zymer Rrahmani dhe Brahim Demaku nga Gjermania, producentët më të mirë në Kosovë më kanë ndihmuar dhe po më ndihmojnë por spo mundem t’i them me emra të gjithë. Tani e kam një këngë që po e bëj publike për herë të parë, është për maturantët. Tekstin ma ka bërë Ekrem Ismajli, muzika Naim Qukiqi.
Pozitivi: Me cilin këngëtar shqiptar do të doje të bëje bashkëpunim?
Me Mimoza Shkodrën. Prej Kosovës me Ëngjullushe Salihu, Sabri fejzullahu, me Gjikon etj. Kush të ngrejë dorën i pari (qesh).
Pozitivi: Cilat kanë qenë ëndrrat e Agimit në fëmijëri dhe sa ke mundur t’i bësh realitet?
Ëndrra kam shumë. Naim Abazin, Mihrije Brahen, Sevdai Radogoshin kur i shihja në Tv thosha me vete, e more zot me mujt me i pa live. Zoti ka bë të mundur që të këndoj para atyre. Ëndrrat tash i kam të kem një menaxher dhe të vazhdoj edhe ma tutje sepse e shoh veten shum lart. Ëndërr është ta shoh veten lart si në yje besom.
Pozitivi: Si nis dhe mbaron një ditë e jotja?
Një ditë e imja tani që kohët e fundit jam larguar pak prej shoqërisë për shkaqe shëndetësore ma shumë kalon në shtëpi. Ma shumë në shtëpi, por në mbrëmje dal me djalin e vëllaut Flamurin. Sepse kam shumë shoqëri dhe i falenderoj që më respektojnë kaq shumë.
Pozitivi: Po lumturia çfarë është për ty? Na thuaj disa nga momentet më të bukura që ke kaluar dhe si kanë ardhur?
Si çdo njeri edhe unë i përjetoj njëjtë momentet më të mira, kur kam pranë vetes njerëz që më duan mirë. I çmoj veçanërisht shumë momente të tilla të veçanta, kur ua kryej producentave këngën për 15 minuta edhe më përqafojnë. Më thonë se askush s’mundet me e bë.
Pozitivi: Një mesazh të fundit?
Kurrë mos thuaj jo, kur ke vullnet, kur ke njerëz të mirë përreth. Unë i falenderoj të gjithë ata që më sollën deri këtu si në Kosovë, në Shqiëri, në Diasporë. Po ashtu falenderoj të gjithë mediat qe me dhanë krah gjatë kësaj rruge të mundimshme. Nga Beklie Koltraka
© 2018 – 2023, Pozitivi. All rights reserved.








