The Mirror: Vajza e rrobaqepëses nga Fieri, “ndezi” skenën e Eurovizion
13/05/2018 Shpërndaje

The Mirror: Vajza e rrobaqepëses nga Fieri, “ndezi” skenën e Eurovizion

Eleni Foureira përfaqësuesja e Qipros në “Eurovision 2018” me këngën “Fuego”, e cila u rendit e 2 ishte një nga pretendentet kryesore për të rrëmbyer çmimin e madh. Përpara finales së madhe ‘The Mirror’, në artikullin dedikuar këngëtares me origjinë shqiptare, i ka bërë një profil, ku ndër të tjera flet dhe për origjinën shqiptare dhe si nga një vajzë e një rrobaqepësje u bë një këngëtare e suksesshme.

Eleni Foureira ka lindur më 7 mars 1987 në qytetin e Fierit (Shqipëri), dhe është vajza e një rrobaqepëseje dhe një punëtori ndërtimi. Për shkak të luftës civile Eleni së bashku me familjen e  lanë Shqipërinë dhe emigruan në Greqi. Ajo u rrit në Athina ku dhe kaloi një pjesë të jetës së saj.

Përsa i përket karrierës artistike dhe dëshirës për t’u bërë këngëtare ka nisur që në vogëli. Eleni gjithmonë e ka dashuruar performancën në skenë, e cila e bën më të veçantë krahasuar me artistet tjera. Fillimisht për disa vite ajo ka punuar në teatër. Në 2007  iu bashkua grupit “Mystique” dhe së bashku me 2 pjesëtarët e tjerë të grupit realizuan disa hite, mirëpo pas 2 vitesh grupi u shpërbë.

Më pas Eleni vijoi karrierën solo ku firmosi një kontratë me kompaninë e njohur diskografike  “Universal Music Greece”. Gjithashtu mori pjesë në një emision bamirësie “Just the two of us” ku fitoi dhe vendin e parë. Në fund të vitit 2010 Eleni realizoi albumin e parë solo me të cilin arriti shumë suksese dhe vlerësime.

Sukseset dhe karriera e gjatë në muzikë nuk i mjaftuan. Ajo gjithmonë ka dashur të jetë pjesë e Eurovision duke përfaqësuar Greqinë por dështoi. Këtë herë vendosi të përfaqësojë Qipron dhe dëshira më në fund iu realizua.

Me këngën “Fuego” e përkthyer në spanjisht “zjarr”, ajo ishte pretendente për të kapur vendin e parë. Pavarësisht se doli e dyta. Gjatë këtyre ditëve të komepticionit ndërkombëtar ka pasur shumë reagime për faktin se këngëtarja bëri shqiponjën, simbolin kombëtar të Shqipërisë së bashku me Eugent Bushpepën, përfaqësuesin e vendit tonë.

Sipas mediave greke në fillim ajo  ka deklaruar se është me origjinë Braziliane më pas u tha se është me origjinë Meksinane. Derisa u zbulua se vinte nga Shqipëria dhe emri i saj i vërtetë ishte Entela Fureraj.

Paragjykimet që mund të kishte për të zhvilluar karrierën në Greqi, e detyruan të mohojë origjinën, megjithëse ajo ka shpjeguar se ishte rritur në Greqi dhe ndihej greke. Pavarësisht se  fotoja me Bushpepën ku bënin shqiponjën sërish u paragjykua dhe komentua ashpër nga mediet greke,  ajo tha se ndihet krenare për origjinën dhe zgjodhi ta tregojë hapur në këtë kompeticion tepër të rendesishem dhe të njohur në mbarë botën.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.