Lajme të fundit/ Në 8 prill Tirana manifeston në mbështetje të Ukrainës
Më 8 prill, ora 12:00 në Tiranë do të zhvillohet një manifestim i madh në mbështetje të Ukrainës dhe popullsisë atje, e cila në këto momente po përballet me agresionin rus. Manifestimi, që do nisë nga sheshi “Skënderbej” dhe do të vijojë deri të sheshi “Vëllezërit Frashëri”, është thirrur nga komuniteti ukrainas në Tiranë dhe pritet që të marrin pjesë një numër i madh qytetarësh.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se do t’i bashkohet manifestimit dhe ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e marshimit.
“Të premten në orën 12:00 do të mblidhemi të gjithë bashkë në sheshin ‘Skënderbej’ – trupi diplomatik, organizata të shoqërisë civile, individë pa dallime partiake. Do të kemi një edhe përshëndetje nga kryetari i Bashkisë së Kievit, Klitchkov. Marshimi do të nisë nga sheshi ‘Skënderbej’ deri te ‘3 Vëllezërit Frashëri’, aty ku është ambasada e Ukrainës, për të dhënë disa mesazhe dhe për t’u bashkuar me korin e qyteteve më të mëdha të Evropës, për të bërë realitet atë që presidenti Zelensky tha në fjalën e tij në çmimet Grammy: ‘Na ndihmoni me gjithçka të mundeni, vetëm me heshtjen mos na ndihmoni, se heshtja nuk ndihmon asnjeri’. Heshtja përkundrazi të bën palë me fajtorin”, tha Veliaj.
Prej fillimit të luftës qytetarë të shumtë u mblodhën për ditë me rradhë në shenjë proteste përpara ambasadës ruse në Tiranë. Ata bënë thirrje që të ndalet agresioni rus i cili u ka marrë jetën dhjetëra civilëve dhe qindra ushtarëve. Për të kundërshtuar sulmin rus ndaj Ukrainës, protestuesit shpalosën një flamur të madh, ukrainas. Nuk munguan as pankartat me mesazhe paqeje. “Stop luftës”, “Putin, terapia kushton më pak se lufta”, “Bota duhet ta ndalojë Rusinë”, shkruhej në pankarta.
Jo vetëm në Shqipëri, por protestat u zhvendosën në disa vende të botës, ku kanë marrë pjesë mijëra persona për të dënuar luftën e Rusisë. Pushtimi i Moskës ka nxitur zemërim global dhe ka rezultuar me sanksione nga shtetet e Perëndimit, disa të drejtuara edhe kundër vetë presidentit rus, Vladimir Putin.
Më 26 shkurt, protesta janë mbajtur në disa qytete evropiane, por edhe në Teheran. Në Zvicër, mijëra persona janë mbledhur nëpër qytete të ndryshme, përfshirë rreth 1,000 jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Në protesta është kërkuar më shumë veprim nga qeveritë. Protesta janë zhvilluar edhe në Rusi e shumë vende të tjera.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
