“TË ZHVILLOJMË KUKËSIN, EMIGRIMI NUK ËSHTË OPSIONI MË I MIRË.”
18/02/2025 Shpërndaje

“TË ZHVILLOJMË KUKËSIN, EMIGRIMI NUK ËSHTË OPSIONI MË I MIRË.”

THIRRJA E TË RINJVE TË KUKËSIT.

Nga Ambra Onuzi

Nxënëse e klasës së X, gjimnazi Havzi Nela, Kukës

Kukësi është një ndër qytetet më të bukura të Shqipërisë. Të paktën për sytë e mi, PO. Një vend ku mbizotëron gjelbërimi, malet e larta dhe fushat e gjera. Ama, krahas tyre, edhe pallatet e mëdha, ndërtimet e shumta dhe, për fat të keq, një pjesë e madhe e banorëve të papunë. Ndoshta shumë nuk e shohin kështu, por për mua, ky qytet është një vend ku mund të bësh një jetë mjaft të mirë, nëse di si t’i shfrytëzosh mundësitë që të jep.

Për fat të keq, banorët e Kukësit dhe rrethinave të tij kanë vendosur të përballen me një zgjedhje shpeshherë të pamenduar mirë e ndonjëherë të gabuar: EMIGRIMIN.

Emigrimi ka qenë një nga sfidat më të mëdha me të cilat është përballur Kukësi dhe zona përreth tij gjatë dekadave të fundit. Ky fenomen ka prekur ndjeshëm jetën sociale, ekonomike dhe demografike të qytetit, duke sjellë ndryshime të thella në komunitet.

Një nga faktorët kryesorë që ka shtyrë banorët e Kukësit të emigrojnë ka qenë ekonomia e ulët. Papunësia e lartë dhe mungesa e mundësive për një jetë më të mirë kanë detyruar shumë të rinj dhe familje të kërkojnë punë jashtë vendit. Italia, Gjermania dhe, mbi të gjitha, Anglia janë destinacionet e preferuara për emigrantët kuksianë. Megjithëse kanë pasur përmirësime në ekonominë e tyre familjare, shpesh nuk arrijnë të përmirësojnë plotësisht jetesën dhe të investojnë vetëm në pronat e tyre. Megjithatë, ky përfitim ekonomik nuk është i qëndrueshëm, pasi nuk ndihmon në zhvillimin afatgjatë të qytetit.

Unë vendosa të pyes disa nga bashkëmoshatarët e mi që po mendojnë të ikin jashtë, se cila është gjëja që do iu mungonte më shumë në emigrim, kuptohet përveç familjes. Dikujt shoqëria, dikujt kujtimet. Dhe nuk është e lehtë të lësh pas të gjitha këto, për të ikur larg vendit tënd.

Për të frenuar emigrimin, është e nevojshme që qeveria dhe institucionet vendore të investojnë më shumë në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Përmirësimi i infrastrukturës, mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme, si dhe ofrimi i arsimit cilësor mund të jenë disa nga hapat që mund të ndihmojnë në zvogëlimin e emigrimit.

Ndërsa shumë banorë vazhdojnë ta shohin emigrimin si një zgjidhje për problemet e tyre, është e rëndësishme që të merren masa për të krijuar kushte më të mira jetese brenda vendit, në mënyrë që ata të mos ikin dhe ta braktisin vendlindjen e tyre. Vetëm në këtë mënyrë, Kukësi mund të ndalojë humbjen e popullsisë dhe të sigurojë një të ardhme më të mirë për çdo banor të tij.

Emigrimi masiv ka sjellë disa pasoja të dukshme në Kukës. Së pari, ulja e popullsisë është një nga problemet më shqetësuese. Largimi i të rinjve gjimnazistë ka ulur edhe numrin e nxënësve nëpër shkolla. Edhe në fshatra, që mund të jenë “perla” për turistët dhe studiuesit, banorët ikin, duke i lënë ato të boshatisura ose me një popullsi të moshuar.

Ekonomia gjithashtu është prekur, pasi fuqia punëtore po largohet. Bizneset vendore po përballen me vështirësi për të gjetur punëtorë.

Kukësi nuk po mundet të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme për brezat e rinj. Ama, shpresoj që ata të bëhen të zotët e vetes dhe të sigurojnë një jetë të mirë duke zhvilluar vendin. Ky brez duhet të punojë fort në vendlindjen e tij dhe të mos e marrë emigrimin si opsionin e parë.

Në fund kam këtë mesazh për të rinjtë si unë:

HAPINI SYTË PËRRETH DHE SHIKONI SE Ç’BUKURI HYJORE MUND TË GJENI NË KUKËS! KUJDESUNI PËR TË, ZHVILLOJENI ATË, DHE NË KËTË MËNYRË, PËRMIRËSONI EDHE JETËN TUAJ!

© 2025, Pozitivi. All rights reserved.