Adelina Laçi, e reja me 2 universitete pranë qytetarëve në nevojë gjatë pandemisë së Covid – 19
10/05/2020 Shpërndaje

Adelina Laçi, e reja me 2 universitete pranë qytetarëve në nevojë gjatë pandemisë së Covid – 19

Ka përfunduar 2 universitete por fakti që është pranë qytetarëve në nevojë ka qenë gjithnjë prioritet për Adelina Laçin. Ajo ka zgjedhur të kthehet dhe të kontribuojë në qarkun e saj të lindjes dhe periudha e pandemisë nga Covid 19 ishte një tjetër rast për të treguar se ajo qëndron gjithnjë pranë qytetarëve në nevojë. Është pikërisht kjo arsyeja që sot ajo është edhe pjesë e strukturave drejtuese në Bashkinë Klos edhe pse në një moshë relativisht të re. Përgjatë gjithë periudhës së Covid 19 Adelina Laçi bashkë edhe me të gjithë vullnetarët, edhe ata të UNFPA Albania ishin pranë banorëve në nevojë. Por si ka qenë kjo e gjithë kjo periudhë, a ekzistonte frika e prekjes nga Covid 19, Adelina Laçi rrëfehet ekskluzivisht për Pozitivi.org.

Pyetje: Gjatë pandemisë së Covid 19, kohë kur qytetarët ishin të izoluar, ju vendoset që të ishit pranë qytetarëve në nevojë, pse kjo zgjedhje?

Adelina Laçi:

“Që ditën që jam zotuar të jem përkrah popullit tim e të bëj të mirën për ta, nuk e kam menduar për asnjë moment largimin nga qytetarët e mi. Gjatë pandemisë Covid-19 ishte koha kur më shumë se kurrë unë jam përkushtuar për të bërë më të mirën për të gjithë qytetarët e bashkisë, e veçanërisht për shtresat më të ndjeshme. Mirëqenia dhe siguria e tyre , kanë qenë përparësia e të gjithë ekipit të bashkisë gjatë gjithë kësaj periudhe, ende kujdesi dhe përkujdesja vazhdon me përkushtimin maksimal”.

Pyetje: A kishit frikë që duke ndihmuar qytetarët mund të rrezikonit dhe të prekeshit nga virusi Covid 19?

Adelina Laçi:

“Sigurisht që frika ekziston, por kur vishesh me përgjegjësinë që ke një komunitet që presin ndihmë, kanë nevojë pafund për nga ty, nuk e mendon frikën por mendon sesi duhet të veprosh për të bërë më të mirën për ta. Gjatë kësaj periudhe më shumë sesa në zyrë jam gjendur në terren, pranë qytetarëve më në nevojë. E di, në fakt frika ime më e madhe ka qenë që të mund të mos rrezikoja familjet ku shkoja. Nuk kisha frikë për veten por për njerëzit që më rrethojnë. Por me kujdesin maksimal dhe duke respektuar të gjitha masat e sigurisë, falë zotit , e gjitha puna e atyre ditëve ka rezultuar me sukses”.

Pyetje:Si jeni gjendur në grupin e vullnetarëve, pse kjo zgjedhje?

Adelina Laçi:

“Ne si bashki ndërmorëm një nismë ku sipas së cilës krijuam grupe patronazhi vullnetaresh. Brenda këtyre grupeve ka patur punonjës të administratës si dhe vullnetarë që kanë shprehur vullnetin e mirë për t’ju ardhur në ndihmë pensionistëve të vetmuar dhe shtresave në nevojë. Unë sapo u krijua rrjeti i vullnetarëve nga dita e parë unë jam bërë pjesë e tyre. Ndjeja që duhej të isha atje, atje ku nevoja thërriste e t’ju vinim sado pak në ndihmë, përmes ndihmave ushqimore apo çdo lloj ndihme tjetër”.

Pyetje: Si e mendoni të ardhmen, do të jetë pjesë e jetës tuaj edhe angazhimi si vullnetar, për të qenë pranë njerëzve në nevojë?

Adelina Laçi:

“Asnjëherë nuk mendoj që do shkëputem nga ideja për të qenë pranë njerëzve që kanë nevojë.  Do jem gjithmonë një dorë ku ata që janë në nevojë do të gjejnë mbështetje”.

Adelina  Laçi ka lindur më 25 maj 1992 në Burrel. Ka mbaruar shkollën e mesme në qytetin e lindjes e më pas ka përfunduar studimet për Gjuhë-Letërsinë 2013.

Organizata të ndryshme sic është UNFPA Albania kanë bashkëpunuar përgjatë gjithë periudhës së pandemisë së Covid 19 me qëllim për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve në nevojë.

@unfpaalbania

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.