Opera për refugjatët, premierë në Vjenë
04/05/2019 Shpërndaje

Opera për refugjatët, premierë në Vjenë

Pasi u anashkalua nga institucionet në Kosovë një vepër e një kompozitori në Prishtinë është përzgjedhur për t’u dhënë premierë në Vjenë. Bëhet fjalë kompozitorin e muzikës klasike, të filmit dhe teatrit Trimor Dhomi, i cili është një nga katër të përzgjedhurit nga e gjithë bota, puna e të cilëve do të shfaqet premierë në qershor të këtij viti në Vjenë.

Kompozimi i operave nuk është fort i zakonshëm në Kosovë, mgjithatë Domi është përzgjedhur si një nga të spikaturit e kësaj fushe.

Për ta krijuar këtë operë, Dhomi, një ish-refugjat, është frymëzuar nga historia e fëmijëve sirianë refugjatë, dhe kjo operë ka për personazhe një sirian dhe dy refugjatë nga lufta e Kosovës.

Ai është shprehur për BIRN se shpreson që vepra e tij të ketë ndikim, jo vetëm në opera, por për rëndësinë e personazheve dhe rrëfimeve që përcjellin.

“Projekti im nuk u mbështet, nuk u komentua, madje as nuk u vlerësua, përkundrazi, ofenduan punën time”, tregon Dhomi, teksa kujton se si një anëtar i këshillit ministror i kishte thënë se “është një punë shumë e keqe”, kur ishin takuar në rrugë, përcjell albinfo.ch.

Ky nuk është suksesi i tij i parë ndërkombëtar. Dhomi po ashtu është i njohur si kompozitor i filmit “Shok”, që është filmi i parë nga Kosova që u nominua për çmimin Oskar (2016).

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.