Të drejtat dhe dinjiteti i të moshuarve duhet të mbrohen në mes të pandemisë COVID-19
15/05/2020 Shpërndaje

Të drejtat dhe dinjiteti i të moshuarve duhet të mbrohen në mes të pandemisë COVID-19

Nga Alanna Armitage

Në të gjithë Evropën, nga Spanja në Serbi, shtëpitë e kujdesit për të moshuarit janë bërë pikat e infektimit me COVID-19. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, banorët e institucioneve të kujdesit afatgjatë përbëjnë gjysmën e vdekjeve nga koronavirusi në Evropë.

Ndër të gjitha statistikat shqetësuese që tregojnë histori se si virusi po shkatërron jetë nëpër botë, më mbeti në mendje një shifër që hedh dritë mbi një tragjedi të paimagjinueshme, që shpaloset para syve tanë – por që, çuditërisht, ka tërhequr shumë pak vëmendjen e publikut.

Të moshuarit që jetojnë në institucionet e kujdesit përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të popullsisë së përgjithshme – gati 1% në Gjermani për shembull, vendi me numrin më të madh për frymë në Evropë të shtretërve në shtëpitë e të moshuarve. Kjo na bën të mendojmë se si ka mundësi që banorët e këtyre institucioneve të kujdesit në mënyrë groteske janë më të përfaqësuarit në numër midis vdekjeve të shkaktuara nga virusi.

Të moshuarit, në përgjithësi, preken së tepërmi nga pandemia. Për ta COVID-19 e rrit rrezikun që vjen nga sëmundje të rënda dhe rreth 95% e vdekjeve ndodh midis personave të moshës 60 vjeç e sipër. Kjo është një arsye pse Evropa, rajoni me përqindjen më të madhe në botë të të moshuarve, po e ndjen forcën asgjësuese të pandemisë brenda kufijve të saj. Dhe të moshuarit nuk po përballen thjesht me një krizë shëndetësore: masat për distancimin fizik (të quajtur gabimisht distancim shoqëror), masat për të penguar përhapjen e shpejtë të virusit kanë gjithashtu një ndikim disproporcional në jetën e tyre dhe mënyrën e tyre të jetesës, pasi shumë prej tyre janë shkëputur nga shërbimet dhe kujdesi e kujdestarët prej të cilëve ata varen kaq shumë.

Shpesh të lënë pas dore dhe jashtë vëmendjes, të moshuarit që jetojnë në shtëpitë e kujdesit, janë ndër më të prekurit nga të gjithë. Ne dëgjojmë histori tronditëse të njerëzve që vdesin vetëm, pa pasur të dashurit e tyre afër dhe nganjëherë vetëm me kujdes minimal të siguruar në objekte të mbingarkuara dhe të pafinancuara e me mungesa. Tragjedia që ndodh në shtëpitë e të moshuarve tani është vetëm një shprehje, megjithëse ekstreme, e faktit se ne i kemi lënë ata në baltë në aspekt më të gjerë. Pandemia thjesht e nxori në pah, por kjo nuk filloi me COVID-19. Ndërsa vendet në Evropë po plaken me shpejtësi – një në katër persona tashmë është 60 vjeç ose më i vjetër – shoqëritë janë përpjekur të krijojnë kushte për numrin në rritje të të moshuarve që ata të jenë me shëndet të mirë dhe aktivë në komunitetet e tyre dhe në jetën publike.

Për fat të keq, shumë të moshuar përjetojnë neglizhencë, varfëri, përjashtim shoqëror dhe izolim – që përkeqësohen tani për shkak të pandemisë. Ndoshta edhe më keq është mënyra se si u drejtohet publiku, nganjëherë drejtpëdrejt ose ku më shumë ku më pak përmes shprehjeve apo mijëra mënyrave kulturore, se, për shkak të moshës, ata janë bërë një barrë, janë më pak të vlefshëm, madje edhe të kushtueshëm.

Unë shpresoj që kjo krizë dhe efektet e saj tragjike mbi të moshuarit do të bëhen një pikë kthese për mënyrën se si ne i shohim dhe i trajtojmë të moshuarit në shoqëri. UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, punon shumë me partnerët në qeveri dhe shoqërinë civile, jo vetëm për të mbështetur të moshuarit gjatë pandemisë, por edhe për të siguruar që dinjiteti dhe të drejtat e tyre të mbrohen në çdo moment dhe që ata të jenë të integruar dhe të angazhuar në komunitetet e tyre. Shumë vende tani po shikojnë se si kriza mund të shndërrohet në mundësi. Ekzistojnë katër hapa kryesorë që qeveritë mund të ndërmarrin për ta realizuar këtë:

1. Prioritet të keni mbrojtjen e të moshuarve në përgjigje ndaj COVID-19. Kjo mund të përfshijë dërgimin e mesazheve publike në mbështetje të të drejtave dhe dinjitetit të të moshuarve dhe marrjen e masave të guximshme për të demonstruar se angazhimet publike shkojnë përtej premtimeve boshe.

Sigurimi i vazhdimësisë së shërbimeve, mbështetja e kujdestarëve, përdorimi i teknologjive dixhitale për të arritur njerëzit në izolim – mund të bëhet shumë për të lehtësuar efektet e krizës.

2. Dëgjoni zërat e të moshuarve. Ndërsa po i përgjigjemi kësaj krize dhe po hartojmë politika për të ardhmen, duhet të dëgjojmë se çfarë kanë për të thënë të moshuarit. Angazhimi me përfaqësuesit e komunitetit është thelbësor për të shmangur paragjykimet dhe për të mundësuar gjetjen e zgjidhjeve që u përgjigjen nevojave aktuale.

3. Stop diskriminimit moshor në ligjërata dhe praktika publike. Nuk duhet të ketë tolerancë për diskriminimin e shfrenuar për shkak të moshës dhe stereotipizimet negative që janë shfaqur edhe më shumë gjatë kësaj krize. Promovimi i një kundra-narrativi të përqendruar në solidaritetin ndërbreznor dhe kontributet e vlefshme të të moshuarve do të jetë thelbësore për ndryshimin e normave dhe qëndrimeve shoqërore.

4. Rishikoni kornizat ligjore dhe politikat e buxhetet përmes një lenteje moshore. Tani është koha të fillojmë të shikojmë përtej krizës dhe të rishikojmë se çfarë duhet të ndryshojë në sektorë si shëndetësia, arsimi, punësimi dhe mirëqenia sociale, në mënyrë që shtetet të jenë në një pozitë më të mirë për të përballuar efektet e ndryshimit të shpejtë demografik, ndërkohë që sigurojnë të drejtat dhe zgjedhjet e një popullsie në plakje.

Le të jemi të qartë: vdekja e kaq shumë të moshuarve gjatë kësaj krize nuk ishte e pashmangshme. Është rezultati i drejtpërdrejtë i dështimit tonë – si shoqëri, institucione dhe kultura – për t'i dhënë rëndësi dhe vlerë të barabartë jetës dhe mirëqenies së brezit të të moshuarve. Ne duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës dhe ta marrim seriozisht krijimin e një shoqërie për të gjitha moshat, në të cilën të moshuarit njihen dhe mbështeten si shtylla të rëndësishme të shoqërisë: si mësues dhe mentorë, kujdestarë dhe vullnetarë, tregimtarë dhe krijues , transmetues.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.