“10 ditë nën bomba, ishin përjetësi”, nëna ukrainase e strehuar në Shqipëri: Si shpëtova nga lufta bashkë me djalin
Dhurata më e bukur e 8 marsit për nënën nga Ukraina Marina Genkina ishte arratisja nga lufta, bashkë me djalin e saj 10 vjeçar. Të ndihmuar nga gazetari Julian Kasapi dhe operatori Zhaku Myftari, të cilët ndodheshin në Ukrainë për të raportuar për luftën, u nisën nga Lviv në datën 6 mars. Në Tiranë mbërritën në 8 mars. Në një intervistë për pozitivi.org, Genkina rrëfen për udhëtimin nga lufta në Tiranë.
“Unë me djalin mbërritëm në Shqipëri më 8 mars. Kishim 10 ditë në Kharkiv nën bomba, 2 ditë udhëtim shumë të vështirë nga Kharkiv në Lviv. Dhe është e vërtetë, që dy burra, gazetarë, na ndihmuan shumë dhe e bënë udhëtimin tonë nga Lviv në Tiranë më të sigurt, të shpejtë dhe më komod. Ata janë persona shumë të mirë”, tha ajo.
Ndonëse ka shpëtuar jetën e saj dhe të djalit nga lufta e egër që po zhvillohet prej 19 ditësh, kokën e ka pas, te të afërmit që ka lënë atje. “Sigurisht që kam lënë familjen pas, prindërit e mi, familja e vëllezërve, të afërmit dhe miqtë e tjerë ende janë atje”.
Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës ku ajo është rritur dhe ka jetuar, është sulmuar më së shumti nga forcat ruse. Në këtë qytet viktima e parë e luftës është koha. Si pozicion është afër kufirit me Rusinë dhe bombardimet nga artileria ruse nuk kanë të ndalur. 10 ditë në luftë, Marina tha se i janë dukur si përjetësi.
“Qyteti im është bombarduar më së shumti. Sepse rusët nuk mundën të hyjnë brenda. Ne kemi ushtri të fortë. Sigurisht, është e tmerrshme kur dëgjon gjithmonë shpërthime dhe kur nuk e di se ku do të godasë bomba herën tjetër. Gjëja më e keqe është kur një avion luftarak fluturon mbi shtëpinë tuaj. Jetonim me frikën se do të lëshohet një bombë në shtëpinë tonë. Rreth 2 javë luftë ishin përjetësi”, shtoi Marina.
Viktimat më të pafajshme të kësaj lufte janë fëmijët. Të mësoheshin të jetonin për ditë me rradhë me zhurmat e bombave ishte e vështirë për to e sidomos për prindërit e tyre që po luftonin për të jetuar. Megjithatë Marina tregon se djali i saj është treguar i fortë dhe ka qëndruar i qetë gjatë luftës.
“Mendoj se është stres për të gjithë. Por ai është një djalë i fortë. Ai është përpjekur të qetësohet”.
Ndonëse shumë e kanë humbur këtë betejë kundër armikut e mijëra të tjerë janë arratisur për të shpëtuar kokën, Marina shprehet e bindur dhe me shpresë se Ukraina do të fitojë.
“Dua të gjithë ta dinë se rusët vranë njerëz. Por unë jam i sigurt se ne do të fitojmë. E vërteta është në anën tonë”, përmbylli Marina.
/Nga Beklie Koltraka
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
