“SMART WORKING” E BIZNESEVE SHQIPTARE NË PANDEMI
16/02/2021 Shpërndaje

“SMART WORKING” E BIZNESEVE SHQIPTARE NË PANDEMI

Shqipëria renditet ulët në treguesit e konkurrencës së inovacionit, por COVID-19 ndikoi në rritjen e përdorimit të teknologjive të reja. Kjo është e dhëna që vjen nga një anketim realizuar në të gjithë vendin, lidhur me ndikimin e koronavirusit tek bizneset.

Sipas këtij anketimi të Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, rezulton se 75 përqind e kompanive kanë deklaruar se   kanë përdorur shërbimet online. Është e paqartë, cilat shërbime online përdorën, pasi pyetjet e pyetësorit nuk specifikuan shërbimet, por rezultatet treguan se kompanitë mendojnë se shërbimet në internet, janë shumë të dobishme dhe kanë potenciale. Më tej, kur u pyetën ” Nëse po, a mendoni se do t’i përdorni edhe  në të ardhmen?”, rreth 81% e kompanive pranuan se do t’i ripërdorin ato në të ardhmen.

Kompanitë u pyetën gjithashtu rreth planeve të tyre të ardhshme për investimet në internet. Përgjigja e pyetjes ” Në të ardhmen, a mendoni se do të ndryshojnë planet tuaja të investimit, drejt ofrimit të shërbimeve online?” kishte gjithsej 38% përgjigje pozitive.

Vetëm 36% e kompanive me qarkullim mbi 14 milionë dhe 40% e kompanive me qarkullim deri në 14 milionë do të ndryshojnë planet e tyre të investimeve drejt shërbimeve online, veçanërisht kompanitë që operojnë në sektorin e shërbimeve. Investimet do të përqendrohen kryesisht në teknologji të reja.

JO VETËM MBIJETESË, POR EDHE AVANTAZHE

Gjatë kësaj periudhe pandemie, në portalin qeveritar “e-Albania” sipas shifrave zyrtare ka patur 15 milionë vizita. Shifra bëhet publike në një intervistë të zonjës Linda Karçanaj, Drejtore e Përgjithëshme e Agjencisë Kombëtare të Teknologjisë së Inovacionit (AKSHI), dhënë për revistën “Monitor”.  Sipas saj, këto shifra janë tregues i ndikimit të pashmangshërm të teknologjisë në jetën tonë si dhe tregojnë efikasitetin e shërbimeve online.

“Sot është më se e domosdoshme të aplikohen format e reja të “smart-working”, investimit në rrjete të mira dhe trajnimit të punonjësve”, këshillon Karçanaj teksa liston një sërë shërbimesh që bizneset mund të marrin online.

Një përdorim të shpeshtë në e-Albania, ka gjetur përgjatë pandemisë edhe shërbimi për pezullimin e përkohshëm të biznesit. “Ky shërbim është kthyer në një ndihmë të vërtetë për gjithë ato biznese që hasën vështirësi gjatë pandemisë e që duhej të mbylleshin” shprehet drejtuesja e AKSHI-it.

Investimi në teknologji duket se po kthehet në domosdoshmëri për bizneset shqiptare si kudo në botë. Pandemia e tregoi se ato biznese që u përshtatën me teknologjinë, jo vetëm mbijetuan, por edhe krijuan avantazhe të reja.

Duket se nevoja për investime të reja në teknologi, do të jetë një trend që do të përfshijë edhe sektorin publik. Sot, është më se e domosdoshme të aplikohen format e reja të “smart-working”, investimit në rrjete të mira dhe trajnimit të punonjësve.

“Jemi pjesë e një tregu global dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë në avantazhin tonë, pasi i kemi mundësitë, veçanërisht në burime njerëzore. Informaticienët dhe inxhinierët elektronikë shqiptarë janë mjaft të përgatitur dhe të gatshëm të konkurrojnë”, përmbyll Karçanaj.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.