TURIZIMI, SEKTORI MË “I SËMURË” NGA COVID-19
22/02/2021 Shpërndaje

TURIZIMI, SEKTORI MË “I SËMURË” NGA COVID-19

Shqipëria është vizituar nga 60 përqind më pak të huaj, gjatë vitit 2020, krahasur me një vit më parë! Arsyeja: Covid-19! Nga të gjthë sektorët e ekonomisë, turizmi rezulton si më i prekuri, me një mbyllje të veprimtarisë deri në 75 %. Të dhënat e prezantuara në një anketë të përgatitur nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve, tregojnë qartë se turizmi, një ndër shtyllat e zhvillimit ekonomik të vendit gjatë vitit 2020 ishte në pikëpyetje të fortë. Mbyllja e kufijve nga vendet e Bashkimit Europian, për shkak të shtimit të rasteve me koronavirus, bëri që turizmi të varet vetëm nga pushuesit vendas, të cilët gjithashtu kishin pasiguri të forta për shkak të situatës së përgjithshme, jo vetëm të pandemisë, por edhe asaj financiare.

Akomodimi, aktivitetet e zinxhirit ushqimor dhe agjensitë e udhëtimit / operatorët turistikë, të lidhur me sektorin e turizmit janë më të prekur nga situata COVID-19, ashtu sikundër pritej për shkak të kufizimeve të qeverisë ndaj aktivitetit të tyre. Kështu, 94% e aktivitetit të turizmit ndaloi punën plotësisht ose pjesërisht.  Në të kundërt, sektori i bujqësisë deklaron se është më pak i prekur nga situata e jashtëzakonshme, me specifikisht 24% të kompanive të cilët nuk e ndaluan aktivitetin dhe 57% të cilat pjesërisht e vazhduan aktivitetin.

Goditja që ka marrë turizmi ka një efekt shumë të madh në ekonominë shqiptare dhe kjo është arsyeja kryesore pse sipas të dhënave, vendi është përballur ndër të tjera, me një rënie ekonomike të thellë.

Për të siguruar vazhdimësinë e biznesit, kompanitë që operojnë në fushën e biznesit kanë deklaruar se do të përdorin të ardhura të mëparshme, si dhe do të ulin kostot. Po cili ka qenë fokusi?! Po sipas anketimeve dhe studimeve të realizuara mbi sjelljen e biznesit në pandemi, shkurtimi i vendeve të punës, për shkak të vështirësive në likujdimin e pagave, mbetet veprimi kryesor që ka ndërrmarë sektori i turizmit.

Në një analizë më  të thelluar, rezulton se sipas madhësisë, kompanitë me të ardhura mbi 8 milionë lekë shprehen se kanë ulur kostot për të siguruar vazhdimësinë e biznesit, ndërsa kompanitë me qarkullim deri në 8 milionë lekë  synojnë të përdorin të ardhurat e akumuluara për të siguruar vazhdimësinë e biznesit;

TË PAPËRGATITUR NGA E PAPRITURA

Situata që nisi në Mars të një viti më parë, gjeti të papërgatitur pjesën më të madhe të bizneseve në vend, por në mënyrë të veçantë kompanitë turistike. 86 % e kompanive kanë deklaruar se nuk kanë pasur një plan të aprovuar emergjence. Në fakt, kjo sjellje ka qenë e njëjtë edhe për bizneset e tjera që nuk operojnë në fushën e turizmit, pavarësisht nga madhësia. 

Mungesa e klientëve për muaj të tërë si dhe detyrimi për të respektuar me rigorozitet masat anti-covid, vendosur nga qeveria kanë bërë që gradualisht edhe kompanitë me serioze, e të çertifikuara si “të vjetra” në tregun e agjencive turistike t’i vënë kyçin biznesit të tyre.

SI U SOLL INDUSTRIA E TURIZMIT NË BOTË?!

Sektori turistik botëror raportohet të ketë humbur 1 300 miliardë dollarë në 2020 për shkak të kufizimeve të lëvizjeve si pasojë e pandemisë së COVID-19. Të dhënat zyrtare janë bërë publike nga Organizata Botërore e Turizmit,

“Kjo shifër përfaqëson më shumë se 11 herë humbjen e regjistruar gjatë krizës ekonomike botërore në vitin 2009 dhe korrespondon me një rënie prej 74% të mbërritjeve të turistëve në raport me vitin 2019”, është theksuar në komunikatën e OBT-së, agjencia e Kombeve të Bashkuara e ngarkuar me turizmin dhe me qendër në Madrid.

“2020 ka qenë viti më i keq në historinë e turizmit me një miliardë turistë më pak në raport me vitin 2019”, theksoi OBT.

Sipas ekspertëve të OBT-së, 100 deri në 120 milionë punonjës janë prekur direkt nga papunësia, shumë prej tyre në kompani të vogla dhe të mesme turizmi.

Organizata vë në dukje një përkeqësim të perspektivës globale për një rikthim në 2021 dhe vlerëson se do të duhen dy e gjysmë deri në katër vite që turizmi ndërkombëtar të kthehet në nivelet e 2019.

“Ne jemi të vetëdijshëm se kriza nuk ka mbaruar ende”, theksoi sekretari i Përgjithshëm Zurab Pololikashvili.

“Harmonizimi, koordinimi dhe digjitalizimi i masave për reduktimin e rreziqeve lidhur me COVID-19 në nivelin e udhëtimeve, veçanërisht depistimi, gjurmimi dhe çertifikata e vaksinimit, janë themelore për të promovuar udhëtime të sigurta dhe për të rikuperuar turizimin kur kushtet ta mundësojnë”, shtoi ai.

Azi-Paqësor është rajoni që regjistroi rënien më të madhe të mbërritjeve në vitin 2020 (-84% gjatë një viti), pasi ishte i pari i prekur nga pandemia dhe që aktualisht mban kufizimet më të forta për udhëtimet.

Për Europën, rënia është 70% gjatë vitit 2020, por kontinenti ka përjetuar rënien më të madhe në shifra absolute, me 500 milionë më pak mbërritje. Lindja e Mesme dhe Afrika ranë me 75% dhe Amerika me 69%.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.