Si e frymëzon veten Dorina, e reja që ëndërron të bëhet këngëtare
Dorina Gjoka 22 vjeçarja e cila studion për Shkenca Sociale që në fëmijëri e ka ëndërruar veten në skenat e mëdha, si këngëtare. Ka konkuruar në “The Voice” dhe komentet mbi zërin kanë qenë pozitive.
Për pozitivi.org Dorina thotë se dy herë që ka provuar t’i futet muzikës nuk ka pasur sukses, megjithatë vazhdon të ketë besim se një ditë do t’ja dalë. 22 vjeçarja është mjaft aktive në në rrjete sociale, ku shpesh shpërndan shprehje frymëzuese në faqen që menaxhon. Karakterizohet për buzëqeshjen, pozitivitetin që përcjell dhe angazhimet vullnetare në punë sociale.
Që e vogël ka pasur pasion të shkruajë dhe ende vazhdon ta bëjë. Çdo ditë falenderon zotin për një ditë tjetër jetë dhe shijon çdo moment. Dorina na tregon më shumë për ëndrrat dhe nga i buron energjia pozitive që përcjell çdo ditë për të tjerët.
Dorina Gjoka për pozitivi.org:
Një prezantim të vetes?
Dorina Gjoka 22 vjeçe studente për Shkenca Sociale, dega Pune Sociale, me origjinë nga Laçi. Kam filluar të shkruaj që kur kam qenë e vogël dhe ende i ruaj shkrimet por asnjëherë nuk i kam bërë publike. Endrra ime me e madhe është të bëhem (këngëtare).
Nga të ka lindur pasioni për t’u bërë këngëtare? Mendon se ke talent?
Mbaj mend që e vogël që kur kam qenë 4 vjeçe mbaja një pult si mikrofon dhe këndoja gjithë ditën. Mendoj se kam talent pasi kush më dëgjon më thotë që kam zë. Pjesën më të madhe të ditës kur gjej kohë sigurisht dëgjoj vetëm muzikë. E kam provuar tek “The Voice Albania” dhe në të vërtetë më kanë thënë të përgatitem më shumë por jo që skam zë. Unë nuk dorëzohem sepse kam besim tek vetja ime.
Në rrjete sociale shpesh shpërndan shprehje frymëzuese, të tuat në faqen që menaxhon. Nga se frymëzohesh në jetën e përditshme?
Arsyeja pse unë shkruaj është sepse më vjen në mënyrë të natyrshme, e ndjej që duhet dhe dua të shkruaj dicka. Frymëzohem nga njerëzit që shoh, veprimet që bëjnë, nga gjërat që mua më bëjnë të ndjehem mirë ose gjëra që mua më prekin personalisht ose në mënyrë indirekte.
Të rinjtë e sotëm kohën më të madhe e kalojnë në rrjete sociale. Si e menaxhon këtë pjesë ti, a je ndikuar nga varësia e rrjeteve sociale? Kë zgjedh mes librave dhe rrjeteve sociale?
Është shumë e vërtetë që pjesa më e madhe ashtu siç thoni edhe ju rinia më tepër janë bërë të varur ndaj rrjeteve sociale . Nuk mund të them se jam një person i varur ndaj rrjeteve sociale por mund të them që jam një përdoruese e rregullt. Më shumë ka të bëjë mënyra se si i përdor dhe për çfare mund t’i përdorësh rrjetet sociale.
Do të thoja librat por s’do te lija pas as rrjetet. Janë një mënyrë e jona për të komunikuar me të tjerët ndërsa përmes librave mendja jonë komunikon me dijen. Nuk dua të tregohem jo e sinqertë pasi për mendimin tim nuk do të ishte etika nga ana e një blogere që të gënjejë apo të thotë diçka që nuk është e vërtetë si në lidhje me diçka që shkruan apo që lexon.
Jam lexuese e librave por jo në masë të madhe, pasi kam angazhime si shkolla apo puna që bëj. Librat që më pëlqejnë më tepër të lexoj janë romanet.
Si e motivon veten kur ndodhesh në situata të këqija?
Besoj që si gjithë të tjereve edhe mua personalisht më ka ndodhur që të zhgënjehem nga gjëra që kemi menduar se mund t’i arrijmë apo plotësojmë dhe nuk ja kemi dalë. Por ajo ç’ka është më e rëndësishmja është besimi që t’i ke në vete, nëqoftëse ke dëshirë që ta provosh apo ta lësh me aq. Nuk dua të bëhem përsëritëse e fjalëve dhe shprehjeve të gjithë të tjerëve me shprehjet që sa herë rrezohemi ngrihemi. Edhe fëmijët kur bien ngrihen përsëri etj etj. Nuk besoj që kjo është mënyra më e mirë për të motivuar veten për të vazhduar para. Mënyra më e mirë është t’i besosh vetes që ndoshta hera e parë nuk ishte mënyra jote më e mirë pasi t’i nuk kishe eksperiencë por duke e provuar përsëri herën e dytë ti ke përftuar diçka nga hera e parë.
Një rast konkret është dhe fakti që gjithmonë kam pëlqyer të bëhesha muzikante e të te kendoja në skenat e medha. E kam provuar 2 herë dhe nuk ja kam dalë por prap do ia jap mundësinë vetes ta provoj pasi duke punuar me veten kuptoj arsyen pse unë kam dështuar në 2 rastet e mija.
A ke një moto që ia përmend vetes çdo ditë?
Nuk kam ndonjë moto thjesht e mendoj çdo mëngjes si një ditë të re për të bërë gjithmonë diçka ndryshe. E rëndesishme është ti buzëqeshësh jetës dhe jo jeta ty pasi ajo asnjëherë s’do ta bëjë atë kundrejt teje.
Po lumturia çfarë është për ty?
Lumturia është fjalë e madhe që në të vërtetë është e pamundur ta ndash dhe ta përcaktosh. Lumturi është të duash, të të duan dhe të kesh gjithmonë pranë njerëzit që do.
Si nis dhe mbaron një ditë e jotja?
Nis këndshëm. E para gjë që bëj është që falenderoj zotin edhe për një ditë tjetër jetë që më ka dhënë, pastaj të tjerat janë të gjitha në dorën time. Punoj një pjesë të ditës dhe pjesën tjetër ia kushtoj shoqërisë dhe familjes, pa lenë pas edhe shkrimet e mija dhe rrjetet sociale (qesh).
Shpesh bën dhe punë sociale vullnetare. E ke kthyer në një rutinë të përhershme apo ke qenë rastësisht? Çfarë kënaqësie merr kur bën punë të tilla?
Patjetër gjithmonë me ka pëlqyer që e vogël që t’i ndihmoj njerëzit ashtu siç unë kur kam qenë e vogël doja dhe kisha nevojë të ndihmohesha nga të tjerët pasi çështë e vërteta kohët kanë qenë të vështira dhe nuk vijmë nga ndonjë familje që kishte mundësinë të na i plotësonte të gjitha kushtet, por pjesërisht. Nëqoftëse unë e kam bërë diçka (nëpr qendra sociale, shtëpi të moshuarish etj), e kam nisur në fillim duke e menduar si për veten time pastaj për tjetrin.
Nuk kam qenë rastësisht, kam qenë me dëshirën time të plotë dhe do e bëja sa herë të më jepet mundësia. Ështe një emocion më vete që vështirë të përshkruhet. Një mesazh për të rinjtë. Nuk dua t’ju them fjalët që tonë të gjithë, që të mesojnë të heqin telefonat nga duart apo ku di unë se çfarë. Të shijojne çdo ditë që ju jepet ashtu siç kanë moshën, të mos mendojnë për gjërat që vijnë para apo pas. Të gabojnë sa të jetë e nevojshme deri sa të mësojnë. Kështu do të bëhen njerëz të mirë dhe të suksesshëm. Dhe të kenë sa më shumë besim në vete. Vetëm kështu mund të ja dalin. Ta duan veten kjo është më e rëndësishmja.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.



