7 vjeçarja pa këmbë realizon ëndrrën, tani ajo mund të ecë (VIDEO)
Frosina është një vajzë e qeshur, e shkathët dhe plot jetë. Vogëlushja është 7 vjeçe, ka lindur në Tiranë por me një problem. Fatkeqësisht asaj i ka munguar njëra këmbë që në lindje dhe kjo e ka kufizuar t’i gëzohet shumëçkaje në jetë. Historia e të voglës është e trishtë. Prej 7 vitesh ka jetuar e vetme me babain. Nëna e ka lënë sapo e ka sjellë në jetë, sepse kishte një lindje të vështirë me komplikacione.
Pozitivi mëson se këtë vit Frosina ka nisur klasën e parë, me një protezë të vjetër e cila s’i bënte më. Më vonë nisi ta çojë gjyshi derisa në ndihmë i vjen gazetari Osman Stafa për t’i shtuar ngjyrat e jetës. Kishte kohë që nuk vraponte, nuk luante me moshatarët, nuk shkonte tek parku i lojrave apo në vendet që donte sepse i mugonte proteza. Sa e trishtë të shikosh një fëmijë që do të bëjë gjithçka, por është e mbyllur mes katër mureve të shtëpisë pavarësisht tenton të “thyejë hekurat”.
7 vjeçarja tashmë e ka marrë dhuratën e vetme që kërkoi për Vitin e Ri, falë dëshirës së madhe të Stafës për ta ndihmuar. Ajo kërkonte që në pushimet e vitit të ri të ecë me këmbët e saj, të realizojë ëndrrat, të mos qajë më poshtë krevatit. Proteza kushtoi vetëm 60 mije leke (te reja), të cilat u mblodhën në kohë rekord. Tani ajo fluturon nga gëzimi, sepse sot ka pasur një ditë ndryshe, që e ka lumturuar pafund.
Sot përveçse mori dhuratën që kishte kërkuar për vitin e ri, shkoi për herë të parë tek lodrat. Në këtë video, sytë e saj shprehin një emocion të veçantë, raporton Pozitivi. Sa pak duhet për të bërë një gjë shumë të madhe për dikë që ka nevojë. Sa pak duhet për t’i dhënë shpresë për jetën një ëngjëlli të vogël. Sa fëmijë të tjerë ka si Frosina, që për vit të ri nuk kërkojnë si dhuratë rroba apo kukulla, por kërkojnë të ngrihen në këmbë, të kenë një strehë apo kushedi çfarë nevoje tjetër jetike.
Kthehmi sërish tek lajmi i mirë, Frosina, për t’u motivuar. Ka dy lajme të mira sot për të, jo vetëm një. Ajo siguroi protezën dhe për vitin tjetër. Sakaq sfida vazhdon derisa të rritet sepse gati çdo vit duhet të ndërrojë protezën. Me buzëqeshje ia doli këtë herë e po kështu do ia dalë derisa të rritet të bëhet e madhe, e t’i dalë për zot vetes./Pozitivi.org/
© 2017, Pozitivi. All rights reserved.




