Durrës | Pedagogja nisi e vetme me kanaçe. Sot janë dhjetëra shkolla, qindra fëmijë dhe mijëra kilogramë të ricikluar
Në vitin 2018, Laura Gjyli mori një email që, në pamje të parë, nuk premtonte asgjë më shumë se një projekt shkencor. Një ftesë për të monitoruar plastikat në bregdet, një tjetër angazhim akademik mes shumë të tjerëve. Por ajo që ndodhi më pas e ktheu atë email në pikën e nisjes së një prej nismave më konkrete të edukimit mjedisor në Durrës dhe më gjerë.
Sot, pas disa vitesh, nga kjo nismë janë ricikluar rreth 18 mijë kilogramë shishe plastike, janë mbjellë 1 500 pemë dhe qindra nxënës e studentë janë përfshirë në veprime reale për mjedisin. Jo si spektatorë, por si protagonistë.
Nga shkenca në terren: Momenti kur teoria nuk mjaftonte më
Laura Gjyli është biologe dhe pedagoge. Për vite me radhë ka folur në auditore për biodiversitetin, ndotjen dhe ndikimin e njeriut në natyrë. Por, siç thotë vetë, erdhi një moment kur teoria nuk i dukej më e mjaftueshme.
“Historia nisi në vitin 2018. Unë jam biologe, por ndodhi që një kolege më njoftoi për një projekt që merrej me monitorimin e plastikave. Vendosa të mos e trajtoja thjesht si një projekt shkencor”, rrëfen ajo.
Në vend që të mbetej në laborator apo në letër, Laura mori studentët dhe gjimnazistët dhe doli në terren, në Gjirin e Durrësit dhe Gjirin e Lalzit. Aty u përballën me realitetin: Shishe plastike, detergjentë, goma, tekstile – mbetje të përditshme, që flasin më shumë për zakonet tona sesa për ndonjë ndotje “të largët”.
Në vend që këto të dhëna të përfundonin në një raport akademik, Laura vendosi të bëjë diçka ndryshe: studentët i prezantuan vetë rezultatet në shkolla dhe universitete.
“U ndjenë shumë mirë, sepse nuk ishin më thjesht dëgjues. U bënë pjesë aktive e procesit”, thotë ajo.
Kur rinia u përfshi dhe riciklimi u kthye në veprime
Ajo që nisi si një monitorim shkencor, u shndërrua gradualisht në një lëvizje komunitare. Brenda pak vitesh, në këtë proces u përfshinë rreth 35 shkolla të Durrësit, studentë, mësues dhe pedagogë.
Ideja ishte e thjeshtë dhe e kuptueshme për këdo, ajo që konsumojmë çdo ditë në shtëpi – shishe shampoje, detergjentësh, uji – të mos hidhej më, por të sillhej pranë shkollës ose universitetit.
“Një herë në muaj, secili sillte shishet plastike që konsumonte. Sot janë bërë rreth 18 mijë kilogramë shishe plastike të grumbulluara”, shpjegon Laura.

Me ndihmën e bashkisë, plastika u dërgua në kompani riciklimi. Por ajo që e bëri këtë nismë të prekshme ishte mënyra se si u përdorën të ardhurat nga riciklimi.
“Këto ullinj që shihni, këto pemë që kanë bërë dhe kokrra, janë një mesazh shumë i fortë. Forca e rinisë dhe e fëmijëve është e jashtëzakonshme kur di ta organizosh me veprime të vogla mujore”, thotë ajo.
Rezultati ishte konkret: 1 500 pemë të mbjella, gjelbërim në universitete dhe shkolla, vepra arti nga riciklimi dhe mjete didaktike që përdoren çdo ditë nga nxënësit.

Edukimi si themel i çdo ndryshimi
Për Laurën, çelësi i suksesit nuk janë fushatat e mëdha, por përsëritja e veprimeve të vogla.
“Gjithçka nis nga edukimi. Gjithçka nis nga ndërgjegjësimi”, thotë ajo.
Sipas saj, Shqipëria ka vuajtur për dekada nga mungesa e edukimit mjedisor të qëndrueshëm. Ligje ka, por pa qytetarë të formuar, ato nuk zbatohen.
“Ndryshimi nis nga shkolla dhe universiteti. Aty formohet qytetari i ri, që më pas edukon familjen dhe shoqërinë”, shprehet Laura.
Gruaja dhe rinia: Një forcë që shpesh nënvlerësohet
Në aktivitetet që ka drejtuar, Laura ka vënë re një prirje të qarte, vajzat janë shpesh më të përfshira dhe më të qëndrueshme në angazhim.
“Vajzat janë më të motivuara, lexojnë më shumë dhe janë më të gatshme për të ndryshuar sjellje. Duhet t’i mbështesim fuqishëm në shkencë dhe mjedis”, thotë ajo.
Në një vend që synon integrimin europian, ku mbrojtja e mjedisit është kusht bazë, ky rol bëhet edhe më i rëndësishëm.

Mesazhi për bizneset: Përgjegjësia nuk është opsionale
Laura është e drejtpërdrejtë edhe kur flet për rolin e bizneseve.
“Bizneset përfitojnë nga territori dhe komuniteti, por shpesh bëjnë shumë pak për të. Me kontribute modeste mund të realizohen aktivitete që krijojnë ndërgjegjësim real”, thekson ajo.
Sipas saj, riciklimi nuk është vetëm mjedis. Është shëndet publik, zhvillim ekonomik dhe krijim i vendeve të reja pune. Një proces që e afron Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian.


Pse kjo histori është histori suksesi
Historia e Laurës Gjyli nuk është histori nisme individuale. Është histori modeli që funksionon. Një histori që tregon se ndryshimi nuk nis gjithmonë nga politikat e mëdha, por nga një vendim i thjeshtë për të vepruar.
Nga një email në vitin 2018, deri te pemët që sot rriten në oborre shkollash, Laura ka treguar se edukimi, kur shoqërohet me veprim, mund të prodhojë ndikim real dhe të qëndrueshëm.
Ky material është pjesë e një projekti të organizatës Infinit+, realizuar në kuadër të fushatës “Histori me ndikim / Klima (nuk) njeh gjini”.
Projekti mbështetet nga GreenAL “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile 2024–2027”, i cili financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.
© 2026, Pozitivi. All rights reserved.
