PA TË DHËNA ZYRTARE, QYTETARËT E DURRËSIT MASIN VETË NDOTJEN E AJRIT
Në mungesë të të dhënave zyrtare për cilësinë e ajrit në portin e Durrësit, një grup organizatash të shoqërisë civile po kryejnë vetë monitorimin e ndotjes. Raportet alternative që dëshmojnë për nivele alarmante të ndotje, po shërbejnë si shkëndija për rritjen e aktivizmit mjedisor ndër të rinjtë, duke ekspozuar njëkohësisht edhe dështimin e institucioneve.
Nga Esmeralda Keta ( Çuni )
Me një pajisje portative në dorë, që mbledh informacione në kohë reale për cilësinë e ajrit, Denisa Kasa, një e re nga Durrësi, kujton me nostalgji pasditet e fëmijësë pranë ish Vollgës.
Pamje nga matjet e cilësisë së ajrit
“Vinte një erë deti e freskët shumë e fortë, që më shoqëron ende. Tani duhet të arratisesh nga qyteti për ta ndier”, – thotë 25 vjeçarja, ndërsa “shëtisim” rreth portit për të matur cilësinë e ajrit.
Qyteti i Durrësit, i dytë më i madhi në vend, po përjeton një krizë të ndotjes së ajrit. Institucionet publike kanë dështuar prej vitesh të bëjnë një skanim real të situatës. Ky boshllëk, po mbushet nga qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët kanë nisur në mënyrë të pavaruar matjen e cilësisë së ajrit që ato thithin, duke ekspozuar dështimin e qeverisë.
Pamje nga lart qyteti i Durrësit
Rruga për monitorimin alternativ të cilësisë së ajrit u shtrua në vitin 2017, nëpërmjet projektit “Green Lungs” i financuar nga Delegacioni Europian dhe i implementuar nga CoPlan që zgjati deri në vitin 2021; më pas projekti është mbështetur nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida) përmes fazës së parë të projektit GreenAL 2021–2023. Duke vënë re interesin për të dhëna mbi monitorimin e ndotësve kryesorë të ajrit në qytetet e vendit, kjo metodologji mori sërish mbështetje dhe do të vazhdojë të zbatohet edhe për periudhën 2024–2027 me mbështetjen financiare të Sida përmes GreenAL.
“Green lungs” është një inciativë që synon të krijojë një platformë alternative për monitorimin e ajrit, ujit dhe tokës. Matja e cilësisë së ajrit urban është një ndër komponentët më të rëndësishëm.
Imeldi Sokoli, ekspert mjedisi pranë CoPlan
“Qëllimi kryesor i këtyre monitorimeve është njohja e komuniteteve me problematikat e cilësisë së ajrit dhe pasojat që mund të shkaktojnë këto ndotje”, – thotë Imeldi Sokoli, ekspert mjedisi pranë CoPlan.
Gjatë fazës së parë GreenAL mbështeti rreth 50 organizata të shoqërisë civile dhe arriti të krijojë një rrjet prej 80 OSHC-sh, të cilat advokuan në mënyrë aktive për politika më të mira mjedisore.
Monitorimi po zhvillohet në gjashtë bashki të vendit: Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Kavajë dhe Fier, kryesisht në zonat urbane të këtyre bashkive, ku janë të vendosura 800 pika monitorimi.
Matje me pajisje portabël
Për këtë komponent deri më tani janë prodhuar disa raporte vjetore si dhe një hartë interaktive. Dhe po ashtu në webfaqen e dedikuar hidhen informacione në kohë reale që ju mundësojnë qytetarëve apo grupeve të interesit që të marrin të dhëna mbi cilësinë e ajrit në qytetet e përfshira në monitorim.
Të rinjtë janë një kategori e rëndësishme e këtij projekti, nëpërmjet përfshirjes së 117 vullnetarëve. Ata trajnohen në workshop-e për mënyrën e matjes së elementëve ndotës të ajrit nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat kanë përvetësuar metodologjinë dhe metodën e përdorimit të pajisjeve të monitorimit të ajrit. Vetëm pas këtij procesi, ata bëhen pjesë e aksioneve për matjen e cilësisë së ajrit në terren.
Pajisja për matjen e cilësisë së ajrit
Pajisjet që po përdoren në këtë proces të dhënash alternative, janë Aeroqual S500 dhe IQAir, ndërsa parametrat e matur janë: PM2.5, PM10, NO2, CO2. PM2.5. Matjet zhvillohen në dy raunde, (një në dimër-një tjetër raund në verë) dhe pika stacionare të caktuara, në total 800, në të gjithë qytetet e përfshira në këtë projekt. Çdo pikë stacionare ka një kod të caktuar për të cilën plotësohen evidenca. Më pas këto të dhëna mblidhen dhe hartëzohen nga CoPlan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.
Në fazën pasuese të dhënat hidhen dhe bëhen publike ne web faqen e databazës së GreenAL, për 6 qytete të Shqipërisë ( Durrës, Shkodër, Elbasan, Tiranë, Fier dhe Korçë.)
“Në fund të çdo viti bëhet publikimi i raportit vjetor të të dhënave, të cilat interpretohen dhe vlerësohen në bazë të rezultateve”, – shpjegon Sokoli.
Pavarësisht se këto të dhëna janë alternative, dhe institucionet publike nuk i kanë pranuar ansjëherë zyrtarisht, ekspertët thonë se po ushtrojnë presion pozitiv mbi institucionet publike, duke i detyruar të reagojnë.
“Institucionet kanë filluar të implementojnë hapat e parë të monitorimit të ajrit dhe zhurmave, – thotë Imeldi Sokoli, ekspert mjedesi pranë Co-plan. – Më pas pritet edhe ndërmarrja e masave konkrete për minizimin e ndotjes së ajrit”- shpjegon ai.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, publikon çdo vit raportin e gjendjes së mjedisit, por të dhënat e publikuara nga ky institucion janë mjaft të cungura duke mos ofruar një panoramë reale të ndotjes së ajrit. Porti i Durrësit, më i madhi në vend, ku përpunohen rreth 99% të të gjithë mallrave që futen në Shqipëri nuk është përfshirë asnjëherë në këto raporte.
Të dhënat e mbledhura nga studime të ndryshme, por edhe një monitorim në terren nga qytetarët, flasin për një panoramë aspak optimiste për cilësinë e ajrit. Situata është më shqetësuese përreth portit, më i madhi në vend, duke i ekspozuar qytetarët ndaj rreziqeve shëndetësore.
“Situata sa vjen e përkeqësohet. Ka një ndotje shumë të madhe që vërehet kudo, në çdo lagje”, – thotë Denisa, një e re e shqetësuar për çështjet e mjedisit. Ajo bën pjesë në një grupim gjithnjë e më në rritje të të rinjve të angazhuar në mbrojtje të mjedisit. Gjithçka në këtë grupim të rinjsh është e organizuar në mënyrë vullnetare. Mënyra se si ata bashkohen është krejt spontane: nëpërmjet Facebook, Instagram, apo rrjeteve të tjera sociale duke njoftuar njëri – tjetrin.
Denisa Kasa, aktiviste nga Durrësi
Aktualisht ata kanë një grup WhatsApp prej më shumë se 200 personash që diskutojnë për çështje të ndryshme.
“Takohemi ku të mundemi, në zoom, në ambientet e ndonjë organizate apo edhe në qendër të qytetit. Sigurisht që jo të gjithë janë në çdo takim, por të gjithë janë të interesuar për cilësinë e mjedisit që na rrethon. Ai është shtëpia jonë”, – thotë Denisa Kasa, një ndër më aktivistet më të spikatura në këtë grup.
“Jam surprizuar se sa shumë njerëz u mblodhën, pas një thirrjeje që ndamë në rrjetet sociale për të parë nga afër ndotjen e lumit Ishëm, lumit që përshkon periferinë e Durrësit e derdhet në detin Adriatik”, – tregon Denisa.
Pamje nga trafiku në portin e Durrësit
Cilësia e ajrit është ndër shqetësimet kryesore.
“Kemi edhe një pjesë të qytetit të Durrësit, që megjithëse nuk është qëndrore, është shumë e urbanizuar dhe ka shumë ndotje, siç është Porto Romano dhe këtë ndotje e sjell në qytet”, – shpjegon më tej Denisa.
“Ne durrsakët mezi e gjejmë ndonjë cep ku të thithim ajër të pastër. Sigurisht jashtë qytetit”, – thotë ajo duke nënkuptuar se ende ruajnë disa vende sekrete për banorët autoktonë.
E konsideruar si “vrasës i heshtur”, Organizata Botërore e Shëndetësisë e akuzon ndotjen e ajrit si shkaktaren e 7 milionëve vdekjeve në vit në mbarë botën, nga të cilët 500 mijë në Evropë.
Shqipëria regjistron prej dekadash, një cilësi mjaft të dobët të ajrit, me shumë ndotje, kryesisht në qytetet kryesore. Sipas raportit vjetor për cilësinë e ajrit në botë për vitin 2024, Shqipëria regjistroi nje vlerë vjetore prej 14.5 (µg/m³) të PM 2.5, duke shënuar një përmirësim krahasur me vitin 2023, ku ndotja e ajrit ishte 16.7 (µg/m³) që rezulton të jetë vlera më e lartë e 5 viteve të fundt.
Si rezultat i ndotjes së vazhdueshme të ajrit janë rritur ndjeshëm sëmundjet e frymëmarrjes dhe stresi. Pavarësisht alarmit shëndetësor, monitorimi i cilësisë së ajrit në vendin tonë është pothuajse inekzistent. Në të gjithë vendin institucionet kanë vetëm 9 stacione monitorimi, një numër ky për të prodhuar të dhëna reale dhe përfaqësuese, ndërkohë që përmirësimi i raporteve për cilësinë e ajrit është edhe një kërkesë e Progres Raportit, kapitulli 27.
Qyteti i Durrësit
Mes debateve për mungesën e matjeve në mënyrë periodike dhe të vazhdueshme nga institucionet shtetërore, redaksia e Pozitivi, pjesë e studios Media Koncept, në bashkëpunim me Co-plan që vuri në dispozicon pajisjen dhe metodologjinë, realizoi matjen e pesë elementëve të ndryshëm në zonën e Portit të Durrësit. Bëhet fjalë për monoksidin e karbonit (CO), grimcat PM 2.5 dhe PM10, dioksidi I karbonit (CO2) dhe NO2, të matura në 5 pika të ndryshme. Në këtë proces u angazhuan edhe të rinj nga qyteti i Durrësit, të interesuar për çështjet mjedisore.
Gazetarë dhe aktivistë masin ndotjen e ajrit
Rezultatet e matjeve, të interpretuara nga ekspertët tregojnë një tablo të zymtë dhe shqetësuese mbi cilësinë e ajrit në zonën e monitoruar.
Artan Kaçani, profesor pranë universitetit Polis, por njëkohësisht banor i vjetër i Durrësit thotë se qyteti po bëhet gjithnjë e më i pajetueshëm, dhe ajri është i fundit në rendin e strategjive të institucioneve.
Artan Kaçani, profesor universiteti Polis
“Politikat e ndotjes ë ajrit janë nul, nuk ekziston asnjë dokument për përmirësimin e cilësisë së ajrit”, – thotë Kaçani.
“Kur flasim për mungesë të strategjive për menaxhimin e ujrave të zeza, të mbetjeve, imagjinoni për ajrin… Ajri është i fundit, gati- gati konsiderohet si diçka që na është dhënë për mirë”, – shpjegon më tej ai.
Duke iu referuar të dhënave të përftuara, ekspertët shpjegojnë se niveli i monoksidit të karbonit (CO, µg/m³) është nën kufirin e lejuar në të gjitha stacionet, çka tregon se ky ndotës i rrezikshëm, që zakonisht lidhet me djegien e karburanteve në automjete dhe makineri, nuk paraqet aktualisht një rrezik të menjëhershëm për shëndetin publik.
Ndryshe ndodh me dioksidin e karbonit CO₂ (ppm), vlerat e të cilit janë shumëfish më të larta se standardet e rekomanduara, duke treguar një presion të madh mjedisor nga aktivitetet urbane dhe industriale. Në disa raste dioksidi i karbonit shënon nivele deri në tre herë më të larta se standardi.
Për ekspertët ky nivel i lartë i dioksidit të karbonit nuk është thjesht tregues i ndotjes lokale, “por edhe një pasqyrë e ndikimit që kjo zonë ka mbi shëndetin publik”.
“Një normë kaq e lartë, do të thotë që ka ndikim direkt në sistemin respirator të atyre që ekspozohen”- thotë Imeldi Sokoli, ekspert i mjedisit pranë Co-Plan, që pa rezulatet e matjes në terren.
Ekspertët gjykojnë se burimet e kësaj ndotje duhen kërkuar tek trafiku i dendur pranë portit, motorrët e anijeve, proceset e ngarkim-shkarkimit dhe djegia e karburanteve me cilësi të ulët duke i klasifikuar si kontribuesit më të mëdhenj në këtë rritje alarmante.
“Kjo vjen si rezultat i aktivitetit të lartë industrial që ka në zonë, ka makineri teknologjike të vjetëruara, cilësi të dobët të karburanteve, por edhe veprimtari intensive si ngarkim – shkarkim në port”, – shpjegon Sokoli.
Të dhënat tregojnë se ndotja nuk mbetet e izoluar vetëm në këtë zonë, pasi porti është pjesë integrale e qytetit të Durrësit dhe e gjithë lëvizshmëria përshkohet në atë zonë, duke e rritur ndjeshëm numrin e atyre që ekspozohen në këtë ndotje.
Problemi më kritik duket se jenë grimcat e imëta PM₂.₅ dhe PM₁₀ (µg/m³), të cilat kanë tejkaluar kufijtë në të gjitha stacionet e matjes. Në pjesën dërrmuese ato rezultojnë deri në dy herë më të larta.
“Për shkak të përmasave të tyre shumë të vogla, këto grimca depërtojnë lehtësisht në rrugët e frymëmarrjes dhe janë të lidhura me sëmundje kardiovaskulare, probleme kronike të mushkërive dhe rritje të riskut për popullatën vulnerabël, si fëmijët dhe të moshuarit”, – shpjegon ekspertja e mjedisit, Greta Shehu, për mënyrën se si ato ndikojnë në shëndetin e popullatës.
Dioksidi i azotit (NO₂) (µg/m³), një ndotës që shpesh shoqërohet me trafikun dhe djegien e karburanteve, ka rezultuar brenda kufijve në të gjitha stacionet, ndoshta për shkak të mjeteve më të pastra, kushteve meteorologjike që ndihmuan shpërndarjen e tij, dhe shpërndarjes së trafikut gjatë ditës.
Për ekspertët këto të dhëna të përftuara “tregojnë se cilësia e ajrit në momentin e monitorimit ndikohet më së shumti nga dy faktorë kryesorë: niveli i lartë i CO₂, që reflekton ndikimin e fortë urban dhe industrial, dhe tejkalimi i ndjeshëm i grimcave PM₂.₅/PM₁₀, që përbëjnë rrezikun më të madh për shëndetin publik”.
“Kjo situatë është një alarm i qartë për nevojën e menjëhershme për ndërhyrje; menaxhimi më i mirë i trafikut, përdorimi i teknologjive më të pastra në transportin detar e tokësor, shtimi i hapësirave të gjelbra që filtrojnë ajrin dhe forcimi i kontrollit mbi burimet e pluhurit e djegies së pakontrolluar”, – rekomandon ekspertja e Co plan, Greta Shehu.
Këto rezultate të matjeve tona konfirmohen edhe nga një seri monitorimesh të kryera më herët nga një grup organizatash të shoqërisë civile, në kuadër të projektit “Ajër i pastër, jetë e shëndetshme”, që u mbështet nga GreenAL. Monitorimi u krye në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Durrës. Në bashkinë e Durrësit u vendosën 100 pika monitorimi, duke përfshirë rrugët dhe lagjet kryesore të qytetit, përgjatë periudhës fund gushti 2022 dhe shkurt-mars 2023.
Raporti evidentoi se në qytetin e Durrësit ajri është i ndotur mbi normat e lejuara nga BE. Më konkretisht dioksidi i azotit ka tejkalim në disa pika me vlera dyfish më të larta, po ashtu edhe grimcat e pluhurit gjatë sezonit të verës, janë mbi normën.
“Faktorët që kontribuojnë në ndotjen e ajrit në qytetin e Durrësit gjatë sezonit të verës janë të shumtë si p.sh., transporti, sektorët e ndryshëm të industrisë, ndërtimi”, – thuhet në këtë raport që fajëson “flotën e vjetër të autobuzëve ndërqytetës si dhe cilësia e karburanteve dhe e automjeteve, që kanë ndikuar për keq në cilësinë e ajrit urban”.
Nga monitorimi i realizuar në të dy periudhat dallohet se vlera mesatare e dioksidit të azotit është në kufi ose jashtë normave të lejuara të BE.
Por situata është krejt ndryshe po të shohim të dhënat e bëra publike nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni qendror i ngarkuar me ligj për monitorimin e mjedisit. Në raportin vjetor për gjendjen e mjedisit 2024, në kapitullin kushtuar cilësisë së ajrit, Agjencia raporton se ka realizuar monitorimin e cilësisë së ajrit urban me stacione automatike në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Korçë për treguesit kryesorë të cilësisë së ajrit urban si: PM10, PM2.5, NO2, SO2 , O3, CO dhe BTEX. Agjencia Kombëtare e Mjedisit raporton se të dhënat janë marrë nga 9 stacione monitorimi gjithsej, ku vetëm Tirana ka 4 stacione, ndërsa qytete e tjera kanë nga vetëm një stacion, që i bën të pamjaftueshme për të përfaqësuar situatën në të gjithë qytetin. Për qytetin e Durrësit, i vetmi stacion monitorimi u vendos në oborrin e shkollës “Jusuf Puka”. Bazuar në të dhënat e këtij raporti, që përkon me periudhën e monitorimit janar – maj 2024, për qytetin e Durrësit të gjithë parametrat e matura kanë rezultuar brenda normës.
Sipas këtij raporti shumica e komponentëve të matur edhe në qytete e tjera kanë rezultuar brenda normës. Tejkalime të ndotjes së ajrit janë regjistruar në qytetin e Tiranës, Korçës dhe Elbasanit për grimcat e pluhurit me diametër 10 mikron (PM10) dhe 2.5 mikoron (PM2.5), që lidhet me trafikun dhe ndërtimet, ndërsa në qytetin e Korçës lidhen me ngrohjen me dru gjatë periudhës së dimrit. Në këtë qytet janë regjistruar vlera të larta edhe të O3.
Ekspertët vlerësojne se ky hendek në matjen e cilësisë së ajrit nga institucionet, vjen për shkak të mungesës së fondeve.
“Institucionet i kanë duart e lidhura, pasi studime të tilla kërkojnë një buxhet të konsiderueshëm”, – thotë Imeldi Sokoli.
Vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) pranon se në qytetin e Durrësit “ka tejkalime për grimcat e pluhurit”.
“Nga monitorimi ndër vite që AKM ka kryer rezulton që shkaku kryesor është trafiku,ndërtimi dhe në qytetin e Durrësit ndikon edhe kripa e detit. Kjo është vërtetuar edhe gjatë monitorimit në periudhën e pandemisë, ku është vënë re nje ulje e të gjithë treguesve që monitorohen”, – tha AKM në një përgjigje me shkrim, duke pranuar limitimin për stacionet e monitorimit.
“Për një monitorim më gjithpërfshirës mund të kishte dhe stacione të tjerë duke pasur parasysh dhe numrin e popullsisë së qytetit”, – pranon AKM.
Nga ana tjetër bashkia e Durrësit, thotë se ajo nuk kryen vetë monotorime të cilësisë së ajrit, por ka një strategji për përmirësimin e tij.
“Hartimi i planeve lokale që janë në proces miratimi në fushën e mbetjeve, ndryshimeve klimatike, energjisë së qëndrueshme, transportit etj, do të përkthehen në masa konkete, të cilët do të ndikojnë në përmirësimin e kushteve mjedisore dhe cilësinë e jetës së qytetarëve”, – tha Bashkia Durrës në një përgjigje me shkrim.
Zgjidhjet jo dhe aq të vështira
Ndërsa ndjek në terren procesin e monitorimit të cilësisë së ajrit, Denisa ndihet entuziaste. Por ajo nuk është e vetmja e interesuar për çështjet e mjedisit dhe mënyrës se si ato ndikojnë në jetën tonë. Ajo rrëfen se ka gjithmonë e më shumë të rinj, sidomos në rrjetet sociale, ku jo vetëm merret informacion për çfarë po ndodh, por edhe denoncojnë për çështje të mjedisit si ndotja e ajrit, ndotja e ujit apo zjarret.
“Dhe kjo po bëhet gjithjë e më shumë një lëvizje”, – thotë Denisa mjaft optimiste për angazhimin e të rinjve.
Sipas saj, ndonëse qytetet në Shqipëri janë disi të shpopulluar dhe nuk ka shumë rini aktive, një pjesë është mjaft e ndërgjegjshme për pasojat e ndotjes së mjedisit dhe kërkon llogari.
Matje të CO2
“Cilësia e ajrit është gjithmonë e më e dobët”, – thotë ajo, duke mos e parë zgjidhjen vetëm si një veprim të vetëm, por si një aksion.
“Zgjidhja është diçka shumë kolektive: është me rëndësi t`i flasim këto tema, të kërkojmë një sistem më të mirë urban që aktualisht është skandaloz, të zëvendësojmë makinën me biçikletë”, – përfundon ajo.
Ndryshe nga Denisa, Imeldi Sokoli, thotë se mund të bëhen disa ndërhyrje konkrete.
“Një nga masat që mund të jetë e aplikueshme lehtë që në këtë moment, është që ky aktivitet (ngarkim-shkarkimi në port) të bëhet kur nuk ka lëvizshmëri”
Më tej ai thotë se “duhet të ketë monitorim nga drejtoritë rajonale të mjedisit por edhe bashkitë kanë kompetenca për plane motorimi të cilësisë së ajrit si dhe marrjen e masave për zbutjen, që mund të jenë edhe legjislative. Një prej tyre do të ishte forcimi i instrumentave ligjore për zbutjen e këtyre ndikimeve në mjedis.
“Një masë që mund të merret është përmirësimi i transportit publik, që duhet të jetë në nivelin e emetimit euro 6. Në Tiranë e dimë që është euro 5 në qytetet e tjera nuk e dimë se sa e vjetër mund të jetë kjo flotë”, – thotë Sokoli.
Ai sugjeron se masa të tjera do të ishin shtimi i hapësirave të gjelbra apo mbjellja e disa bimëve të veçanta që thithin dioksidin e karbonit, që mund të përdoren si tampon për pastrimin e ajrit të qytetit.
“Puna duhet të fillojë me një studim fillestar dhe pastaj politika për të përmirësuar cilësinë e ajrit”, – sugjeron Sokoli.
Ndërsa Artan Kaçani propozon që të ndërhyhet për të rregulluar trafikun “që rrit nivelin e grimcave PM 10 dhe PM2.5” dhe po ashtu edhe kanalet e ujërave të zeza, pastrimin e qytetit “të cilat veshin rrugët me një re të hollë pluhuri”.
Metodologjia
Në kuadër të vlerësimit të cilësisë së ajrit në zonën e Portit të Durrësit nga matjet që bëri Pozitivi, pjesë e studios “Media Koncept” në bashkëpunim me Co-plan, ekspertët përcaktuan pesë pika monitorimi të shpërndara në mënyrë strategjike. Ato ishin të pozicionuara pranë burimeve kryesore të ndotjes dhe zonave me fluks të lartë aktivitetesh urbane e industriale. Metodologjia e përdorur është mbështetur mbi praktikat e aplikuara më parë në studime të ngjashme të GreenAL, një projekt i financuar nga qeveria Suedeze, zbatuar nga Co-PLAN, VIS dhe COSV, duke përfshirë matjet në terren (in-situ) me pajisje portative për CO, CO₂, PM₂.₅, PM₁₀ dhe NO₂, si dhe krahasimin e rezultateve me standardet e Bashkimit Evropian për ndotësit atmosferikë. Çdo stacion u monitorua në një moment të caktuar matjeje, me qëllim evidentimin e dallimeve hapësinore dhe krijimin e një panorame përfaqësuese të situatës aktuale të ajrit.
Imeldi Sokoli, ekspert pranë Co plan shpjegon se kjo është një metodologji e hartuar në fillimet e vitit 2017, e cila ka ardhur duke u përmirësuar vit pas viti duke iu afruar vetë metodologjisë që kanë institucionet publike.
Sipas tij, qëllimi i këtij projekti është sensibilizimi i popullatës.
“Ky është një hint i vogël, duke dhënë disa të dhëna shkencore, pasi institucionet i kanë duart e lidhura, për shkak të pamjaftueshmërisë së financimeve”.
Denisa rrëfen se kombinimi i problematikave mjedisore me faktet shkencore, i ndihmon të rinjtë jo vetëm për të kuptuar më mirë problematikën, por i bën edhe më të ndërgjegjshëm për të reaguar.
“Duhet t’i flasim hapur këto tema, por edhe të krijojmë hapësira diskutimi për të rinjtë, pasi kanë shumë interes. Të fillojmë të kërkojmë llogari”, – përfundon ajo.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Journalismfund Europe.
www.journalismfund.eu
© 2025, Pozitivi. All rights reserved.
