Piramida e Tiranës “shembet” nga qytetarët
Piramida e vetme në Shqipëri qëndron në zemër të Tiranës. Për turistët është ndër destinacionet e preferuara. U përurua në 14 tetor 1988 si muzeu i diktatorit Enver Hoxha. Struktura në formë piramidale u projektua nga një grup arkitektësh nën drejtimin e vajzës dhe dhëndrit të Enver Hoxhës.
Ndërtimi filloi në vitin 1986 dhe përfundoi në vitin 1988 duke shërbyer si një muze në trashëgiminë e Hoxhës deri në vitin 1991. Pas vitit 1991 ajo u kthye në qendër konferencash e panairesh. Piramidë u quajt për shkak të formës arkitektonike, gjatë lëvizjes studentore të dhjetorit 1990. Ndërsa sot, zyrtarisht njihet si “Qendra Ndërkombëtare e Kulturës Pjetër Arbnori” dhe mbetet një copëz e arkitekturës së periudhës komuniste. Një copëz e Shqipërisë, që ka mbetur e njëjtë edhe pse vitet kalojnë.
Fëmijët ngjiten mbi të për luajtur në dimër dhe verë. Në majë të saj ke mundësi të shikosh nga lart disa ndërtesa të vogla të qytetit. E vjetër, e bukur, kur laget nga reshjet e shiut ngjyrat e ylberit i bien sipër. Vendndodhja në qendër të Trianës, e bën më të dukshme për gjithkënd. Ditët e fundit të verës është vënë re se xhamat përpara piramidës janë thyer nga qytetarët. Në fotot e shkrepura nga pozitivi.org duken krisjet në xhama, të cilat të japin idenë se shembja ka nisur.
Kujtojmë se në vitin 2010, qeveria e asaj kohe vendosi që në vendin ku sot ndodhet Piramida, të ndërtohet Parlamenti i ri i Shqipërisë, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, gjë e cila nuk u bë. Gjithsesi, vitet kaluan, ndërtesa nuk është shembur. Sa herë qëndron përballë piramidës, imagjinon turmën njerëzve që ngjiten drejt në majë, për të shkrepur foto. Megjithë pamjen e vjetër që ka marrë, dhe “sulmet” e të panjohurit që ka filluar “shembjen”, maja e saj mbetet vendi i preferuar për foto nga të huajt dhe vendasit!

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
