Shqiptari nga Ulqini drejt majave të pushtetit në Malin e Zi, si nisi karriera e Abazoviç
28/03/2022 Shpërndaje

Shqiptari nga Ulqini drejt majave të pushtetit në Malin e Zi, si nisi karriera e Abazoviç

Mal i Zi- Koalicioni “Për një fillim të ri” që udhëhiqet nga lëvizja URA e Dritan Abazoviç ka shpallur fitoren e komunës së Ulqinit në zgjedhjet e pjesshme lokale që u mbajtën këtë të dielë, 27 mars 2022. Lideri i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, tha se koalicioni “Për një fillim të ri” (URA, PD, SD, SDP dhe AA) ka arritur fitore absolute në zgjedhjet lokale në Ulqin.

Koalicioni  “Për një fillim të ri”, ka fituar 15 mandate, pastaj DPS dhe BS 6, DUA dhe Forca 5, ndërsa  Demokratët 2 mandate.

Abazoviç me Lëvizjen e tij Qytetare, URA, i fitoi zgjedhjet lokale në Ulqin, vendlindjen e tij. Brenda pak ditësh, zëvendëskryeministri i Malit të Zi mund të ngjitet edhe më lart.

“Fitore bindëse. Ne fituam 43%”, shkroi Abazoviç në Facebook.

“Omer Bajraktari i jonë do të jetë kryetari i ri i Ulqinit”, ka shtuar ai.

Dritan Abazoviç është pretendenti kryesor për t’u bërë kryeministër i Malit të Zi, kur në Podgoricë pritet formimi i qeverisë së re.

Politikani 36-vjeçar të cilit nuk i pëlqen nacionalizmi, në Mal të Zi është doktoruar për shkenca politike në Sarajevë, tashmë është në mesin e figurave kryesore politike, dhe jo vetëm për vendin që e ka zënë në hierarki.

Abazoviç i hodhi hapat e parë në karrierë si një aktivist qytetar e bashkëpunëtor i gjatë i organizatave joqeveritare në fushën e të drejtave të njeriut. Ai angazhohej në projekte që kishin të bënin me promovimin e multikulturalizmit në zonat e ish-Jugosllavisë pas luftërave.

Më pas ai kishte shkuar në vendin e multikulturalizmit. Kishte banuar për pak kohë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa merrte pjesë në programin e Departamentit të Shtetit në Uashington D.C.

Në vitin 2010, ai e kishte botuar librin e tij të parë “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”. Nga po ai vit, Abazoviç kishte punuar si mësues në shkollën e mesme në Ulqin, duke dhënë mësim në lëndën sociologji e kulturës, komunikimit dhe historisë së fesë.

Abazoviç, i cili flet gjuhën shqipe, serbo-kroate dhe angleze, ishte një nga themeluesit e partisë politike social-liberale “Mali i Zi Pozitiv” në vitin 2012. Në zgjedhjet parlamentare malazeze të vitit 2012, ai ishte bërë deputeti më i ri në Parlament.

Në vitin 2014, pas një ndarjeje në parti, Abazoviç ishte larguar nga aty, duke shërbyer si deputet i pavarur përpara se t’i bashkohej Lëvizjes URA, të sapothemeluar në 2015, të cilën e udhëhoqi me një sukses të jashtëzakonshëm në vitet pasuese.

Lëvizja Qytetare URA dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që kishin garuar në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi të mbajtura në vitin 2020 në kuadër të listës “E zeza mbi të bardhë”, kanë propozuar formimin e një qeverie të pakicës, si model për tejkalimin e krizës politike në këtë shtet.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.