4 adoleshente në Tiranë po themelojnë sipërmarrjen për artistët e rinj
4 vajza të reja dëshirojnë të ndërtojnë një kompani marketingu në Tiranë që të promovojë talentet e reja. Bëhet fjalë për maturanten Arlinda Doci, ideatoren e “Albania’s Marketing Influencers”, Sara Kureta studente filozofie, Xhesika Doci maturante dhe Qyqe Rexhameti nxënëse në shkollë profesionale për IT. Më e madhja prej tyre është vetëm 18 vjeç por ambiciet i kanë të qarta.
Dëshira dhe guximi i 4 adoleshenteve për të promovuar artin dhe për të ngritur një biznes së bashku, është për t’u admiruar. Çdo gjë e kanë menduar deri në detaj dhe tani janë në fazën e parë të projektit, atë të kontaktit me artistët e rinj dhe investuesit, me bashkëpunimin e të cilëve duan të realizojnë një ekspozitë në shtator, raporton pozitivi.org.
Në këtë fazë ata duan të promovojnë vetëm piktorët dhe skulptorët e rinj me veprat e tyre. Gjatë një interviste për pozitivi.org Sara një nga 4 vajzat që iu bashkua këtij projekti me shumë entuziazëm, tregon planet që kanë për ta kthyer këtë projekt në një kompani marketingu që si objektiv kryesor gjithmonë do ketë artin dhe vlerat. Mësoni mbi strategjinë inovative që adoleshentet duan të ndjekin për realizimin e këtij qëllimi kaq të bukur përmes intervistes së Sarës.
Intervista ekskluzive për pozitivi.org me Sara Kureta:
Sara Kureta, 18 vjeç, në vit të parë bachelor, sdudioj për filozofi. Hobit e mija janë sporti dhe të lexoj libra. Aktualisht jam dhe në punë. Unë punoj bar tender në një lokal në Tiranë. Puna aty më ka ndihmuar shumë që të përmirësoj aftësitë e mija komunikuese, të njoh njerëz të rinj dhe të lidhem më shumë pas kulturës duke qenë se edhe lokali ku unë punoj është model i kohës së komunizmit pra ka të gjitha llojet e gjërave që i përkasin asaj kohe. Po ashtu jam dhe pjesë e Albania’s Marketing Influencers.
Pozitivi: Si ka lindur ideja e Albania’s Marketing Influencers dhe si u bëre pjesë ti?
Sara: AMI ka lindur si përfundim i projektit TET, ishim 9 pjesëmarrës në Albanian Business Generation, që do bënin sipërmarrje të tilla dhe do të shfaqeshin idetë në panair. Arlinda ishte ajo që e kishte idenë e kompanisë tonë të marketingut. Unë në fillim pashë faqen e AMI-t në instagram dhe e gjeta veten. I shkruaj Arlindës për të marrë informacion pak më shumë, ajo më dërgoi linkun dhe aplikova. U bëra pjesë dhe vendosëm që ti ndjamë punët duke qenë se jemi katër vajza që merremi me këtë punë. Unë do merrem me pjesën e PR dhe menaxhimin e rrjeteve sociale, me webin. Kemi një vajzë që merret me IT, e cila ka bërë dhe webin, pra është marrë me pjesën teknike. Në fillim se dinim sa sukses do ketë si projekt, por kemi shkuar tek liceu, bëmë prezantimin dhe pamë sa të interesuar kishte. Sepse fokusi jonë janë artistët e rinj, për të promovuar talentin që kanë.
Pozitivi: Si e pritën ata?
Sara: Në fakt pamë që kishte mjaft interes. Kjo ishte thjesht si prezantim ideje por nuk morëm emrin dhe kontaktet, ne prezantuam mundësinë që ofrojmë dhe si të aplikojnë vetë artistët e rinj. Pastaj ishte dhe panairi që mendojmë se patëm sukses. Kishim kontakte me kompani marketingu dhe me ju që në njëfarë mënyre ishte promovim. Deri tani unë them që jemi një grup i mirë dhe me prenisa për të ardhmen.
Pozitivi: Sa kohë ka që është formuar grupi?
Sara: Unë kam një muaj që jam bërë pjesë. Gocat më shumë, 3 ose 4 muaj. Ne e nisëm me mendjen që ishte një organizatë por që mendojmë ta kthejmë në një kompani të mirëfilltë marketingu, sepse kemi premisa.
Pozitivi: Na trego pak për vajzat, 3 anëtaret e tjera të grupit?
Sara: Atëherë ideatorja dhe themeluesja është Arlinda Doçi, e cila është maturante këtë vit. Xhesika është gjithashu maturante dhe ka të njëjtin rol si unë për PR dhe media sociale. E katërta është Qyqe Rexhameti e cila merret me pjesën e IT, duke qenë se është në shkollë profesionale për IT.
Pozitivi: Gjithmonë ke qenë e angazhuar në projekte dhe nisma të kësaj natyre?
Sara: Gjithmonë kam pasur një jetë aktive mund të them. Kam marrë pjesë në një kampionat debati në vit të tretë në gjimnaz. Unë gjimnazin e kam bërë tek Ismail Qemali. Ka qenë një debat i modelit britanik që ishin 2 panele, 2 pro dhe dy kundra, ka zgjatur 3 ditë dhe aty arrita të shkoj deri në finale. Temën nuk e mbaj mend ekzaktësisht por di që ka qenë në këtë natyrë nëse shteti duhet të ndikojë tek ekonomia apo është vetë tregu rregullator i ekonomisë. Kam qenë shumë aktive në të gjtha aktivitetet që bëheshin nga shkolla. Për një periudhë kohe të caktuar kam qenë e angazhuar tek fundjave ndryshe. Tani duke qenë se kam punën s’kam kohë të merrem dhe me shumë gjëra, por për AMI-n do e gjej gjithmonë kohën.
Pozitivi: Në çfarë faze jeni tani tek fushata me AMI-n, a keni mundur të gjeni artistët e parë?
Sara: Ne ende se kemi nisur tamam këtë fazë sepse gjatë muajve të verës jemi në fazat e para dhe do mbledhim kontakte. Projekti do bëhet vitin tjetër shkollor të artistëve. Tek panairi na lanë disa kontakte, ishin dy vajza për pikturë dhe një djalë për dizanj, plus disa aplikime që na kanë bërë te webi. Në web kanë mundësinë që të aplikojnë të gjithë ata artistë të rinj që duan të promovohen.
Pozitivi: Ju tani punoni vullnetarisht, si do i mbuloni shpenzimet, çfarë keni planifikuar në të ardhmen?
Sara: Ne punojmë vullnetarish për momentin, por në momentin që do mbledhim investitorët atëherë do të investojnë me një shumë, që në krahasim me format e tjera të marketingut kjo është shumë lirë. Dhe nga kjo shumë neve do të nxjerrim shpenzimet që do na duhen për projektin qoftë dhe bazat materiale për artistët që ne do përpiqemi ti përmbushim vetë edhe pse nuk ka një artsit që s’ka telajo në shtëpi por përsëri ne do të përpiqemi që ti ndihmojmë me sa mundemi. Mendojmë që të ketë dhe një shumë simbolike, në formë motivimi për artistët e rinj. Kemi bërë një plan biznesi në thonjëza deri tani dhe që supozojmë të dali mirë si projekt.
Pozitivi: Në panair, ju nuk u përzgjodhët një nga 3 fituesit, a ju erdhi keq për këtë?
Sara: Në panair ishin 9 stenda me ide të ndryshme dhe në fund u përzgjodhën 3 fitueset, më të mirat. Faktikisht na erdhi keq që nuk fituam sepse u përpoqëm shumë për këtë projekt dhe vazhdojmë që të punojmë fort sepse presim diçka më shumë. Pa dashur të hedhim poshtë idetë e të tjerëve tema jonë që ne zgjodhëm, është një strategji marketingu që nuk para është bërë në Shqipëri dhe jo e kushtueshme. Kompanitë në televizion japin shuma marramendëse për të bërë reklamë kurse me ne është e kundërta, do lënë një shumë të caktuar dhe do jetë një vepër arti.
Pozitivi: Kush është aktiviteti kryesor i juaji, përmes të cilit edhe do promovoni talentet e reja por dhe të reklamoni investuesit?
Sara: Realizimi i projektit do të jetë tek ekspozita, aty do jetë marketingu i vërtetë. Me punimet e artistëve do bëhet ekspozita. Për çdo artist do ketë një investues. Një artist do e bëjë veprën e artit për investuesin. Në këtë fazë po përpiqemi të lidhim kontakte me artistë, që vetëm pikturojnë si dhe po kontaktojmë me investitorët.
Pozitivi: Mendoni se është kaq e lehtë që 4 vajza të reja të bindni investitorët?
Sara: Është e vështirë por do ta provojmë. Në panair kishte interes ndaj e kemi nisur me optimizëm. Ky projekt s’do ketë humbje as për investitorin as për artistin. Të dyja palët do promovohen. Për artistin dhe kompanitë është promovimi. Ne zgjodhëm këtë formë sepse artistët e rinj në Shqipëri nuk janë fare në fokus, dhe në këtë mënyrë arrijmë të ndryshojmë diçka. Ashtu sikundër ka dhe shumë kompani që nuk njihen dhe kanë nevojë të promovohen me një kosto më të ulët.
Pozitivi: Kur mendoni ta finalizoni ekspozitën dhe ku?
Sara: Në vjeshtë medojmë ta bëjmë ekspozitën. Gjatë verës bëjmë punën e mbledhjes së artistëve dhe kompanive. Mendojmë ta bëjmë tek Qendra Rinore edhe pse ende se kemi 100 përqind të sigurt. Kemi planifikuar të zgjase. Nga Beklie Koltraka
© 2018 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.
