A do zgjidhen/ Çmimi i lartë i parkimit në Tiranë, sjell kaos në zonat pa pagesë
16/01/2019 Shpërndaje

A do zgjidhen/ Çmimi i lartë i parkimit në Tiranë, sjell kaos në zonat pa pagesë

Çmimi i lartë i parkimit me pagesë në Tiranë ka shkaktuar kaos për drejtuesit e automjeteve dhe banorët e lagjeve ku parkimi është pa pagesë. Të gjithë përpiqen të gjejnë hapësira pa pagesë. Arben Sazani, 64 vjeç, ndërlidhës i zonës 27 në njësinë 8, thotë se në rrugën “Katër Dëshmorët” dhe “Qemal Stafa” parkimi 100 lekë ora e vendosur prej katër muajsh ka bërë që automjetet që  pushonin aty, të zhvendosen në rrugët “Riza Çerova”, “Dervish Hekali”, “Shaban Jegeni”. Kjo situatë ka shkaktuar shqetesime për banuesit pranë këtyre rrugëve.

Në këto rrugë sipas ndërlidhësit të zonës 27 ka dyndje automjetesh të cilat bllokojnë aktivitetet e përdishme. Zjarrëfikëset e kanë të vështirë të futen në rast rreziku. Makinat e plehrave mezi pastrojnë, si pasojë i tërheqin kazanët, edhe natën, duke shkaktuar zhurmë. “Makinat që duhet të parkonin tek rrugët “4 Dëshmorët” ose te “Qemal Stafa futen te “Riza Çerova”, “Dervish Hekali”, “Shaban Jegeni”, duke i bllokuar këto të fundit, pasi parkimi aty është pa pagesë.

Aty dyndosen keq. Mirëpo puna është se njerëzit lënë plehrat midis makinave, ose kur fryn një erë e fortë siç janë këto ditë, aty ka shumë plehra. Edhe sanitaret që vijnë duhet të shtrihen poshtë makinave për të kapur mbeturinat. Sepse nga dyndjet e makinave nuk mund të fshijnë. E dyta, në raste zjarri, nuk mund të hyjë ambulanca, edhe për urgjencë. Në atë rrugë nuk mund të shkojë zjarrëfikësja. Makina e plehrave është problem. Për shkak se rruga është e bllokuar, ato detyrohen ti tërheqin kazanët, edhe në mes të natës duke shkaktuar zhurmë”, këto janë disa probleme që shkaktohen nga numri i latrë i makinave që parkohen në rrugë, sipas banorit.

Për zgjidhjen e këtij problemi qytetarët sugjerojnë të ulet çmimi i parkimit. “Mirë gjatë natës, por edhe gjatë ditës duke qenë se është 100 lekë ora për parkim, shumë pak parkojnë aty, sepse nuk mundet njeriu të punojë për parkimin e makinës, sepse tetë orë i thonë 8 mijë lekë, për 30 ditë i thonë 240 mijë lekë. Kerkojme nga bashkia që të shikohet çmimi që kanë vënë për parkim, sepse mesa di unë te Brryli është 20 lekë ora. Ndoshta këtu 20 lekë nuk bëhet por mbase 30-40 ose 50 lekë. Vetem keshtu mund te zgjidhet kjo rremuje”, tha një tjetër banor.

Edhe Dorjan Zanaj, në zonën 24-26 ngre si problem kryesor parkingun. “Në këtë zonë ka parking pa pagesë ndaj shkojnë automjete nga larg. Si pasojë banorët e këtyre pallateve nuk kanë ku të parkojnë automjetet e tyre”, thotë ai. Po ashtu edhe në këtë zonë pastrimi dhe lëvizja si për makinat e tjera në qarkullim dhe për këmbësorët bëhet e vështirë si pasojë e numrit të lartë të makinave të parkuara.

Ndërkaq një tjetër banor i kësaj njësie shton se pas shkollës “4 Dëshmorët”, është një hapësirë boshe, që banorët kërkojnë të bëhet park për fëmijë. Në këtë hapësirë është shumë errësirë, dhe ka nevojë për ndriçim sepse shfrytëzohet nga të rinjtë që konsumojnë lëndë narkotike. “Te rruga ‘4 Dëshmorët’ është një ambient bosh. Unë i kam kërkuar disa herë edhe administratorit të shikohet se aty thedhin mbeturina njerezit. Në darkë ajo pjese është edhe errësirë dhe kemi parë të rinj që në konsumojnë lëndë narkotike. Ndaj do ishte mirë që të bëhej kënd lojërash për fëmijët, të ketë ndriçim, të vihet në lëvizje. Ndriçimi është i domosdoshëm sepse fëmijët luajnë me top tek pallati, nëpër bordura dhe nuk kanë një ambient të përshtatshëm”.

Resul Mele ndërlidhës në zonën 36-40 thotë se në rrugën “Besim Daja” dhe “Hamit Troplini” kërkohen investime në infrastrukturë dhe ndriçim. “Tek rruga “Besim Daja” nuk është investuar për 25 vjet. Kërkohen tabela, ndriçim, stola. Sheshi “Sabri Koçi” duhet rikonstruktuar, si dhe të ndryshohet  sheshi i Medresesë”, thotë ai mes të tjerash. Në disa rrugë sipas tij ka probleme edhe me kanalizimet e ujërave të zeza.

Gjithashtu bashkangjitur me problemet e mësipërme gjatë forumit të zhvilluar nga QKSCSH në njësinë administrative 8 me banorë dhe administratorin Bujar Xhafa, u vu theksi te kushtet e këqija në të cilat ndodhen pallatet e vjetra, për shkak se në to nuk ka pasur investime. Disa pallate te rruga “Dervish Hekali”, sipas një banori brenda s’kanë ndriçim dhe janë të ndotur. “Te pallati “Dervish Hekali” brenda s’ka fare ndriçim dhe është shumë i ndotur në katin e parë. Kjo e ka bërë të vështirë jetesën për banorët e këtij pallati.

Lënia pas dore e pallateve të vjetra dhe problemet me kanalizimet kanë shkaktuar edhe përmbytje. Pallati pranë rrugës “Haxhi Sina” kur bie shi përmbytet, sepse kanalizimet nuk janë bërë si duhet. Banori shton se po në këtë rrugë, pas pallatit është një parking pa pagesë, ku ata kërkojnë që të bëhet kënd lojërash.  Qytetarët më tej kanë vijuar të ngrenë problemin e ujërave të zeza, mungesën e këndeve sportive nga Uzina Dinamo deri te Bregu i Lumit, mungesen e trotuareve, e të tjera.

Pas evidentimit të problematikave nga banorët vëmë re se ka akoma shumë për të bërë në këtë njësi. Redaksia jonë jo vetëm do të ngrejë shqetësimet e qytetarëve, por do të ndjekë se sa prej tyre do të marrin zgjidhje.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.