Rrëfim që të këput shpirtin/ Ejona nuk dëgjon as flet, do të birësojë Ardin e vogël, studjon pikturë aty ku askush s’e kupton….
Ejona Balla, vajza 18 vjeçare nga Përrenjasi di vetëm të dhurojë dashuri. Ejona që në lindje nuk ka folur as dëgjuar kurrë. Fëmijërinë e ka kaluar në qytetin e Përrenjast ndërsa 12 vitet e fundit ka jetuar në Tiranë.
Në familje nuk e ka pasur aspak të vështirë të përshtatet për shkak të dy prindërve të cilët nuk kanë dëgjuar e folur asnjëherë në jetë, njëjtë si Ejona. “Unë jam njeri që nuk dëgjoj, u kam ngjarë prindërve. Kam vetëm një vëlla. Mami dhe babi si unë, nuk flasin as dëgjojnë ndërsa vëllai mesatar. Tashmë ka filluar shkollën e dëgjimit dhe është në klasë të 6”, rrëfen Ejona për pozitivi.org. Vajza ka një shpirt të brishtë, i cili dridhet para djalit të vogël 7 vjeçar Ardit dhe jetës sakrifikuese që ai bën. Në të njëjtën kohë 18 vjeçarja është e guximshme, e fortë si çeliku të ecë përpara në jetë duke sfiduar mundësitë e munguara për fëmijët, adoleshentët dhe personat e komunitetit që nuk dëgjojnë e flasin.
Të vështirë e ka pasur që në vitin 2006 kur nisi shkollën tek Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë. Por, dashuria e ngrohtë mes shoqeve-shokëve e mësuesëve, atmosfera familjare që mbizotëron në këtë ambient siç rrëfen Ejona për pozitivi.org, ia kanë bërë vitet e kaluara të paharrueshme. “Edhe tek Liceu mirë kam kaluar po me shumë tek instituti sepse komunikoj me gjuhën e shenjave dhe mësova shumë gjëra të bukura. Në institut isha si në shtëpinë time… Flija, haja dhe luaja me shoqërinë. Bënim aktivetet të ndryshme… Mësuesit, kujdestarët e të tjerë, të gjithë janë si mamat dhe baballarët tanë”, tha 18 vjeçarja për pozitivi.org.
Pozitivi.org mëson se aktualisht Ejona është anëtare bordi tek KRSHND (Komuniteti i të Rinjëve në Shqipëri që nuk Dëgjojnë) njëkohësisht fillon vitin e dy për pikturë tek Liceu Artistik “Jordan Misja në Tiranë”. 18 vjecarja rrëfen se ka qenë një zgjedhje e vështirë, por e vetmja. Në Shqipëri nuk ka shkollë të mesme për personat që nuk dëgjojnë, ndaj ka nisur të Liceu ndonëse nuk i pëlqen piktura. “Ehhhh s’kam dëshirë të pikturoj po shkollë të mesme për fëmijë që nuk dëgjojnë nuk ka, prandaj jam futur në Lice”.
Një problematikë që e shoqëron vazhdimisht në Lice është vështirësia në komunikim. Përpiqet të gjejë zgjidhje nga më të ndryshmet, flet më pak se tjerët, kur s’e kuptojnë shkruan në fletore… Ejona rrëfen për pozitivi.org se përpiqet t’ja dalë në këtë mënyrë: “Është shumë e vëshirë… Nuk ka interpret në Shqipëri… Flas pak… Ndonjëherë nuk na kuptojnë atëherë shkruaj në fletore… Kisha shumë dëshirë t’i mësoja gjuhën e shenjave një shoqeje apo një shoku që të mund të na ndihmojë por jo… Me duket se s’kanë dëshirë të mësojnë gjuhën e shenjave”.
Vështirësi ka pafund por Ejona është kapur pas gjërave të bukura që e rrethojnë në jetë. Ka shumë miq që flasin me gjuhën e shenjave, e jo më pak nga ata që flasin përmes tingujve. Të gjithë dinë të flasin në mënyrën e tyre. Pozitivi.org kontaktoi me Ejonën për shkak të një dëshire mjaft humane që ajo ndau me miqtë në rrjete sociale. 18 vjeçarja është futur në botën dhe historinë e një 7 vjeçari, Ardit. E ka njohur në kafe. Teksa ka qenë me disa miq në kafene, 7 vjeçari shkoi të kërkonte të holla por mes tyre gjeti ngrohtësi. Kanë qëndruar me orë të tëra bashkë… Ejona mësoi historinë e tij të trishtë, prindërit e keqtrajtojnë, as në shkollë nuk e çonin. Duke ditur këto rrethana e fton ta marrë në shtëpi, të kujdeset si të ishte djali i saj por vogëlushi nuk pranoi. Megjithathatë ata ende janë miq të mirë dhe Ejona përpiqet ta ndihmojë sa herë mundet…
“Është Ardi dhe 7 vjeç! Është një nga fëmijët më të dashur. Një vogëlush shumë i dashur, e dua si djalin tim. Kur erdhi në kafe rrinte si një fëmijë i pafajshëm. Më ka treguar për historinë e tij. E kam zemrën e thyer dhe po mendoja ta merrja djalin e vogël në shtëpi, të rrintë si në shtëpinë e tij. Doja t’I jepja gjithçka që do donte, sepse është një fëmijë i pafajshëm! Të dua shumë i vogli im Të uroj të rritesh i shëndetshëm dhe i lumtur”, shkruante Ejona disa orë pas takimit me Andin e vogël 7 vjeçar… Në intervistën e plotë për pozitivi.org Ejona rrëfen planet që ka për të ardhmen
Intervista ekskluzive me Ejona Balla për pozitivi.org:
Pozitivi: Kjo foto transmeton shumë dashuri. Si u takuat me djalin?
Ejona: Isha bashkë me 2 shokët e mi dhe ai erdhi në kafe e po rrinte si një fëmijë i pafajshëm! Kam shumë deshirë ta marr atë djalin e vogël por ai e ka një familje por sillen keq me të. Domethënë nuk janë të mirë… Doja që t’i laja rrobat, t’i bëja një dush, me pas t’i jepja dhe rrobat e vëllait tim por ai nuk pranoi. Më përqafoi dhe më puthi disa herë.
Edhe shoku im që quhet Jaho Pura, kur ishim në kafe i bleu ëmbëlsirë Ardit. Unë jam një vajzë që nuk dëgjoj dhe nuk flas, e si mund të flas unë me atë çunin e vogël…! Por kam një shok tjetër që quhet Ramazan Kovaçi që është interpret. Teksa ishim në kafe Ardi i ka treguar për historinë e tij ndërsa Ramazani ma ka treguar mua si intepret. Qëndruam 3 ose 4 orë me të, unë e ushqeva me ëmbëlsirën që i dha Jaho. Kur mbaruam kafenë shkrepën disa foto… Donte dhe bukë, blemë pastaj e hëngri…
Pozitivi: Sa vjeç ishte Ardi?
Ejona: E pyeta si e ke emrin më tha Ardi, e pyeta sa vjeç je me tha jam 7 vjeçe. Më pas e pyeta nëse shkon në shkollë, me tha jo se më rrahin prindërit… Aty ma ka thyer zemrën, më pas e përkëdhela dhe qëndroi me mua…
Pozitivi: Ku jetonte, sa qëndroi me ju?
Ejona: Unë jam nga Përrenjas dhe jetoj në Tiranë. Edhe ai është nga Përrenjas…
Rreth 3 ose 4 orë qëndroi me ne.
Pozitivi: Hera e parë që e takove?
Ejona: Hera e parë ka qenë kur isha me një shoqe. Ai erdhi dhe më kërkoi ca të holla dhe ia dhashë. Që aty më bëri për vete, më falenderoi shumë… Herën e dytë isha me 2 shokët dhe ai qëndroi 3 ose 4 orë me mua . Po kur e pashë përsëri doja t’i jepja gjithçka që donte vogëlushi…
Pozitivi: Ti ku studion?
Studioj ne Liceu Artistik “Jordan Misja në Tiranë”.
Po 10 vjet studiova në institutin e nxënësve që nuk dëgjojnë tani jam tek liceu.
Pozitivi: Të pëlqen të pikturosh?
Ejona: Ehhhh Skam dëshir të pikturoj po shkollën të mesme që nuk dëgjojnë nuk ka prandaj jam futur në shkollën e liceut.
Pozitivi: Po te liceu është më e lehtë, si arrin të komunikosh?
Ejona: Është shumë e vëshirë… Nuk ka interpret në Shqipëri… Flas pak… Ndonjëherë nuk na kuptojnë atëherë shkruaj në fletore…
Kisha shumë dëshirë t’i mësoja gjuhën e shenjave një shoqeje apo një shoku që të mund të na ndihmojë por jo… Me duket se s’kanë dëshirë të mësojnë gjuhën e shenjave.
Pozitivi: Çfarë bën në kohën e lirë, s’i e kalon ditën zakonisht?
Ejona: Tani që jam pushim në shtëpi rri … Pasditeve dal dhe për kafe.
Pozitivi: Si kanë qenë vitet e shkollës në institutin e nxënësve që nuk dëgjojnë?
Ejona: Në fillim e kam pasur të vështirë tek instititi në vitin 2006, por me kalimin e kohës çdo gjë ndryshoi. Aty e mbarova shkollën në vitin 2016… U lidha shumë me shokët, shoqet… Edhe tek Liceu mirë kam kaluar po me shumë tek instituti sepse komunikoj me gjuhën e shenjave dhe mësova shumë gjëra të bukura. Në institut isha si në shtëpinë time… Flija, haja dhe luaja me shoqërinë. Bënim aktivetet të ndryshme… Mësuesit, kujdestarët e të tjerë, të gjithë janë si mamat dhe baballarët tanë.
Pozitivi: Po me familjen si komunikon?
Ejona: Unë jam njeri që nuk dëgjoj, u kam ngjarë prindërve. Kam vetëm një vëlla.
Mami babi si unë, nuk flasin as dëgjojnë ndërsa vëllai mesatar. Tashmë ka filluar shkollën e dëgjimit dhe është në klasë të 6.
Pozitivi: Mendon se paragjykohen personat që nuk dëgjojnë e flasin në Shqipëri, e ke ndjerë diçka të tillë ti vetë?
Ejona: Po mendoj që dhe paragjykohen por që ne do ia dalim mbanë që mos na paragjykoje njeri.
Pozitivi: Çfarë planesh ke në të ardhmen?
Ejona: Kam plan që mund t’i ndihmoj fëmijët e insitutit kam dhe shumë planë të tjera… Unë jam anëtare bordi tek KRSHND (Komunteti i të rinjëve në Shqipëri që nuk dëgjojnë). Ëndrra ime më e madhe është të jem sa më sociale dhe mësuese në insitut. Ne jemi gjithësej 7 veta dhe do punojmë me fëmijët që nuk dëgjojnë duke u mësuar si të vishen… si të kujdesen për veten… të gjithë ne duam që këta fëmijë të ndihen të lumtur… Vjet kam qenë në Norvegji dhe atje kam mësuar shumë gjëra, ëndrra ime është të bëhem dikush dhe t’i ndihmoj këta fëmijë që ndodhen në institutin që nuk dëgjojnë, duke u krijuar mundësi të reja në të ardhmen pasi jo çdo gjë është e lehtë për ne sepse shumica e njerëzve na kuptojnë me vështirësi. Unë dëshiroj që gjuha e shenjave te përhapet duke e mësuar të gjithë… Në këtë mënyrë që dhe ne të ndihemi të barabartë ashtu si njerëzit e tjerë…
© 2017, Pozitivi. All rights reserved.






