Masakra dhe bisedime në ditën e 66-të, ka vullnet për ulje armësh në luftë
Në ditën e 66 të luftës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh i gatshëm të takohet me hoimologun rus Vladimir Putin pavarësisht masakrave që rusët kanë kryer ndaj qytetarëve të pafajshëm të vendit të tij.
Nga ana tjetër presidenti ukrainas Zelensky e konsideron shumë të lartë mundësinë që dialogu me Rusinë të mbyllet, por shprehet i gatshëm të takohet me Putin pavarësisht masakrave të kryera në Buça, Mariupol dhe qytete të tjera të Ukrainës.
Edhe sot ka pasur bombardime të ashpra. Një avion ukrainas ka goditur me dy raketa një fshat rus në rajonin e Briansk në kufi me Ukrainën. Sulmi dëmtoi impiante që përdoren për ruajtjen e naftës. Nuk ka raportime për të plagosur apo viktima.
Sipas Kievit forcat ruse kanë vjedhur qindra mijëra ton grurë në zonat e pushtuara të Ukrainës. Gjithashtu një automjet që shpërndante materiale mjekësore në një spital ukrainas është shkatërruar nga një sulm rus, si dhe një automjet me vullnetarë në rajonin e Luhansk.
Sipas shërbimeve britanike të inteligjencës për shkak të avancimeve të dështuara në veri lindje të Ukrainës, Rusia është detyruar të bashkojë dhe të rishpërndajë njësitë e saj por sipas raportimit të fundit të këtij shërbimi, morali i ushtarëve rusë ëshët shumë i ulët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana e tyre kanë bërë të qartë se nuk duan pjesëmarrjen e Rusisë në samitin e G20-ës që këtë vit mbahet në Indonezi.
Ministri i jashtëm rus Lavrov deklaroi se Moska nuk e sheh veten në luftë me NATO-n sepse kjo do të përshkallëzonte rrezikun e një lufte bërthamore. Sipas tij Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Natos e përdorin Ukrainën si një mjet për të kufizuar veprimet e Rusisë. Ai theksoi se para fillimit të operacionit ushtarak në 24 shkurt, Uashingtoni dhe Aleanca Atlantike po i bënin presion Kievit të zgjidhte perëndimin ose Moskën. Lavrov gjithashtu akuzoi vendet e NATO-s se po bëjnë të pamundurën për të ndaluar përfundimin e operacionit ushtarak rus në Ukrainë.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
