“Nuk e mendova vdekjen, dashuria e kapërcen frikën”
Rrëfimi ekskluziv i 31 vjeçarit shqiptar që shpëtoi dhjetëra njerëz nga uragani Harvey…
Raz Halili, heroi i uraganit Harvey në Teksas, rrëmbeu mijëra zemra njerëzish pasi rrezikoi jetën e tij duke shpëtuar të përmbyturit. Ndaj vendosem që ti shkëpusnim disa detaje nga kjo histori frymëzuese. Halili është me origjinë nga Kosova por ka lindur dhe jetuar në Teksas. Ai është 31 vjeç, ka studiuar komunikim por aktualisht punon në biznesin e familjes. I riu shqiptar rrëfen për pozitivi.org se ai dhe familja e tij kanë shpëtuar pa humbje në njerëz nga uragani që tronditi mbarë Teksasin. “Fatmirësisht familja ime dhe unë nuk ishim të dëmtuar nga stuhia. Biznesi im ka pësuar dëmtime pasi kemi humbur një ndërtesë dhe kemi dëmtuar ndërtesat e tjerëve”, tha Halili.
Njerëzit kanë qenë të bllokuar në shtëpitë e tyre të mbushura me ujë, shumë kanë qenë në rrezik me jetën, ndërsa Raz është gjendur aty për t’i shpëtuar. 31 vjeçari rrëfen disa raste kur ka shpëtuar një njeri të bllokuar në lumë, në sytë e të cilit ka parë frikën që e kishte pushtuar për jetën. Më tej Raz tregon për pozitivi se ka lëvizur shtretër dhe furnizime në shtëpinë e pleqve, e ato momente për të kanë qenë të veçanta pasi aty ka ka kaluar 7 muajt e fundit të jetës gjyshi i tij.
“Për mua momenti më kulminant, ishte ai i një njeriu të bllokuar në lumë, ai kishte frikë për jetën e tij. Ne ishim në gjendje ta tërhiqnim atë nga uji për në anijen time. Frika i lexohej në sy, ai ishte shumë i tronditur. Unë sinqerisht besoj se i kemi shpëtuar jetën dhe ai ishte shumë falënderues për ne që ishim aty. Njerëzit që dëshironin të dilnin nga shtëpitë e përmbytura për në tokë të sigurtë ishin të shumtë, ndaj ne i ndihmuam me anije dhe ski jet.
Një burrë nuk ishte në gjendje të kthehej në shtëpinë e tij, por donte të shpëtonte edhe qenin. Ne e morëm zotërinë me motorrin e ujit, kështu që ishim në gjendje të merrnim dhe qenin e tij. Në shtëpinë e pleqve kemi lëvizur shtretër dhe furnizime mjekësore për të moshuarit. Ishte shumë emocionale t’i shihje në një gjendje të tillë. Gjyshi im kaloi 7 muajt e fundit të jetës në një shtëpi pleqsh, kështu që ishte një ndjenjë e veçantë për mua që të ndihmoja të moshuarit”, tha Raz për pozitivi.org.
Ndërsa e pyetëm si ndjehej kur dëgjonte të tjerët ta quanin hero Raz shprehet kështu: “Është një nder i madh të dëgjosh këto fjalë nga njerëzit. Më bën shumë krenar, por nuk më pëlqen ta quaj veten hero. Unë vetëm dëshiroja të ndihmoja njerëzit në nevojë”. Për ta njohur më shumë heroin shqiptaro-amerikan që rrëmbeu zemrat e atyre që shpëtoi nga përbytjet madje dhe të vajzave, lexoni intervistën e plotë më poshtë.
Intervista ekskluzive me Raz Halilin për pozitivi.org:
Pozitivi: Çfarë do t’ju thoje te gjithë shqiptarëve që dëgjojnë për herë të parë emrin tend, kush është Raz?
Raz Halili: Unë jam një i ri i lindur në Amerikë, por i lidhur pas gjakut tim, jam krenar që jam shqiptar. Unë jam 31 vjeç, duke rritur perandorinë e prindërve të mi në Teksas. Kam një pasion të fortë për futbollin, pasi zë pjesë të madhe të jetës sime. Kam hobi udhëtimin nëpër botë dhe kënaqem duke vizituar familjen dhe miqtë e mi në Ballkan gjatë verës.
Pozitivi: Si e përballuat uraganin Harvey dhe sa të rrezikuar ishit ti dhe familja jote?
Fatmirësisht familja ime dhe unë nuk ishim të dëmtuar në njerëz nga stuhia. Biznesi im ka pësuar dëmtime pasi kemi humbur një ndërtesë dhe kemi dëmtuar ndërtesat e tjerëve.
Pozitivi: Njerëzit ju thërrasin hero pasi keni shpëtuar disa famije, çfarë ndjesie është për ty të quheni i tillë?
Raz Halili: Është një nder i madh të dëgjosh këto fjalë nga njerëzit. Më bën shumë krenar, por nuk më pëlqen ta quaj veten hero. Unë vetëm dëshiroja të ndihmoja njerëzit në nevojë.
Pozitivi: Mediat e huaja shkruajnë se vajzat që keni shpëtuar janë marrosur pas jush, sa e vërtetë është?
Raz Halili: Po, kjo është ajo që unë po lexoj dhe është shumë lajkatuese të dëgjoj fjalën e tyre të mirë. Është gjithçka pak e çuditshme dhe qesharake në të njëjtën kohë.
Pozitivi: Çfarë reagimesh ke marrë nga njerezit që ke shpëtuar?
Raz Halili: Çdo person që ndihmuam në emocione e sipër na thoshte, “Zoti ju bekoftë” “faleminderit që na ndihmove”…
Pozitivi: Keni rrezikuar ndonjëherë veten gjatë kohës që shpëtonit tjerët?
Raz Halili: Në atë kohë nuk mendova për rreziqet, por disa njerëz vdiqën duke u përpjekur për të shpëtuar të tjerët. Dy djem në Hjuston u vranë nga linjat elektrike në ujë. Unë nuk mendova për këto gjëra, sepse në ato momente dashuria kapërcen frikën dhe mendimi ynë i vetëm ishte të ndihmojmë të tjerët.
Pozitivi: Jeni vlerësuar me titullin ‘RescueBae’, kush jua dha këtë titull?
Raz Halili: Një vajzë gazmore dhe e ndjeshme, të cilën unë nuk e njoh, shpërndau foton time me #rescuebae e cila pastaj u rishpërnda mijëra here, dhe bazuar tek fotoja mediat e lajmeve më nderuan me këtë titull.
Pozitivi: Me trego konkretisht disa raste të personave që ke shpëtuar, si ke mundur ta bësh?
Raz Halili: Për mua momenti më i madh ishte njeri i bllokuar në lumë, ai kishte frikë për jetën e tij. Ne ishim në gjendje ta tërhiqnim atë nga uji për në anijen time. Ju mund të shihnit frikën e syve të tij, ai ishte shumë i tronditur. Unë sinqerisht besoj se i kemi shpëtuar jetën e atij, ai ishte shumë falënderues për ne që ishim aty. Njerëzit që dëshironin të dilnin nga shtëpitë e përmbytura për në tokë të thatë ishin të shumtë, ndaj ne i ndihmuam me anije dhe ski jet. Një burrë nuk ishte në gjendje të kthehej në shtëpinë e tij ku kishte lnë dhe qenin. Ne e morëm zotërinë me motorrin e ujit, kështu që ishim në gjendje të merrnim dhe qenin e tij. Në shtëpinë e pleqve kemi lëvizur shtretër dhe furnizime mjekësore për të moshuarit. Ishte shumë emocionale t’i shihje në një gjendje të tillë. Gjyshi im kaloi 7 muajt e fundit të jetës në një shtëpi pleqsh kështu që ishte një ndjenjë e veçantë për mua që të ndihmoja të moshuarit.
Pozitivi: Kush ju ndihmoi tjetër në këtë akt heroik?
Raz Halili: Kushëriri im Gëzim Halili
Pozitivi: Prej sa vitesh jeton ne Teksas, atje ke lindur?
Raz Halili: Unë kam lindur në Teksas. Por e vizitoj pothuajse çdo verë tani Shqipërinë.
Pozitivi: Nga cili vend i Shqiperise je?
Raz Halili: Familja ime është nga Kosova.
Pozitivi: Per çfarë ke studiuar?
Raz Halili: U diplomova në Bachelor në Houston Baptist University. Kam studiuar komunikim.
Pozitivi: Si është një ditë e juaja e zakonshme?
Raz Halili: Mëngjeset e mia fillojnë herët me punën, jemi shumë të zënë pasi vazhdojmë të rrisim biznesin. Zakonisht mbaroj ditën në palestër, në mbrëmje më pëlqen të kaloj kohë me familjen time ose në darka me shokët. Gjatë ditës unë jam gjithmonë duke dëgjuar muzikë kryesisht artistin modern shqiptar Ledri, që është në mesin e të preferuarve të mi.
Nga Beklie Koltraka


© 2017 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.
